Kërkohet në Gjermani e Angli, por Hysaj nuk do bëhet një “Higuain i dytë”

8 Prill 2017, 15:43Sport TEMA

Elseid Hysaj nuk do të kërkojë vetë të largohet nga Napoli në verë, ndonëse ka shumë skuadra që interesohen për të nga Anglia dhe Gjermania.

Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare duket se synon që të qëndrojë edhe një vit nën urdhërat e Mauricio Sarrit, me shpresën që të kurorëzojë ëndrrën e tij, titullin kampion në Serinë A.

“Ka vëzhgues të ndryshëm që e ndjekin, skuadra gjermane apo angleze. Por nuk e kemi me ngut të largohemi nga Napoli”, shpjegoi Mario Xhiufredi, menaxheri i futbollistit për “Radio CRC”.

“Elseidi është në vitin e dytë në Napoli dhe mendoj se mund të paraqitet mirë edhe sezonin e ardhshëm këtu. Pastaj edhe vetë djaloshi ka dëshirë që të luftojë për titullin, ndaj vullneti i Hysajt përputhet me atë të Napolit”, shpjegoi ai duke konfirmuar kësisoj se as Napoli nuk ka ndër mend të shesë lojtarin në verë.

Sigurisht, për Hysajn është e lehtë të largohet sepse ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh në kontratë dhe nëse një klub i rëndësishëm e paguan këtë shifër dhe gjen akordin me futbollistin, gjërat mund të ndryshojnë. Por Hysaj nuk dëshiron të kujtohet si një “Higuain i dytë”, shkruan “Panorama Sport”.

“Hysaj ka një klauzolë largimi dhe nëse vjen ta paguajë ndonjë klub i interesuar, lojtari edhe mund të largohet. Por nëse një gjë e tillë do të ndodhë, do të lajmërojmë Napolin për gjithçka dhe nuk do të ndërmarrim veprime të tjera pa lajmëruar klubin”, shpjegoi Xhiufredi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje