4 PISTA / Nga ISIS, në Kaukaz: Armiqtë e Car Vladimirit

4 Prill 2017, 10:02Bota TEMA

Pas masakrës në Shën Petersburgun e tij, me atë vetë të pranishëm në qytet, Presidenti Vladimir Putin mund t’i heqë sërish pluhurin legjendës së një Rusie të rrethuar nga armiqtë. Por kush janë këta armiq? Nuk është ende e qartë se kush ishte prapa sulmit të djeshëm në metronë e qytetit të carëve, edhe pse pistat më të besueshme të çojnë tek Shteti Islamik dhe terrorizmi me prejardhje Kaukaziane. Eshtë publikuar edhe një foto e një njeriu lëkurëzeshkët me një mjekër të plotë, dhe i veshur me një lloj çallme të zezë. Ai është regjistruar nga kamerat e metrosë, dhe ka shumë njerëz që thonë se ai është autori. Por hetuesit janë duke ndjekur të gjitha pistat: Natyrisht ajo islamike dhe ajo kaukaziane, por pa lënë pas dore ultra të djathtët ukrainas dhe një armik të mundshëm të brendshëm, një ish-oligark, një mafioz, apo njerëz të shërbimeve të fshehtë që janë përjashtuar.

Pista e parë: Shteti Islamik

Në mesin e militantëve të Shtetit Islamik në Raqqa dhe Mosul qarkullon një video ku Putin është i demonizuar si “njeriu që dy vitet e fundit ka pirë gjakun e sirianëve”. Presidenti rus është njeriu që duhet mposhtur, armiku numër 1 i xhihadit në Siri. Ajo e frymëzimit islamik pra, është një nga pistat kryesore për prokurorët rusë. Dhe mes organizatorëve të supozuar të sulmit të djeshëm janë kryesisht ISIS dhe galaksia e grupeve ekstremiste myslimane që luftojnë në Siri kundër regjimit të Bashar al-Asadit. Në fakt, që kur në shtator të vitit 2015 luftëtarët e Moskës filluan të bombardojnë masivisht pozicionet e kryengritësve në Siri, ushtria besnike e Assadit ka qenë në gjendje që të rimarrë një pjesë të madhe të rajoneve të pushtuara. Pra, nuk shkakton aspak çudi gëzimi në rrjetet sociale arabe, mes aktivistëve sirianë të opozitës, për shpërthimin në metronë e Shën Petersburgut.

Pista e dytë: Foreign fighters

Në këtë moment, ende nuk ka ardhur asnjë marrje përsipër nga ana e “të dyshuarve të zakonshëm”, dmth rebelëve çeçenë ose të Dagestanit, megjithatë, të dy palët të lidhura ngushtë me Shtetin Islamik. Në republikat e Federatës Ruse, revolta ndaj Moskës është shtypur rëndë në dekadat e fundit, sidomos gjatë “luftës së dytë çeçene”, që përfundoi në vitin 2009, edhe pse sulme vazhdojnë të ndodhin në Rusi (më i rëndi ishte ai në metronë e Moskës në vitin 2010: 41 të vdekur). Radikalizimi i kryengritjes ka shtyrë shumë prej militantëve që të zbresin nga malet e Kaukazit, për të shkuar dhe luftuar xhihadin e tyre, si luftëtarë të huaj në Irak dhe Siri, me role në komandën ushtarake. Për reciprocitet, Shteti Islamik u ka dhënë vitet e fundit para, armë dhe mbështetje logjistike.

Pista e tretë: Ultra të djathtët e Kievit, që luftojnë në kufi

Pavarësisht marrëveshjeve të firmosura në Minsk dy vjet më parë, Moska dhe Kievi ende përplasen ushtarakisht në Donbass, në një konflikt që ka shkaktuar deri tani 6 mijë të vdekur. Kush mund ta ketë kryer një sulm të tillë? Të vetmit mund të jenë grupet paramilitare ultra të djathta ukrainase, të njëjtat që i japin një dorë të fortë ushtrisë së Kievit, dhe që Presidenti Petro Poroshenko thotë se i ka ndërfutur në forcat e veta të armatosura. Për shembull, “batalioni Azov” i përbërë nga të rinj, të cilët para së gjithash vetëquhen patriotë. Dje ka patur një sënim në Tuiter nga ukraina, që rusët e kanë qarkulluar në internet. “Prej kohësh nuk ka sulme”. Disa analistë rusë argumentojnë se Isis është duke u stërvitur në Ukrainë.

Pista e katërt: Aktivistë, oligarkë. Dhe hijet e shërbimit të fshehtë

Komisioni i hetuesve, një lloj FBI-je ruse, po merr në konsideratë disa pista. Mes tyre, natyrisht armiqtë e brendshëm të presidentit. Janë kundërshtarët e tij politikë, si bloggeri Aleksandr Navalnyj, por janë të gjithë o në burg, në arrest shtëpiak, ose nën mbikëqyrje të forta. Gjithashtu, nuk ka sinjale për një opozitë të armatosur. Policët rusë kanë menduar edhe për një hakmarrje të armikut të madh të presidentit rus: Mikhail Khodorkosvskij, ish oligarku që ngaZvicra, ku u largua pas dhjetë vitesh burg, financon opozitën. Në fund, ashtu si ndodhi pas një sulmi të vitit 1999, ka nga ata që akuzojnë shërbimet e fshehta ruse: një atentat për të rilançuar imazhin e zbehur disi të presidentit.

La Repubblica – Përgatiti: bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje