INTERVISTA/ Paskal Milo: Meta, potencial i fortë. Pa PD s’ka zgjedhje. Të shtyhen votimet

5 Prill 2017, 11:44Politika TEMA

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e ka vlerësuar deklaratën e djeshme të Ilir Metës, si një lëvizje taktike që do t’i japë LSI-së një potencial të madh në këto zgjedhje.

Në një intervistë ekskluzive për Konica.al, Milo shton se fjala e Metës u prit me shumë shpresë nga ana e PD-së.

Milo thotë se ai personalisht ka bërë disa propozime sa i takon zgjedhjeve të 18 qershorit.

Sipas tij, duhet të vendoset një Sekretar Shteti nga ana e opozitës në Ministrinë e Brendshme për të monitoruar zgjedhjet. Ai shton se pranë KQZ-së duhet të ngrihet një task-forcë që të kontrollojë fondet e partive politike si dhe të zbatohet numërimi elektronik.

Ndër të tjera, aleati i Ramës shtoi se zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen, të paktën në një vend demokratik. Milo theksoi se zgjedhjet duhet në shtyhen nëse nuk plotësohen këto kritere të nevojshme për një proces të lirë dhe demokratik.

Jemi në fund të mandatit të qeverisë dhe drejt fundit të marrëveshjes mes PS-LSI. Një ditë më parë kryeparlamentari Meta deklaroi se afirmon koalicionin e ri me PS-në, por nuk pranon një farsë politike dhe zgjedhje pa opozitën. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Mua më duket se deklarata e Metës duhet marrë dhe shqyrtuar në kompleksitetin e saj. Nuk është një deklaratë që ka një bosht të tërë dhe unik në shprehjen e pikëpamjeve dhe mund të them që është një deklaratë që ka dy pjesë, gjykuar gjithnjë në këndvështrimin e zgjidhjes që ofron.

E para është një konfirmin i një koalicioni të mundshëm me PS-në dhe i kushtëzuar.

E dyta është kushtëzimi, që është e reja dhe është reflektim i qëndrimit të LSI-së e thënë edhe më herët. Por këtë herë u artikulua më qartë dhe  me propozime konkrete për të shkuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje politike për kapërcimin e krizës.

E marrë në tërësinë e saj, kjo deklaratë ka shkaktuar konfuzion. Diku u prit me pezmatim,- flas gjithmonë për PS-në,- dhe diku është pritur me shpresë,-flas këtu për opozitën. Për mendimin tim, deklarata është një levizje taktike e fuqishme. Kërkon të vendosë përfundimisht LSI-në në pozicionin e një aktori potencial dhe me pretendime për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo deklaratë është në vijim të qëndrimeve që mbajti LSI në korrik të vitit të kaluar, kur po diskutohej Reforma në Drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese, ku LSI përsëri, për t’i dhënë shtytje realizimit të reformës dhe për t’u futur në skenën e aktorëve të mëdhenj nga ku kishin tendencë ta përjashtonin, bëri një levizje të fuqishme. Është i njëjti veprim për t’i dhënë tjetër dimesion LSI-së dhe për të nënvizuar rolin e saj si një lojtar i fuqishëm në skenën politike shqiptare.

Ju mendoni se duhet një ‘martesë’ PS-LSI e re apo socialistët të dalin të vetëm në zgjedhje?

Këtë nuk do ta vendos unë sepse nuk është e drejta ime. Ajo do të jetë një vendimmarrje e shtabeve politike, respektivisht e PS-së dhe LSI-së. Janë ata që kanë bërë dhe bëjnë llogaritë se si u intereson atyre më mirë. Por nëse flasim për krijimin e kushteve të përshtatshme për të shkuar në zgjedhje, unë gjykoj që edhe propozimet e djeshme të LSI-së ecin në këtë rrugë, për të bërë çfarë është e mundur për të shmangur shtyrjen e zgjedhjeve.

Kam një javë që personalisht kam bërë disa propozime që shkojnë në këtë drejtim. Sigurisht, me terma më të moderuara se ato që opozita ka shprehur për krijimin e një qeverie teknike apo nga ato që ka shprehur LSI dje për një qeveri besimi.

Propozimet e mia ishin për një Sekretar Shteti nga opozita në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të mund të kontrollonte procesin e zgjedhjeve nga afër.

Krijimin e një task-force pranë KQZ-së për të diskutuar dhe për të monitoruar nga afër dhe me transparencë procesin e financimit të partive politike gjatë zgjedhjeve, procesin e monitorimit joformal të parqyrimit në media të fushatave elektorale të partive që marrin pjesë në zgjedhje.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke filluar me departizimin e komisioneve zgjedhore dhe të grupeve të numërimit.

Dhe më kryesorja, realizimi i numërimit elektronik që është i mundshëm të bëhet.

Nëse realizohen të gjitha këto, unë mendoj që janë kushtet e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje.

Në këto mundësi që ofron politika e vendit, jeni i mendimit për shtyrjen apo jo të datës së zgjedhjeve?

Nëse brenda javës që jemi, nuk do të ketë një kompromis, një  zgjidhje të negociuar në formën e një pakete, do të jetë e vështirë që të respektohen afatet ligjore për të shkuar në zgjedhje. Për rrjedhojë, do të lindë nevoja që patjetër zgjedhjet të shtyhen sepse nuk ka rrugë tjetër.

E para, në zgjedhjet parlamentare nuk mund të shkohet pa opozitën. Nuk ka ndodhur dhe nuk besoj se ka ndodhur në ndonjë vend demokratik, për rrjedhojë edhe në Shqipëri nuk mund të shkojmë në zgjedhje pa opozitën.

Kështu që vonesat që mund të shkaktohen në proces mund të çojnë në shtyrjen e zgjedhjeve.

Ndërkombëtarët kanë apeluar shpeshherë opozitën që të ndalojë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend. Dje, kryeopozitari Basha ritheksoi se nuk i tërhiqet kushteve që kanë dhe qeverisë teknike. Sa qëndron kjo kërkesë e Bashës për qeveri teknike?

Parimisht dhe në një normalitet demokratik, zgjedhjet i organizon partia që është në pushtet. Nga kjo pikëpamje, kërkesa e opozitës nuk ka bazë ligjore për krijimin e qeverisë teknike. Krijohet një precedent i rrezikshëm që pastaj do të kërkohet të zbatohet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të vijnë. Nuk ka arsye kaq të mëdha që të kërkohet qeveria teknike nga opozita.

Opozita ka artikuluar shumë arsye, sipas saj, sepse duhet qeveria teknike. Për mendimin tim, është më tepër një alibi e PD-së për të marrë diçka më tepër që i takon në normalitetin demokratik për të shkuar në zgjedhje, duke ndierë që i ka pozitat e dobëta. Kjo është arsyeja e parë, për mua.

E dyta, kërkon që të marrë avantazhe paraprake për të shkruar në zgjedhje. E treta, kërkon të shmangë përgjegjësitë e saj, për të mos thënë që kërkon të pengojë reformën në drejtësi dhe zbatimin e vetting-ut.

Dhe në këtë rast, vështirë se mund të ketë argumente të fuqishme. Pa dyshim që qeverisja socialiste ka patur shumë të meta dhe janë konstatuar gabime të mëdha, por edhe përgjegjësi të rënda për krijimin e klimës që e kemi përjetuar dhe në mënyrë të veçantë shpërthimin skandaloz të prodhimit të kanabisit. Kjo ka ngjallur debate për mënyrën se si do të administrohen mjetet financiare që po përfitohen nga kjo veprimtari e paligjshme. Kështu që, në këto rrethana, opozita mund të ketë argumente, por nëse duam të shkojmë në zgjedhje që mund të parandalojnë dhe t’i garantojnë opozitës një klimë të favorshme për të shkuar në zgjedhje, gjithmonë në drejtim të rregullimit të kodit zgjedhor dhe në drejtimet që kërkon opozita. Veçoj votimin elektronik që do shumë kohë për t’u bërë, ndërkohë që numërimi elektronik mund të bëhet dhe nuk ka problem.

Kanabisi është shfrytëzuar edhe nga LSI për një përplasje me PS-në. Kemi ministria dhe ish-ministra të qeverisë aktuale që po akuzojnë njëri-tjetrin. Këto pëplasje publike a janë treguar se koalicioni po çalon?

Këto janë deklarata ose lojëra fjalësh. Që nga momenti që janë evidentuar një numër problemesh që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen dhe mosarritjet e programit qeverisës, pa diskutim që përgjegjësia rëndon tek e gjithë qeveria si një e tërë. Nuk mund të flitet se ka punuar mirë vetëm pjesa e qeverisë që përfaqësohet nga LSI dhe ka punuar keq pjesa e qeverisë që përfaqësohet nga PS-ja. Qeveria gjithmonë gjykohet si një e tërë dhe pa dyshim që çdo ministër gjykohet për përformancën e tij. Në këtë kontekst, unë besoj se ka patur vërejtje për shumë ministra, të të dy partive përbërëse të koalicionit.

Duke qënë se problematikat më të mëdha janë shfaqur në politikën e brendshme dhe në administrimin e proceseve të sigurisë publike, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe duke qenë se dikasteret me peshë të madhe sociale i ka mbuluar Partia Socialiste, siç është Arsimi dhe Shëndetësia, atëhere edhe shigjetat më të mëdha janë adresuar tek këto dikastere. Për rrjedhojë, ka dalë më e zbuluar PS-ja. Të mos harrohet se sa më shumë që afrohet fushata aq me tepër ndizet konkurrenca dhe përplasjet midis dy aktorëve të koalicionit, të cilët duan të krijojnë terrene të favorshme për të marrë sa më shumë vota. Përdorin një lloj kritike ndaj partnerëve për t’u shfaqur ndaj opinionit publik si më të përgjegjshëm dhe më shpresëdhënës për mandatin tjetër.

Thatë që qeveria e Rilindjes pati shumë të meta gjatë këtij 4 vjeçari. Ju mendoni se Rama do të arrijë të ketë të njëjtin sukses që pati në 2013, a ka rënie të besimit të qytetarëve ndaj tij?

Këtë pritet ta vendosin qytetarët me votën e tyre. Pritshmëritë që bëjnë partitë politike në sondazhet e tyre janë ekstreme, më shpresëdhënëse dhe më premtuese se çfarë ishin në 2013. Për mendimin tim, qeverisja gjithmonë e konsumon një parti politike në pushtet, e konsumon në mënyrë të natyrshme. Duhen faktorë të tjerë plotësues që të mund të arrijë atë masë besimi të popullit, për të garantuar një mandat të dytë qeverisës. Unë besoj se PS-ja ka mjaft defekte në qeverisje dhe do t’i duhet të reflektojë seriozisht nëse do të paraqitet me një program si ai i 4 viteve më përpara. Ka fusha që nuk është bërë asgjë. Reforma që u premtuan, por që nuk u realizuan, ose disa prej reformave u bënë në nxitim e sipër dhe duhen rishikuar. Pra qeverisja e mazhorancës aktuale përballë problemeve shumë të mrehta që ka patur tentoi të bënte disa reforma, por jo kudo ajo arriti t’i realizonte ato me standardet dhe objektivat.

Duke folur për zgjedhje, Partia juaj do të pozicionohet pranë PS-së dhe çfarë prisni ju nga kjo parti? Shpeshherë partitë e vogla janë shprehur të pakënaqura gjatë këtij 4-vjeçari me Ramën se nuk ka zbatuar marrëveshjen mes tyre.

Ne nuk kemi filluar akoma negociatat për të përcaktuar se me cilin koalicion Demokracia Sociale do të shkojë në zgjedhje. Jemi ende duke shqyrtuar zhvillimin e situatës politike dhe pa dyshim që do të ketë negociata. Nuk mund t’i paragjykoj ato. Të jeni të sigurt se ne nuk kemi shpallur apriori se me kë do të shkojmë.

Do të varet shumë nga negociatat dhe nga dy faktorë të rëndësishëm, pra çfarë ofrojnë partnerët e koalicionit dhe çfarë garancish ata do të japin që të mos përsëritet mashtrimi i 4 viteve të shkuara.

5 komente në “INTERVISTA/ Paskal Milo: Meta, potencial i fortë. Pa PD s’ka zgjedhje. Të shtyhen votimet”

  1. Fredi FR says:

    Epo kur te ben presion dhe Milo ha ha ha

  2. ela says:

    te mbaruan leket e dibraneve qe u more kur ishe minister i jashtem,apo gocen nuk ta luajti sala nga ambasada legen

  3. pjeter says:

    MILO MILO, NE QOFTE SE BEJME KESHTU,SIPAS ASJ MENDJES SATE TE NDRITUR PREJ HISTORIANI, SIPAS TEJE A KA NE NDONJE VENT DEMOKRATIK QE NJE OPOZITE TE SILLET KESHTU?PERSERI SIPAS TEJE AK MUNDESI QE SIPAS TEZES SATE TE SHTYHEN ZGJEDHJET DHE TE KRIJOJNE NJE PRECEDENT TE RREZIKSHEM?, KUSH MUND TA MBAJE OPOZITEN E ARDHESHME TE SILLET KESHTU NE ARDHMEN?PO NE SHQIPTAREVE MENDONI JU MENDJE NDRITURIT, QE PO NA SHKATERRONI NGA NERVAT ME SJELLJE PREJ ALABAKU?NE KUR DO TA THEMI FJALEN TONE?MENDONI SE C’MENDOJME NE PER NJERES PARAZITE SI JU? QE PER NE SI KOMB NUK KENI ASNJE GJE POZITIVE, NA KENI SJELLE VETEM SHKATERRIME.

  4. fredi says:

    Paskali paska edhe Parti…………..???!!!!! paska qene edhe ne koalicion……???!!!

  5. alger says:

    qe kur milo flaska ben presjon

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje