RAPORTI: LSI voton që Berisha dhe Zeni të merren të pandehur

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

TemA

Pavarësisht përplasjeve dhe akuzave të fundit me PS-në dhe një afrimi me PD-në, LSI ka votuar pro raportit përfundimtar të Komisionit parlamentar që hetoi privatizimin e OSSH-së nga ana e CEZ.

Raporti është votuar edhe nga Ilir Meta.

Raporti i prezantuar në Kuvend nga Taulant Balla, bën përgjegjës për shkelje të rënda Sali Berishën, ndërkohë që i biri i tij, Shkëlzeni, ka luajtur rolin e sekserit.

Këta të fundit tashmë mund të merren të pandehur nga Prokuroria, me votë edhe të LSI-së dhe Metës.

Më poshtë, pjesë nga raporti:

II.7. Deklaratat e bëra nga Nue (Nuel) Nik Kalaj publikisht provojnë rolin e tij në procesin e privatizimit të OSSH dhe njohjen e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha

Edhe pse z. Kalaj ka shkelur detyrimin e tij ligjor duke refuzuar të dëshmojë para Komisionit Hetimor, ai ka bërë publikisht disa deklarata (nëpër media dhe rrjete sociale), të cilat provuan edhe më tej rolin e tij të dyshimtë në privatizimin e OSSH-së.

Në një intervistë të dhënë për Gazetën Panorama, z. Kalaj shprehet ndër të tjerash:

“Bashkëpunimin me CEZ-in e kam të bazuar mbi marrëdhënie kontraktuale dhe ligjore. Nuk jam sekser i askujt, por kam punuar për të sjellë CEZ në Shqipëri dhe për këtë kam realizuar fitimet e mia në mënyrë të rregullt dhe të ndershme duke paguar taksat”. Dhe më tej:

“Me ish-Kryeministrin Berisha jam takuar si pjesë e delegacionit të CEZ-it kur ata kanë ardhur në Tiranë”.

Më tej z. Kalaj deklaron se ka patur një kontratë me CEZ për të mbledhur informacionet e nevojshme për nevojat që kjo kompani kishte në Shqipëri.

II.8. Verifikimi i transaksioneve bankare të kryera nga shtetasi Nue (Nuel) Nik Kalaj

Sikurse u parashtrua edhe më sipër, veprimtaria hetimore e Komisionit përfshiu edhe marrjen dhe analizimin e të dhënave bankare dhe transaksioneve të kryera nga shtetasi Nue Nik Kalaj për periudhën kohore 2007-2013.

Për këtë arsye nga ana e Komisionit u kërkua informacion nga të gjitha Bankat e Nivelit të Dytë që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë.

Në dosjen hetimore të këtij komisioni janë administruar kërkesat e dërguara zyrtarisht pranë këtyre Bankave, përgjigjet e ardhura, si dhe informacioni mbi disa llogari bankare dhe transaksionet e kryera në to.

Bazuar në dokumentacionin dhe informacionin e marrë, Komisioni Hetimor konstatoi shuma të mëdha transfertash të kryera nga shoqëria CEZ a.s në llogarinë bankare personale të shtetasit Nue Nik Kalaj.

Nga analiza e kryer mbi të dhënat bankare të këtij shtetasi, rezulton se një sërë pagesash të dyshimta në favor të tij, kanë filluar të kryhen që në muajin Janar të vitit 2008, kanë vazhduar gjatë gjithë këtij viti dhe kanë kulmuar me një transfertë prej 6.854.248 euro në datën 12 Qershor 2009.

Përveç të tjerave, vihet re se pagesat nga CEZ a.s në favor të z. Kalaj janë kryer para se qeveria shqiptare të miratonte Ligjin nr. 9889, datë 20.03.2008 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, ligj i cili edhe i hapi rrugë privatizimit të kësaj shoqëri.

Në total, shuma e përfituar nga shtetati Nue (Nuel) Nik Kalaj nga CEZ a.s sipas dokumentacionit të administruar në dosjen hetimore, është afërsisht 7 milion euro.

II.9. Mungesa e dokumenteve justifikuese për kryerjen e transaksioneve nga CEZ a.s në favor të Nue (Nuel) Nik Kalaj

Për të bërë të mundur kryerjen e një hetimi të të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm, Komisioni Hetimor, në mënyrë të përsëritur, i dha mundësinë z. Kalaj që të dëshmonte dhe të jepte shpjegimet në lidhje me rolin e tij në privatizimin e OSSH nga ana e CEZ a.s.

Gjatë deklarimeve të tij nëpër media të ndryshme, z. Kalaj ka pretenduar se shumat monetare i ka përfituar nga CEZ a.s për shkak të informacionit që ai i jepte kësaj shoqërie për nevojat e saj në Shqipëri.

Duke analizuar gjithë dokumentacionin e dosjes hetimore si dhe dëshmitë e dhëna, Komisioni ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se çfarëdolloj shërbimi të ligjshëm që mund të ketë kryer z. Kalaj në favor të CEZ a.s, nuk e justifikon përfitimin e tij prej 7 milionë eurosh. Kjo përforcohet edhe nga fakti që z. Kalaj ka përfituar nga ky proces privatizimi një vlerë monetare shumë herë më të madhe edhe sesa vetë Banka Botërore (IFC).

Kështu z. Kalaj nuk paraqiti asnjë informacion apo dokumentacion me të cilën të provonte dhe justifikonte punën apo shërbimin e kryer në favor të CEZ a.s, nuk paraqiti asnjë kontratë apo faturë ku të përcaktoheshin objekti i punës/shërbimit, kushtet, kriteret, afatet e dorëzimit etj.

Fakti që transaksioni është kryer nga një shoqëri e huaj si CEZ a.s, nuk e përjashton z. Kalaj (për më tepër një person me shtetësi shqiptare), nga detyrimi për të zbatuar legjislacionin shqiptar në fuqi.

Z. Kalaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim se cili është informacioni që i ka dhënë CEZ a.s për privatizimin e OSSH-së, në një kohë që i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për privatizimin e kësaj shoqërie u ishte vënë në dispozicion të gjitha shoqërive që ishin të interesuara në këtë procedurë privatizimi.

Duke u bazuar në gjithë provat e administruara, Komisioni dyshon se CEZ a.s ka kontraktuar z. Kalaj pikërisht për shkak të lidhjeve të forta që ky i fundit kishte krijuar me ish-Kryeministrin Sali Berisha si dhe z. Genc Ruli, ish-Ministrin e ministrisë që zotëronte aksionet e OSSH-së.

Shkeljet e bëra gjatë dhe pas procesit të privatizimit të OSSH-së, mënyra e përfundimit të kësaj gare, si dhe përfitimet e jashtëzakonshme që ka patur z. Kalaj me shpalljen fitues të CEZ, provojnë që fituesi i garës ka qenë i paracaktuar.

II.10. Lidhjet e ish-kryeministrit Sali Berisha me Nue (Nuel) Nik Kalaj dhe refuzimi i tij për të dëshmuar para Komisionit Hetimor

1. Sipas dëshmisë së dhënë nga z. Romeo Kara pranë Komisionit si dhe bazuar në një dokument të paraqitur nga ana e tij si provë, rezulton se në vitin 2006, shtetasi Nue (Nuel) Nik Kalaj ka patur mbi 100 komunikime me ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili e ka deleguar këtë çështje te ish-Ministri Genc Ruli, (në atë kohë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës). Fillimisht z. Kalaj ka patur kontradikta me z. Ruli, pasi sipas tij ish-Ministri kishte filluar tratativat për privatizimin me shoqërinë italiane ENEL Energia.

2. Në një prej takimeve, z. Nue Kalaj i ka kërkuar me forcë z. Ruli që të zbatonte urdhërin e dhënë nga z. Berisha në mënyrë që privatizimi i OSSH-së të kryhej nga CEZ a.s.

3. Pasi ka marrë garancitë e nevojshme, z. Kalaj ka lidhur kontratë me CEZ a.s me qëllim përfitimin e një tarife suksesi në rast të privatizimit me sukses të OSSH-së në favor të CEZ Group.

4. Bazuar në dëshminë e z. Romeo Kara, si dhe në dokumentacionin e vënë në dispozicion prej tij, në zbatim të Ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe neneve 153 e vijues të Kodit të Procedurës Penale,

Komisioni Hetimor kërkoi zyrtarisht thirrjen e z. Sali Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, në mënyrë që të jepte shpjegime mbi faktet dhe rrethanat në lidhje me privatizimin e OSSH-së si dhe të shpjegonte lidhjet e tij të ngushta me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj.

5. Pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit para Komisionit, ai refuzoi të bënte betimin apo të dëshmonte, edhe pse është informuar në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat dhe detyrimet e tij ligjore, ashtu edhe për pasojat ligjore që do kishte në rast të refuzimit të dhënies së dëshmisë.

Për sa më sipër, Komisioni konstaton se, ndër të tjerash, shtetasi Sali Ram Berisha, ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal “Refuzimi për të dëshmuar”.

II.11 Lidhjet e shtetasit Shkëlzen Berisha me Nue (Nuel) Nik Kalaj dhe refuzimi i tij për të dëshmuar para Komisionit Hetimor

1. Gjatë hetimit të kryer, Komisioni Hetimor ka administruar si provë, ndër të tjera, edhe një e-mail të datës 28 Janar 2010 ndërmjet Josef Hejsek dhe Tomas Pleskac, të dy këta ish-drejtorë të lartë të CEZ. Ky e-mail përbën një tjetër provë nëpërmjet të cilës del qartë roli i Nue (Nuel) Nik Kalaj si ndërmjetës midis CEZ dhe ish-Kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër kjo korrespondencë sqaron gjithashtu edhe mënyrën sesi caktoheshin realisht favoret ndaj CEZ që nga debitë, rregullimet e çmimit etj.

2. Përveç sa më sipër, Komisioni konstatoi se në këtë e-mail flitet për një takim të Nue (Nuel) Nik Kalaj me të birin e ish-Kryeministrit, takim i cili sipas Kalaj ishte shtyrë deri sa të vinte z. Berisha.

3. Bazuar në dokumentacionin e administruar në dosjen e Komisionit dhe në zbatim të Ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe neneve 153 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, Komisioni Hetimor kërkoi zyrtarisht thirrjen e z. Shkëlzen Sali Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, në mënyrë që të jepte shpjegime mbi faktet dhe rrethanat, objekt i hetimit të komisionit si dhe të shpjegonte lidhjet e tij me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj.

4. Pavarësisht se i biri i z. Berisha u paraqit para Komisionit, ai refuzoi të bënte betimin apo të dëshmonte, edhe pse është informuar në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat dhe detyrimet e tij ligjore, ashtu edhe për pasojat ligjore që do kishte në rast të refuzimit të dhënies së dëshmisë. Për sa më sipër, Komisioni konstaton se, ndër të tjera, shtetasi Shkëlzen Sali Berisha, ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal “Refuzimi për të dëshmuar”.

5. Nga dokumentacioni zyrtar i administruar si provë, dëshmitë e dhëna, si dhe duke u bazuar në faktin që shtetasi Shkëlzen Sali Berisha nuk pranoi të dëshmonte para Komisioni Hetimor për lidhjet e tij me z. Nue (Nuel) Nik Kalaj, Komisioni Hetimor i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë që të kërkojë nga ana e Prokurorisë hetimin e plotë, të pavarur e të gjithanshëm të lidhjeve të dyshimta ndërmjet Nue Kalaj me të birin e ish-Kryeministrit Berisha.

6. Përveç kësaj, Prokuroria duhet të hetojë edhe burimin e të ardhurave të z. Shkëlzen Berisha, si dhe faktin nëse ai ka shlyer detyrimet tatimore për të ardhurat e përfituara nga veprimtaria e tij, si

ndërmjetës gjatë periudhës që babai i tij ka qenë Kryeministër. Këto veprimtari që dyshohen të paligjshme, nuk mund të hetoheshin nga ky Komision për shkak të objektit të kufizuar të veprimtarisë të tij. Megjithatë, gjatë veprimtarisë të tij, Komisioni ka hasur në disa kontrata ndërmjetësimi të lidhura në favor të z. Shkëlzen Berisha, si dhe disa deklarata për pagimin e detyrimeve tatimore në vite, të cilat kanë krijuar dyshimin e veprimeve jo të ligjshme. Për këtë arsye, Komisoni është i mendimit që këto çështje t’i adresohen Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

12. LIDHJET SALI DHE SHKËLZEN BERISHA ME SHTETASIN KASTRIOT ISMAILAJ DHE SHOQËRINË DEBT INTERNATIONAL ADVISORY (DIA).

Nga dëshmia e dhënë nga eksperti ligjor i OSHEE Z. Romeo Kara por edhe nga faktet e publikuara nëpër media në vitin 2015, rezulton e provuar se shtetasi Kastriot Ismailaj ka njohje të afërta me ish Kryeministrin Berisha dhe djalin e tij dhe konkretisht:

Me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Kastriot Ismailaj, ish kyeministri Berisha ka pritur në vitin 2009 në zyrën e tij Znj. Rebecca Gaskin Gain e cila ka qenë më vonë edhe Drejtore e vetme e kompanisë DIA Ltd. Sqarojmë se shtetasi Kastriot Ismailaj aktualisht është duke u gjykuar pranë Gjykatës së Tiranës si i dyshuar për veprat penale të „Mashtrimit“ dhe „Pastrimit të produkteve të veprës penale“ .

Nga dëshmia e dhënë nga Josef Hejsek (ish menaxher i lartë i CEZ) rezulton se Kastriot Ismailaj ishte rekomanduar për të mbledhur borxhet si një aleat i ngushtë i ish kryeministrit Berisha;

Nga korrespondenca elektronike rezulton se Josef Hejsek ka dërguar te Ismailaj aplikimin e bërë te ERE për ndryshimin e cmimit të energjisë dhe ka kërkuar ndihmën e këtij të fundit.

Në rolin e Drejtorit Ekzekutiv të DIA, Kastriot Ismailaj ka punësuar Elvis Mataj, vëllain e këshilltarit të Sali Berishës.

Shtetasi Kastriot Ismailaj ka qenë kandidat për Anëtar të Këshillit Mbikqyrës të CEZ dhe përfaqësues i shtetit shqiptar si aksioner minoritar në këtë shoqëri.

Në datën 15 Nëntor 2010, Këshilli Mbikqyrës i CEZ Shpërndarje e refuzoi lidhjen e kontratës me DIA. Pavarësisht kësaj, kompania e Ismailaj ka përfituar pagesa të mëdha në vlerën e afërsisht 1.5 milion euro, pa patur kontratë. Komisioni dyshon se këto pagesa janë kryer në favor të DIA pas lobimit që ka bërë Ismailaj te ish zyrtarët të lartë të qeverisë së asaj kohe. Theksojmë se njëra prej pagesave të kryera pa asnjë justifikim nga CEZ të DIA është kryer në datën 7 Dhjetor 2010, datë në të cilën ERE ka ulur në mënyrë drastike cmimin e shitjes së energjisë energjisë nga KESH të CEZ.

Komisioni Hetimor kërkoi dhe administroi në dosje të dhënat e Sistemit TIMS të shtetasve Kastriot Ismailaj dhe Shkëlzen Berisha. Bazuar në këto të dhëna, Komisioni dyshon se të dy këta shtetas kanë udhëtuar së bashku në fund të vitit 2010 ku dhe janë akomoduar në Hotel Mandarin në Pragë, Ceki.

Komisioni ka krijuar dyshimin se lidhjet e ngushta të Ismailaj me Sali dhe Shkëlzen Berishën kanë ndikuar që më vonë DIA dhe CEZ të procedojnë me lidhjen e kontratës për mbledhjen e borxheve të datës 1 Shkurt 2011.

Komisioni Hetimor e mbështet këtë dyshim edhe në një ngjarje tjetër që ka ndodhur gjatë vitit 2011, vit kur ishte duke u zbatuar kontrata DIA-CEZ :

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 329, datë 17.05.2011, shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizime (sipas Aneksit të VKM), proçeduan me pagesën e një vlere prej 573.000.000 lekësh për llogari të CEZ Shpërndarje sh.a për detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. Këto pagesa janë mundësuar pas rialokimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit për llogari të këtyre shoqërive Ujësjellës-Kanalizime. Sipas kontratës së nëshkruar me CEZ, gati 50 % të kësaj vlere e përfitonte DIA.

V. KONKLUZIONET PËRFUNDIMTARE

Sikurse u trajtua më sipër, provohet se një sërë ish zyrtarësh të lartë të shtetit gjatë viteve 2005-2013 që do përcaktohen më poshtë, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë:

* Nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa asete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj në favor të CEZ;

* Duke ndryshuar tregues specifikë në Deklaratat Rregullatore dhe duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe imponuar ERE në vendimmarrje të kundraligjshme;

* Duke kualifikuar dhe shpallur fitues ofertuesin CEZ, në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike, të cilat ishin shpallur me parë si kritere kualifikuese, e konkretisht në shkelje të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar;

* Duke negociuar me kompaninë CEZ për nivelin e borxhit të keq që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkuruese, të përcaktuara më parë;

* Duke negociuar për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike, i panegocueshëm;

* Duke pranuar gjatë negocimeve të kryera, të gjitha kërkesat e ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mosqenies së saj e gatshme për privatizim;

* Mosvazhdimin e procesit për rivlerësimin e çmimit të shitjes, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në nenin 3.3, të MSA datë 11.03.2009;

* Favorizimin e vazhdueshëm e të kundraligjshëm të CEZ ndodhur kjo para, gjatë dhe pas procesit të privatizimit të OSSH;

Sa më sipër dëshmojnë qartë për një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar, me parregullsi dhe shkelje të shumta, duke i sjellë atij përfitime të padrejta e të pa merituara si dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe publikut, për shumën 57,931,041,292 Lekë ose 414 Milionë Euro.

Gjithashtu, Komisioni Hetimor ka konstatuar mosveprimet e strukturave përkatëse pas heqjes së licencave të CEZ e konkretisht:

* Mosveprim në drejtim të vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ sha;

* Mosveprimi për fillimin e procedurave të shpronësimit të aksioneve, kundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe për mbledhjen e dokumentacionit provues;

* Mosndërmarrja e veprimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ sha për mospërmbushje të detyrimeve të saj, të përcaktuara në kuadrin rregullator

specifik, dëmtuan rëndë pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.

Mosveprimet e mësipërme kanë qenë të qëllimshme e me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, në kuadër të përfitimeve e privilegjeve të padrejta që i ishin lejuar shoqërisë CEZ sha që në momentin e shpalljes fitues për privatizimin e OSSH, dukë lënë pezull problemet, si dhe duke i lënë atij kohë dhe mundësi për të filluar procesin gjyqësor ndaj shtetit shqiptar e duke i krijuar hapësira e argumenta për të fituar ai gjyqin.

Këto vepra penale, për vetë natyrën e tyre komplekse, janë kryer nga ana objektive nëpërmjet veprimesh dhe mosveprimesh konkrete (të cilat u trajtuan më lart), që kanë sjellë dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pasojën kriminale të ardhur.

Duke analizuar faktet e lartpërmendura, konstatohet se persona me autoritet shtetëror, pa asnjë tagër ligjor, kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me “mirëkuptim” të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE.

Për më tepër, mbi bazën e fakteve të mësipërme, konstatohet se këta persona, në tejkalim të plotë të kompetencave që u ngarkon ligji, kanë rënë dakord me CEZ në dëm të interesave të një kompanie tjetër publike, siç është KESH.

Gjithashtu, provohet se këta persona kanë vijuar me dhënien e miratimeve dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për një vendimarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s si një institucion i pavarur, i ngarkuar me ligj, për miratimin e tarifave të energjisë elektrike.

Këto veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, të urdhëruara në mënyrë verbale dhe/ose duke shpërdoruar funksionin publik atë të eprorit, detyrimisht kërkojnë kordinimin dhe bashkëpunimin midis tyre dhe personave të tjerë përgjegjës, duke qënë në këtë mënyrë, para kritereve dhe rrethanave rënduese të kryerjes së veprave penale, të parashikuara nga neni 25 i K. Penal.

Përfundimisht, bazuar në dokumentacionin e administruar si provë dhe dëshmitë e dhëna nga ana e dëshmitarëve, Komisioni Hetimor konstaton se ndodhemi përpara fakteve dhe provave të pakundërshtueshme se personat e lartpërmendur, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal.

Përsa më sipër, bazuar në nenin 22, pika 2 dhe 3 të Ligjit Nr. 8891, datë 02.05.2002 ”Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë:

I. Miratimin e Raportit Përfundimtar të paraqitur nga Komisioni Hetimor “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin nr.10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të

Shpërndarjes (OSSH) sh.a” ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s.-së, si dhe evidentimi i efekteve negative financiare, të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.”

II. Dërgimin e Raportit Përfundimtar të Prokurori i Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasve si më poshtë:

1. Sali Ram Berisha, Ish-Kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për të dëshmuar”, vepra penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.

2. Nue (Nuel) Nik Kalaj për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”, “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 287, 307 dhe 310 të Kodit Penal.

3. Genc Ruli, Ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248 dhe 258 të Kodit Penal.

4. Ridvan Bode, Ish-Ministër i Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

5. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.

6. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248të Kodit Penal.

7. Florion Mima, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

8. Enno Bozdo, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

9. Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

10. Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal;

11. Bujar Nepravishta, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

12. Sokol Ramadani, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

7 komente në “RAPORTI: LSI voton që Berisha dhe Zeni të merren të pandehur”

  1. Mamurrsi trim says:

    Po Rama e votoi se sikur nuk e pashe aty verdalle?

  2. timo says:

    Meta dhe LSI e kanë votuar se me sa duket me LLallën e kanë qepur muhabetin. Ai do ti nxjerrë të pafajshëm dhe do ta mbyllë me kaq akuzën.

  3. USA says:

    Nese duam te bejm shtet, duhet te renjoset njehr emir ne mendjen e sejcilit qytetar shqiptar nga presidenti deri tek qyttetari me i thjesht , se para ligjit te gjith jan njelloi.
    Po u kujtoi skandalin E utergejtit me ish presidentin Nikson, Skandalin Lecinski me presidentin Kinton, ku vet zoti Klinton dha
    shtat ore shpjegime, para trupit gjukus, ose shkeljet ligjore dhe ndeshkimet ndaj dy presidenteve, asaj ne Brazil dhe ne Koren e Jugut, ku jo vetem u shkrkuan nga funksjoni, por po ndiqen penalisht per abuzimetme pushtetin pa folur per raste te tjera.
    Ndersa sal berishes i renka autoriteti te jap shpjegimene nje komisjon parlamentar, qe edhe vet e ka votuar. Mbi kete baz prokuroria duhet urgjentisht ta mar nen hetim, duke pare edhe shembujt e mesiperm,
    Sali Beriishes, jo vetem sduhet ti bjer bruzi, por te deshmoi se edhe SHqiperia po hun ne ullin e vendeve demokratike, qe para ligjit jan te gjith njelloi. Prandaj kerkohet Vettingu, sepse drejtesia ka qen e varur nga politika dhe sesht mar me politikan te rnjgjeve te larta, or ka denuar fakiret doshta qe kan ber faj per mbijetes.
    Marja e Sali Berishes si ipaandhur, te birit te tij, qe lakohet ne disa ndermjeteime si ne CEZ, ne Gerdec me Fatmir Mediun ku perfitimet jan disa milionshe duhet hetuar, njelloi si per cdo qytetar, Spse kan len shije te hdhur dhe antiligjore ne thirjen per te dhen shpjegime ne komisjonin parlamentar, duke deshmuar se spyesin per ligj e maliq.
    Fakti qe ne vendin ton kan hyr milarda dollar ne forma te ndryshme, nderkoh qe SHqiperia esht vetem sa nje lagje e kryeqytetave te botes, deshmon, se milonat e dolareve, Erove dhe pasuris kombetare dhe ndihmat e nderombetareve, kan perfunduar ne xhepat e politikaneve dhe trafikanteve qe kan patur pushtet per ti menaxhar dhe per ti mbuluar vjedhjet galopante, Kete e deshmon edhe pasuria perallore qe kan ven disa qeveritar e polikane te djatht e te majt dhe sidomos femjet e Berishes, dhe te miqve te tij.duke e len SHqiperin dhe shqipteret me te varferit ne Balkan dhe Evrop. SHpresojm te k vettingu qe mbas gjyqetarev dhe prokuroreve te kooruptuar, te filloi me politikanet qe i kan pir gjakun shqiptareve.

  4. Reforma drejtesi si LSI says:

    Po e votoi Likja mori fund. Duket sikur edhe ne kete rast ka vepruar SI I KA KERKUAR VETE Berisha.

    _
    Popull naiv, vazhdon tallet Koklopa me ju. Edscobar Rama ben sikur do veting dhe ketej amnistoi korrupsionin e 25 viteve te fundit.Mos harruat plehrat?

  5. ZYBER says:

    …argjita eshte prape ……aty dhe sdo denohen….si luli….me raport mjekesor,,,,

  6. sheqerka says:

    ESHTE FORMALE PER T’i HEDHUR HI SYVE TE POPULLIT,sepse floriri Ilir me Sali baben KANE APROVUAR NJE LIGJ TJETER QE E RREZON KETE

  7. emigranti says:

    Po Ilir Metes pse nuk I del emir gjekundi?!!!!!…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *