Gjergj Bojaxhi: Kriza aktuale, për pazare politike, jo për interesa të vendit

6 Prill 2017, 09:33Politika TEMA

Kreu i partisë ‘‘SFIDA për Shqipërinë’’, Gjergj Bojaxhi thekson se kriza politike në vend ka vetëm një emër; liderët e partive të mëdha politike.

Në një intervistë për Tirana Today, Bojaxhi vë në dukje se tre forcat kryesore PS, PD dhe LSI janë shkaktarët e gjendjes në të cilën gjendet vendi.

I pyetur për flirtin politik midis kreut të PD-së, Lulzim Bashës dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, Bojaxhi shpjegon se kreu i LSI-së është simboli i klasës sonë politike që kujdeset vetëm për interesat personale.

Cili është mendimi juaj lidhur me situatën politike në vend? A është e drejtë “Veto” e PD-së për zgjedhjet e 18 qershorit dhe sjellja e qeverisë ndaj krizës politike?

Besoj se tre partitë kryesore aktuale, edhe këtë herë, po shfaqin hapur prirje për të krijuar krizë në vend. Kjo nuk është hera e parë. I kemi parë shpesh se si ndryshojnë vendet mes tyre dhe sjelljet i kanë njëlloj. Kështu, ne gjendemi shpesh duke diskutuar rreth interesave të tyre politike, rreth mundësive të tyre për koalicion apo qeverisje dhe ndërkohë askush nuk merret me problemet e qytetarëve. Opinioni publik humbet tërësisht në zhurmën e pazareve të tyre, ndërkohë që problemet mbeten pa zgjidhur. Kjo duhet ndryshuar.

Si e gjykoni ping-pongun politik dhe flirtin e vazhdueshëm të z. Meta midis PD-së dhe PS-së?

Meta është simbol i kësaj klase politike. Me laps e letër, kujdeset vetëm për interesat personale dhe partiake. Interesat e qytetarëve ekzistojnë për ta vetëm te retorikat boshe. Partia SFIDA për Shqipërinë ekziston pikërisht si një shkëputje me këtë mënyrë të bërit politikë.

A mendoni se partitë e vogla do të sjellin ndonjë ndryshim në këto zgjedhje, në një kohë që partitë e mëdha e kanë humbur besimin e tyre në popull?

Po. Besoj se janë zgjidhja e vërtetë. Asnjë reformë dhe asnjë vullnet i kësaj klase politike, që i ka krijuar këto probleme, nuk mund të jetë zgjidhja. Shqipëria do të ecë përpara kur të ndryshojë ky model politikëbërjeje. SFIDA për Shqipërinë ka investuar me krijimin e saj pikërisht për të krijuar një model politik ndryshe. Jemi partia e vetme që nuk jemi krijuar nga kolltukët e politikanëve. Misioni ynë është një politikë e pastër drejt një Shqipërie që punon dhe kjo mund të arrihet me votë.

Bojaxhi, ju jeni shprehur vazhdimisht se synim për SFIDA-n është të jetë një zë i fuqishëm në Parlamentin shqiptar. Sa deputet mendoni të dalin nga zgjedhjet e ardhshme dhe cilin vend synoni në renditjen numerike të partive shqiptare ( PS, PD, LSI…)?

SFIDA për Shqipërinë nuk beson te politika bazuar në numra e shifra, por në parime. Për këto zgjedhje, ne vazhduam të mblidhnim firma edhe pasi arritëm numrin e nevojshëm për t’u regjistruar, sepse në këto zgjedhje duam të tregojmë që jemi shumë! Jemi shumë të pakënaqur nga niveli i kësaj klase politike. Jemi shumë që ndihemi të papërfaqësuar nga kjo klasë politike. Jemi shumë që mendojmë se, megjithë problemet e saj, Shqipëria ka shpresë dhe shumë potencial. Jemi gati të dalim kundër kësaj klase politike dhe të fitojmë. (Tirana Today)

2 komente në “Gjergj Bojaxhi: Kriza aktuale, për pazare politike, jo për interesa të vendit”

  1. kafe e hidhur says:

    problemi eshte qe ne shqiperi ka shume pak njerez qe dine te mendojne analizojne..ka pak kultur politike dhe liri mendimi..kane 30 vjet qe te njejtet njerez dhe te njejtat parti vetem e rrenojne dhe e shemtojne ate vend..po ai popull ben o tifozin o tregetarin..dhe ka pak shprese qe te hyje nje klas e re pollitike..ne pd kemi ende salen me nga-30 vjet ne politike..ne ps ramen me 20..lsi me 30..u provuan te gjithe ne detyra te ndryshme..prodhuan te njetat rezultate..po ik e shpegoje kete gje ne fshat e ne periferi ku difernza kulturale eshte e theksuar..zoti bojaxhi dhe dhe zoti blushi qe pretendojne klase te re a arrijne te depertojne dhe te reklamojne iden e tyre????duket e veshtire..atij vendi i shkaterruan kulturen dhe arsimin..keto jane efektet..

  2. LORA says:

    Kur e thote gjergj bojaxhiu,njohesi brilant i pazareve,qe nga 2005-a,,,,,,,,duhet besuar plotesisht
    Po kush mbeti mangut per mendte e bojaxhi kusarit ?????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje