Bogdani: Partizani fiton titullin duke u mbrojtur si ndaj Skënderbeut

4 Prill 2017, 13:23Sport TEMA

Ndeshja mes Partizanit dhe Skënderbeut kishte ngjallur interesin e shumë figurave të sportit shqiptar.

I pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Selman Stërmasi” ishte edhe ish-sulmuesi i Partizanit dhe ekipit kombëtar, Erjon Bogdani, i cili me të kuqtë ka luajtur 3 sezone ku në 62 ndeshje ka realizuar 21 gola.

Sa i përket takimit, për “Panorama Sport” Bogdani pohoi se sfida ishte e dyluftuar dhe me ritëm, por ndonëse korçarët bënë lojën, fitorja i kaloi Partizanit. Sipas ish-bomberit, kampion mund të dilet edhe duke u mbrojtur, siç vepruan “demat” ndaj Skënderbeut, pasi dihet se ata morën trepikëshin në fund.

Pas kësaj jave, garën për titull Bogdani e shikon mes Kukësit dhe të kuqve të kryeqytetit.

Erjon, si ju duk ndeshja mes Partizanit dhe Skënderbeut?

Për mua ishte një ndeshje e bukur dhe me ritëm. Ishte një takim i luftuar nga të dy ekipet. Skënderbeu luajti shumë mirë, por edhe Partizani u tregua konkret, pasi në dy aksione që pati, një e shënoi gol. Goli erdhi si rezultat i një aksioni shumë të bukur, kurse gjuajtja tjetër përfundoi në traun e portës.

Mendoni se me këtë lojë që Partizani zhvilloi ndaj Skënderbeut, ku u mbrojt i gjithi në pjesën e dytë, mund të dalë kampion?

Sigurisht që mund të dilet kampion edhe me këtë lojë. Ishte një ndeshje ku të dyja skuadrat luajtën për ta fituar duelin direkt. Ishte një ndeshje për ta fituar dhe jo për ta luajtur. Skënderbeu e luajti ndeshjen, por Partizani e fitoi.

Me fitoren, Partizani ruajti bashkëkryesimin, por a mund të themi se e ka eliminuar njëkohësisht Skënderbeun nga gara për titull?

Duke parë që diferenca e Skënderbeut me kreun është minus 5 pikë, kjo mund të jetë e vërtetë. Por gjithçka mund të ndodhë, pasi kampionati ka ende 9 ndeshje për të luajtur. Gjithsesi, pas kësaj ndeshjeje mendoj se lufta për titullin kampion do të zhvillohet mes Partizanit dhe Kukësit.

Po në fund kush del kampion?

Nuk di ta them, pasi është hera e parë që e shikoj Partizanin këto vitet e fundit. Por Partizani luajti mirë, repartet ishin të koordinuara mes tyre, por vuajti shumë në pjesën e dytë. Megjithatë, kampionati fitohet edhe duke triumfuar në ndeshje të tilla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje