Deklaratat pikante të Ramës, Bashës e Metës dhe zgjidhja që mungon…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë replikuar dje në distancë nga emisionet e mbrëmjes për qëndrimin e opozitës për të mos hyrë në zgjedhje pa qeveri teknike. Basha tha se pranon një takim me Ramën vetëm për qeveri teknike.

Kryeministri Edi Rama ka pranuar dje negociatat që po zhvillohen me opozitën për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. Duke folur në emisionin “Të paekspozuarit” në News24, ai deklaroi se i kishte ofruar kundërshtarit të tij politik mundësinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të diskutuar të gjitha çështjet që ai dëshiron, përfshi qeverinë teknike ashtu edhe zgjedhjet vendore. Por ai theksoi se opozita ka kërkuar që para se të takohen liderët, të diskutojnë ndërmjetësit në rang teknik. Ai edhe një herë i bëri thirrje Bashës që të ulet në tryezën e bisedimeve në çdo vend dhe në çdo orë që ky i fundit dëshiron. Nga ana tjetër, ai u shpreh i prerë se PS do të shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit edhe nëse PD dhe LSI nuk do të pranojnë. Ai ka thumbuar edhe aleatin e tij Ilir Meta, se me deklaratat e tij po i jep oksigjen çadrës së opozitës.

Nëse PD nuk hyn në zgjedhje, edhe partneri juaj kryesor Ilir Meta nuk hyn në zgjedhje. Atëherë ju vetëm nuk do hyni në zgjedhje?

Në Korenë e Veriut është një parti e vetme që hyn në zgjedhje sepse ndalohet ushtrimi i aktivitetit të partive të tjera. Në Shqipëri nuk ndalohet ushtrimi i aktivitetit të çdo partie, por nuk ka asgjë që e bën të pabarabartë garën mes partive sepse në Shqipëri zgjedhjet i administron një institucion që quhet administrata zgjedhore me në krye KQZ-në. Në 50% të tij i ka shumica dhe 50% opozita. Këtu është shumë e thjeshtë, pluralizmi është e drejta e secilit të formojë parti. Zgjedhjet janë e drejta e secilit të paraqitet para popullit me një ofertë. Por nga ana tjetër, askush nuk është i detyruar të shkojë në zgjedhje me zor nëse nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje. Partia Socialiste as nuk e diskuton fare se mund ta ndalojë kush të hyjë në zgjedhje. Kjo nuk është një protestë për lirinë e zgjedhjeve, por kjo është një protestë për të mos lejuar PS-në të hyjë në zgjedhje. PS-në nuk e ndalon dot njeri të hyjë në zgjedhje. Ne do shkojmë në zgjedhje, kush do të vijë në zgjedhje vjen në zgjedhje, kush nuk do të vijë nuk vjen në zgjedhje.

Kalojmë te pyetja tjetër….

Unë nuk e marr të mirëqenë që PD nuk do hyjë në zgjedhje. Unë kam menduar dhe mendoj që PD do hyjë në zgjedhje njësoj siç hyri në parlament kur votoi Reformën në Drejtësi, kartoni jeshil lart dhe koka poshtë. Unë kështu mendoj. Mbase e kam gabim. Unë nuk mendoj që LSI nuk do hyjë në zgjedhje. unë mendoj që Ilir Meta po bën një përpjekje nga ana e tij në vijim të filozofisë së tij, si shprehje e natyrës së tij për të stimuluar një zgjidhje të kësaj që për të është krizë politike për mua është kriza e PD-së. Por nuk mendoj që Ilir Meta nuk do hyjë në zgjedhje. Unë e mendoj. Por prapë e them që unë dhe PS nuk llogarisim se kush hyn e kush nuk hyn. Ne llogarisim vetëm një gjë, në 18 qershor do të shkojmë përpara shqiptarëve t’iu themi sa shumë kemi bërë dhe sa shumë kemi për të humbur po të kthehemi prapa. Shqiptarët me votën e tyre do vendosin. Se kush është tjetër në zgjedhje është vendimmarrje sovrane e secilit.

Meta dhe njerëzit e vetë të deklaruar publikisht reaguan se pretendimet e tij shkojnë edhe më tej se ça ka marrë në këtë qeverisje. E thonë deputetët e tij. Ministrat e kabinetit tënd thonë që Meta të jetë kryeministër…

Mos janë gjë të budallallepsur që të luftojnë në fushatë që të bëhet Rama kryeministër? Kjo është gjëja më normale në botë. Klajda Gjosha nuk ka folur si ministre e Integrimit, por si përfaqësuese e LSI-së.

Nëse Meta kërkon të jetë kryeministër do jesh i gatshëm t’ia lirosh vendin?

Nëse LSI del forca e parë, sepse ka një ligjësi demokracia, forca e parë është forca fituese. Ka një ligjësi demokracia; forca e parë është forca fituese. Kjo përkthehet në gjithë Kushtetuesen që forca e parë ka të drejtën të formojë qeverisen. Nëse del ai i pari as diskutohet kjo çështje, nëse nuk del i pari, as që diskutohet kjo çështje. Ju thatë se Meta ka pretendimet më të mëdha. Mund t’i ketë, por mua s’ m’i ka ekspozuar pretendimet më të mëdha. Se di ça ju thotë juve. Unë di që në raport me Metën sa i përket programit të aleancës për Shqipërinë europiane, që janë pikat për këtë bashkëjetese dhe për të cilin çuditërisht dhe deputetë dhe të tjerë nuk i marrin në konsideratë. Bashkëqeverisja ka qenë e suksesshme.

Si i komentoni deklaratat e Bashës dhe Metës që nuk hyjmë në zgjedhje?

Janë dy gjëra të ndryshme, unë nuk i ngatërroj. Ajo që thotë Basha është një gjë tjetër, ajo e Metës një tjetër gjë. Sa i përket asaj që thotë Lulëzim Basha unë di të them që kam dy ditë që pres një orë, një vend për t’u ulur për të folur me Lulzim Bashën, me këdo tjetër që do të marrë me vete, në çfarëdolloj formati që do ai dhe për çështjet për të cilat ai ka dëshirë të flasë, për qeverinë teknike, për datën e zgjedhjeve, për të gjitha ato që ai të flasë dhe nuk kam orë as vend. Vetëm dëgjoj që del që thotë që ky është komplot. Çfarë komploti është që i thua shprehimisht i lutem kryetarit të PD-së të vijë të flasim. Sepse nëse do dialog pa kushte 100% dakord. Ky kërkon çelësat e zyrës t’i dorëzohen te çadra se deri tani s’ka fituar asnjë betejë vetëm ia kanë dhuruar, unë i them hajde të flasim, jo thotë është komplot. Unë nuk e di se çfarë bëhet me këtë lloj krize që ju e quani politikë, por kjo është krizë nervore e PD-së. Sepse jemi në kushtet e një irracionaliteti total, nuk ka njeri normal që e kupton që opozita para zgjedhjeve thotë unë nuk hyj në zgjedhje nëse nuk ikën qeveria. Kjo është një gjë anormale. Atëherë OK hajde të flasim, të dëgjohemi, të diskutojmë dhe këtë nuk e bëjnë.

Basha ka thënë që ju ka çuar një njeri për të negociuar, ça ka ndodhur?

Unë kam rënë dakord që të ulemi në tryezë pa kushte, t’i vendosin ata pikat në axhendën e diskutimeve. Ata kanë kërkuar të vendosin qeverinë dhe datën e zgjedhjeve, unë kam rënë dakord dhe pres orën dhe vendin. Tani ç’do me thënë që përcakto një njeri që të diskutojë për atë që do diskutojmë ne. Kjo është non sens. Unë pres vendin dhe orën për të hapur dialogun politik, personat teknikë të futen në proces pasi të ketë një dialog politik dhe pasi të ketë një afrimitet për gjërat që duhen zgjidhur.

Cili është njeriu që kanë caktuar për të negociuar?

Unë e thashë që kjo është një krizë nervore e PD-së, nuk është krizë politike. Unë nuk e di fare personin. Unë di që ne jemi marrë vesh qartësisht, jam gati të vij në tryezë, më jep orën, më jep vendin dhe shëno në axhendë ça të duash. Kanë shënuar në axhendë qeveri teknike dhe data e zgjedhjeve. OK. Hajde të flasim. Po jo ky është komplot. Ore jam gati. Ja jemi këtu në emision dhe po them: Lulëzim, nesër në çadër, në qoftë se në çadër ju shqetësoj kudo qoftë, jam gati të vij me një axhendë bisedimesh ku ju i shkruani çfarë kërkoni të bisedoni, më jep orën dhe vendin. Mos ki frikë nga dialogu, sepse asgjë e keqe nuk vjen kur njerëzit ulen dhe bisedojnë.

Ti e di emrin e njeriut?

Cilin emër?

Të njeriut që ka dërguar Basha?

Po jo mo, pasi kemi rënë dakord me këtë, ka ardhur fjala që hajde përcaktojmë njerëzit për të përcaktuar dialogun. Po si ta fillojnë njerëzit dialogun, po ne për çfarë jemi këtu.

Po gjërat po agravojnë?

Po agravon kriza e PD-së, nuk po agravojnë gjërat.

Me PD është plus Ilir Meta, plus PDIU…

Jo nuk jam dakord unë fare, Ilir Meta po bën një përpjekje siç është në natyrën e tij, siç është në filozofinë e tij, siç është në linjën e tij për të stimuluar zgjidhjen e krizës siç e mendon ai. Për mua e mendon gabim, por është në të drejtën e tij ta bëjë. Për mua e ka gabim që synon ta stimulojë zgjidhjen e krizës duke i dhënë oksigjen çadrës. Sepse duke thënë që nuk hyj në zgjedhje nëse nuk hyn Luli me Saliun faktikisht, e bën Lulin dhe Saliun të rrijë atje dhe të shpresojnë që pasi kanë hapur çadrën të vijë dhe LSI të futet në çadër. Por kjo s’ka për të ndodhur se nuk është ky qëllimi i Ilir Metës dhe i LSI-së se s’ka si të jetë ky se pastaj…

Po nëse nuk vjen LSI dhe opozita vendi shkon në kolaps…

Unë s’e mendoj këtë. Unë mendoj që PD do hyjë në zgjedhje. E dyta, po nuk hyri në zgjedhje PD është zgjedhja e vet. Nuk e prodhon PD lirinë, liria prodhon opozitën. Këtu ne jemi në kushtet kur kemi mundësi të garojmë të gjithë dhe ndërkohë që për çfarë ata shikojnë se nuk është siç duhet në rregullat dhe mekanizmat ne i kemi thënë hajde na thoni. Për shembull diskutojnë numëruesit, diskutojnë aspektin e politizimit të numëruesve. Ne kemi thënë që ditën e parë që të mos kemi numërues nga partitë politike. KQZ ta depolitizojmë komplet. Çfarë duan tjetër, të dinë t’i thonë.

Të ikësh ti?

Të iki unë? Unë nuk jam… e di ça më kujton çadra se si po këta pushtuan Parkun “Rinia”, duke ndërtuar kioska e duke thënë kjo është toka e xanun e kjo është e imja. Edhe këta vendosin çadrën dhe thonë që demokracia është tokë e xanun. Pse ku jemi ne akoma në kohën kur do e bënin Shqipërinë Zvicër në anët e Lanës.

Basha: Takim me Ramën vetëm për qeveri teknike, biseda ime me Blushin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ai pranon një takim me kryeministrin Rama vetëm nëse ky i fundit vjen me një vullnet për t’i dhënë zgjidhje krizës. Për Lulzim Bashën vullnet në këtë rast do të thotë diskutim për qeverinë teknike dhe mandatin që ajo do të ketë.

“Dy rrugë ka, ose debat politik për një qeveri teknike ose rruga e përballjes qytetare nuk do ndalojë deri sa të realizojë qëllimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme…”, -tha mbrëmë Basha. I pyetur disa herë nga gazetari Blendi Fevziu se ç’do të thotë përballje me qytetarët, Basha tha se ajo nënkupton faktin se “opozita nuk do të lejojë një proces zgjedhor farsë të diktuar nga krimi dhe kriminelët”.

Moslejimi i zgjedhjeve, sipas kreut të Partisë Demokratike, do të thotë mos zhvillim të tyre “me të gjitha format dhe mënyrat demokratike të mosbindjes civile”. Një nga provat për opozitën do të jenë edhe zgjedhjet ne Kavajë. “Në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje…Do ta pengojmë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, paqësore dhe europiane të cilat do të diskutohen…”, -tha Basha. Kryetari i opozitës ka qartësuar disa herë mbrëmë se opozita është fleksible në kërkesat e saj, duke këmbëngulur se fleksibiliteti i një marrëveshjeje të mundshme do të ishte “qeveri teknike pa Edi Ramën kryeministër”. “…Takim për sy e faqe nuk ka për të pasur…”, – këmbënguli ai.

Basha informoi se dy ditë më parë Rama përmes të deleguarit të tij kishte rënë dakord që të diskutohej për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj të fundit, por dje në mënyrë krejt të papritur pala nga Rama kishte ndërprerë kontaktet. Basha tha se për takimin mes tyre nuk ka ndërmjetës nga ndërkombëtarët edhe pse nuk u shpreh kundër.

“…Nuk kemi kërkuar garant ndërkombëtarët, por kjo nuk do të thotë që nuk e mirëpresim…”.

Basha la të kuptojë gjithashtu se edhe nëse ngrihet një qeveri teknike ajo e ka të vështirë të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme me 18 qershor.

“Në gjykimin tim ka shumë pak kohë për t’u përmbushur parametrat që ka shtruar Partia Demokratike. Sa më shumë të rrijë në zyrë Rama aq më shumë do shtyhen zgjedhjet. Në momentin e parë që përmbushen objektivat e ngritur nga PD në lidhje me dekriminalizimin, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do ketë zgjedhje”, ­tha ai.

Në këndvështrimin e Bashës, mbi të gjitha zgjedhjet janë çështje standardesh. “Për mua nuk është çështje kohe, por standardesh. Nëse qeveria teknike ka mundësinë që të përgatisë në kohë zgjedhjet unë jam dakord që ato të mbahen më afër, por sa më shumë që shtyhet kjo kohë aq më shumë zvarritet çështja…”.

Kryetari i opozitës e ka të qartë edhe konfigurimin e qeverisë teknike në rast se ajo ngrihet. Sipas tij, pjesë e saj duhet të jenë njerëz jo aktivë në jetën e partive politike që gëzojnë reputacion. Ai u pyet edhe për çështjen e Presidentit, për të cilën, Basha tha se është sekondare për diskutim sa kohë që kërkohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Nuk jam i gatshëm që të diskutoj për çështje që nuk janë objekt i aktualitetit politik…”, -tha ai.

Basha qartësoi disa herë mbrëmë se stafi i tij është gati që të përgatisë një axhendë për diskutim që do të ketë si objekt qeverinë teknike dhe mandatin e saj. Sipas Bashës, Rama e kishte një shans para një viti për zgjedhjet e ardhshme, porse ai shteroi të gjitha mundësitë institucionale. Për pasojë, kryetari i opozitës hodhi poshtë çdo aludim që opozita mund të futet në Kuvend për të votuar një mocion mosbesimi ndaj Ramës.

I pyetur për këtë çështje, Basha u përgjigj: “Ne kemi zgjedhur rrugën tonë në funksion të interesit publik…”. Një përgjigje Basha e kishte edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha i cili dje në faqen e tij në Facebook kishte hedhur disa propozime se si mund të arrihet te qeveria teknike. “Ky është mendimi i zotit Berisha. Qëndrimi zyrtar i PD-së është ai që shpreha unë…”, -tha ai.

Basha mohoi gjithashtu që të ketë një marrëveshje mes Berishës dhe Ilir Metës. “…Nuk ka asnjë marrëveshje. (Ai) nuk ka marrë mandat të lidhë marrëveshje me Metën dhe as me Ramën…”, -tha Basha. Kryetari i PD-së tha gjithashtu se nuk e kishte takuar Metën pas propozimit të këtij të fundit. Për formatin e bisedimeve, Basha nuk kishte objeksione duke shtuar se ajo mund të zhvillohet edhe me aleatët. Basha foli mbrëmë edhe për Ben Blushin. Kreu i demokratëve tha se kishte telefonuar kreun e LIBRA­s, Blushin në kohën kur ai dha dorëheqjen nga Partia Socialiste ndërsa e ka përgëzuar për vendimin e marrë, që sipas tij ishte i duhuri.

Meta: Kujdes me opozitën, nuk ka ç’të humbasë. Retorika e Ramës, shqetësuese

Për Ilir Metën vendi ndodhet në një situatë delikate që kërkon zgjidhje të shpejta. Këtë shqetësim e ka theksuar Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në intervistën që dha mbrëmë për emisionin “Arena” në televizionin Ora News.

“Jemi në një moment delikat, ndryshe nga zgjedhjet e tjera, ky moment përkon me zgjedhjen e presidentit dhe jo vetëm kaq, por qëllon në një moment kur jo vetëm na duhet të krijojmë institucionet e reja të drejtësisë, por po skadon afati i institucioneve të vjetra dhe mund të krijohet një vakum institucional që mund të fusë në kolaps vendin dhe mund të zhvlerësojë çdo reformë që kemi arritur. Kjo është e panevojshme dhe askush nuk ka luksin të bëhet pjesë e saj”.

Jo zgjedhjeve pa opozitën

Meta e sheh të pakuptimtë mbajtjen e zgjedhjeve pa opozitën. “Nuk është çështja që ka zgjedhje pa opozitën. Nëse ne diskutojmë këtë gjë diskutojmë nëse jemi një vend europian apo jo. Ne vëmë në  pikëpyetje nëse jemi anëtarë të NATO-s dhe i japim fund çdo shprese për çeljen e negociatave në BE dhe rikthejmë Shqipërinë në ‘96. Unë nuk dua ta shikoj këtë gjë, por duhet ta kujtoj që mos të shkojmë në një drejtim të paditur. Nuk ka asnjë arsye që ne të fusim Shqipërinë në një sfidë të panevojshme nga e cila askush do të fitonte dhe unë besoj që Rama dhe Basha si dy aktorë politikë do të reflektojnë, do të ulen dhe do të marrin përgjegjësitë që iu takojnë dhe vendi të shkojë në zgjedhjet që i meriton”, -tha Meta. Sipas kreut të Kuvendit, “Mazhoranca jo vetëm që ka përgjegjësinë e zgjedhjeve, por në planin pragmatik nuk ka arsye për të pasur shqetësim nga krijimi i garancive maksimale për opozitën për të marrë pjesë në një proces të tillë, duke qenë se kjo është një mazhorancë mjaft e gjerë, e cila është mjaft e qetë për një rezultat bindës dhe një rikonfirmim bindës. Ndërkohë që opozita nuk ka çfarë të humbasë dhe duhet pasur kujdes me dikë që nuk ka çfarë të humbasë sepse nga injorimi mund të bëjë veprime që mund të dëmtojnë të tërë. Është përgjegjësi e mazhorancës që të tregojë gatishmëri për zgjedhje të lira dhe legjitimitetin e pushtetit të saj në të ardhmen, sepse pa opozitën nuk ka legjitimitet një proces”.

Zgjedhjet dhe Reforma në Drejtësi

Reforma në Drejtësi është e kushtëzuar nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Për Metën lidhja mes zgjedhjeve e reformës është organike sepse pa to nuk ka se si të funksionojë sistemi i drejtësisë. “Nuk ka Reformë në Drejtësi pa zgjedhje të lira e të ndershme, pasi nuk ka se si të funksionojë sistemi i drejtësisë pa to”, deklaroi Meta. Ndërsa për deklarimet e kryeministrit se opozita është në protestë për të shmangur Reformën në Drejtësi, Meta tha: “Reforma në Drejtësi është dëmtuar rëndë në besueshmërinë e saj. Edhe Rama ka përgjegjësinë e tij për retorikën e përdorur gjatë kohës, para dhe pas ndryshimeve kushtetuese, kur them Rama jo vetëm ai. Unë kam përjetuar një situatë absurde tre muajt e fundit përpara ndryshimeve kushtetuese dhe këtu mund të flas hapur”.

Qeveri besimi

Qëndrimin e LSI për një qeveri besimi Meta e shikon si zgjidhjen e duhur. Sipas tij nga ky propozim e habitur ka mbetur edhe opozita, pasi ajo nuk ka qenë e përgatitur dhe nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për çështjen e dialogut. “Qeveri besimi nuk do të thotë që patjetër duhet të ikë kjo qeveri që të vijë një qeveri tjetër. Qeveri besimi do të thotë që nëse kjo qeveri jep garanci dhe jep besim për zgjedhjet duke plotësuar një pjesë të mirë të kërkesave të mundshme të opozitës, kjo është një çështje”.

Pyetjes se a mund të mbetej Rama kryeministër, Meta iu përgjigj: “Patjetër! Shqetësimi im ka qenë se retorika nuk ka qenë ndihmuese. Secili ka mbajtur qëndrimin e vet. Pra diçka që nuk sjell pikë takimi, por vret kohën drejt një konflikti apo drejt një krize dhe në këtë drejtim ne duhet të kemi këtë dialog. Ajo që është e vërtetë është se opozita e ka pasur të panegociueshme votimin elektronik, sepse i donte si garanci që këto çështje të merrnin një zgjidhje dhe i është premtuar nga ana ime, por edhe nga faktori ndërkombëtar i është thënë që do t’i shohim të gjitha, por të shohim këto çështje të tjera. Tani më e rëndësishmja është të shpëtojmë zgjedhjet”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Deklaratat pikante të Ramës, Bashës e Metës dhe zgjidhja që mungon…”

  1. ValeRossi says:

    Sa Me Pare Palet Duhet Te Arrijne Ne Nje Dialog Ku Shqiperia Mos Te Njohe Ngerrc Politik…Dhe Nje Here Z. Edi Rama e Komfirmon Qe Esht i Gatshem Per Dialog Duke Qene Se Ai Don Qe Shqiperia Te Ece Perpara Dhe Do Te Shihet Se Populli Do e Votoje Prap me 18 Qershor Me Zgjedhje Te Lira e Te Ndershme…Perpara Edo

  2. alpin says:

    krimineli do kriminelin … ajo cader do ishte mbyll me kohe po te mos ishte per oksigjenin e tyre Meta …

  3. vasi says:

    Duhet te arrihet nje konsensus i perbashket midis paleve politike , Z.Edi Rama eshte ne rrugen e drejte , ne rrugen ku populli shqiptar ka nevoje , me ose pa opoziten , ne do ti bejme ato zgjedhje ,te drejta dhe te ndershme , eshte opozita ajo qe duhet te marre vendim dhe te pranoje dialogun me z.Rama

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *