Mbesa denoncoi hallën: Shisnim rroba në treg, djemve që kërkonin seks u gjeja vajza të vogla

6 Prill 2017, 12:38Kronika TEMA

Albana Muhaxhiri e dënuar me 9 vite burg dhe Yllka Metushi me 12 vite, janë nga Lushnja.  U vunë në pranga në vitin 2013-të, pas denoncimit që bëri në polici mbesa e Albana Muhaxhirit, I.Muhaxhiri. Ato tashmë ndodhen duke vuajtur dënimin në burgun 325 Tiranë. Janë gjatë gjithë kohës me njëra-tjetrën. Ndërsa denoncuesja, ndodhet ngjitur me godinën e tyre, bashkë me shumë vajza dhe gra të tjera që presin të dalin në gjyq.

E ndërsa Muhaxhiri pranon se ka pasur një konflikt me mbesën dhe pretendon se ai ka qenë edhe shkaku i denoncimit të saj dhe më pas burgosjes, Metushi është më e drejtpërdrejtë. Ajo rrëfen se si padashur u gjend në mesin e këtyre akuzave, ku u njoh me vajzat e mitura dhe çfarë përfitoi prej tyre.

Por si nisi historia e prostitucionit në qytetin e Lushnjës mes dy grave dhe si vazhdoi për pesë muaj me radhë? Pse mbesa e denoncoi hallën dhe ku ndodhen sot vajzat e tjera të shfrytëzuara? Të gjitha këtyre pyetjeve i japin përgjigje dy gratë e dënuara për të njëjtin objekt, “shfrytëzimin e prostitucionit” ndaj katër vajzave të mitura.

Albana sa vjeçe je, përse jeni dënuar dhe sa?

Unë jam 47 vjeçe. Jam nga Lushnja dhe jam shpallur fajtore se kam shfrytëzuar për prostitucion mbesën time minorene, në atë kohë vetëm 16 vjeçe. Unë nuk e kam pranuar asnjëherë akuzën. Megjithatë gjykata nuk mori parasysh asnjë nga deklaratat e mia në sallën e gjyqit, madje as tërheqjen e deklaratës që bëri mbesa ime. Është një histori pak e ngatërruar.

Mund të na e tregoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Unë në atë kohë njihesha me Yllkën, një shoqen time (e ka fjalën për Yllka Metushin). E kisha takuar teksa shisja rroba të përdorura. Aty ishte dhe mbesa ime. Unë kam biseduar me të dhe ajo më pas u njoh edhe me mbesën time. Kisha marrë një lokal me qira. Aty rrinim të gjitha pasi shisnim rrobat. E them edhe një herë, unë punoja gjatë gjithë kohës sa tek rrobat ashtu edhe te lokali që mora me qira. Nuk kisha lekë për të ngrënë bukë e jo më të futesha e të merresha me prostitucion.

Kush mendon se ta bëri të keqen dhe përse?

Ishte një hakmarrje e mbesës sime. Ajo u zu me mua dhe më pas më denoncoi. Një ditë mbesa u njoh me një djalë dhe pastaj iku në Durrës. Pasi u kthye ajo më tha se isha unë që e kisha futur në rrugën e prostitucionit. Por e vërteta është se mbesa ime së bashku me disa vajza të tjera mbanin lidhje me Yllkën e cila ishte kthyer në tutore.

Ju jeni së bashku me Yllkën këtu në burg. Thoni se është ajo përgjegjëse. Keni pasur mosmarrëveshje gjatë kësaj kohe, pra që nga momenti i arrestimit deri tani?

Po është e vërtetë. Ne jemi të dyja këtu në burg dhe të them të drejtën nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje. Kemi diskutuar disa herë për atë kohë. Por Yllka të flet vet për pjesën e saj.

Pas Albanës është Yllka ajo që flet për jetën e saj jashtë dhe brenda qelisë së burgut. Divorcin me bashkëshortin, pas arrestimit dhe braktisjen nga dy vajzat e saj që tashmë ndodhen jashtë shtetit. Ato kanë të njëjtën histori, pavarësisht se njëra është dënuar më shumë se tjetra.

Sa vjeçe jeni dhe sa jeni dënuar?

Jam 48 vjeç. Pasi u arrestova u deklarova fajtore dhe në vitin 2015, u dënova me 12 vite burg për “shfrytëzim prostitucioni”.  Tani ndodhem këtu deri sa të mbaroj dënimin.

Si jeni njohur me Albana Muhaxhirin, kush ju denoncoi dhe pse?

Jam njohur në tregun e rrobave të përdorura në Lushnjë. Unë jam nga Ngurrëza e Vogël dhe shkoja shpesh atje. Albana mbante me vete edhe mbesën e saj të vogël. Ishte një vajzë rreth 16 vjeçe. U arrestova pas  u kap në një hotel I.Muhaxheri, mbesa e Albanës. Ajo më nxori emrin dhe mua dhe shoqes sime.

Përse ?

Në telefonin e saj, policia gjeti të shënuar numrin tim. Por edhe kur u mor në pyetje vajza kishte thënë se isha unë me hallën e saj që e kisha futur në rrjetin e prostitucionit, pra i gjeja klient. Unë s’kisha ç’të bëja. U gjenda në këtë mes dhe e pranova fatin. Pasi bëri denoncimin në polici, vajza më pas e tërhoqi atë. Kjo gjë nuk më ndihmoi as mua e as Albanën. Kam mësuar tashmë që edhe vajza ndodhet në burg. Ajo e kishte vazhduar aktivitetin e prostitucionit edhe pas arrestimit tonë. Por pas dënimit unë ndihem e rrënuar krejtësisht.

 Çdo të thuash me këtë?

Kam mbetur e vetme. Burri më braktisi. Ai u divorcua prej meje pasi u arrestova. Ndërsa dy vajzat janë larguar jashtë shtetit. Këtu  nuk më vjen asnjë për të vizituar. Ndihem me të vërtetë shumë keq. Se kisha menduar një fund të tillë pas gjithë atyre viteve martesë me burrin.

Ju thoni se e pranuat. Mund të na tregoni se si i gjenit klientët për vajzat e mitura dhe sa fitonit?

Po ç’të të them. Unë rrija shumë në Lushnjë dhe aty tek tregu i rrobave të përdorura kisha krijuar dhe lidhjet. Kishte djem që kërkonin vajza të mitura për të kryer marrëdhënie. Ato shkonin me dëshirë jo se i çonim ne me forcë. Shkonin nëpër hotele të ndryshme dhe me çmime të arsyeshme. Nuk fitonim shumë, pasi paratë ndaheshin.

Është e vërtetë se jeni etiketuar si gruaja që drejtonte rrjetin e prostitucionit?

Nuk e di se kush e ka vënë këtë emër. Unë nuk do e quaja rrjet. Ishin vetëm katër vajza që punonin nëpër hotele të ndryshme. Ndoshta ato kanë thënë se i drejtoja unë. Por, nuk isha vetëm. Megjithatë kjo tashmë nuk ka rëndësi. Ne u dënuam për një vepër të rëndë, të cilën nuk e dinim se si do përfundonte kur e filluam. Vetëm pesë muaj punuan vajzat nëpër hotele. Dikush spiunoj dhe njëra prej tyre u arrestua. Të tjerat u kapën më pas. Të gjithë grupin e nxori I. Muhaxheri, mbesa e Albana Muhaxherit.

Marrë me shkurtime nga Shekulli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje