Kodheli në Austri, takim me homologun Doskozil dhe kreun e OSBE. Në fokus Kosova, Siria, misioni në NATO dhe zgjedhjet

8 Prill 2017, 11:00Politika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë zyrtare në Austri, me ftesë të ministrit Federal të Mbrojtjes dhe Sporteve të Austrisë, Hans Peter Doskozil.

Ministrja Kodheli nuk e fshehu kënaqësinë për vizitën në Vjenë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Austria ka dhënë historikisht për vendin tonë, që nga shpallja e pavarësisë, deri në procesin e integrimit evropian.

Në qendër të takimit mes dy ministrave ishte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, për të cilin u nënshkrua dhe Plani Bilateral i Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Austrisë për vitin 2017, i cili parashikon forcimin e bashkëpunimit dypalësh në trajnim dhe arsimim.

Ministrja Kodheli e cilësoi Austrinë si një partner të veçantë të NATO-s,dhe e falënderoi homologun Doskozil për rolin e vendit të tij në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR.

Pjesë e bisedës ishin dhe sfidat e sigurisë gjatë viteve të fundit, siç është kriza e refugjatëve, për të cilën ministrja Kodheli tha se “Shqipëria nuk është përfshirë masivisht në rrugët e kalimit të refugjatëve drejt Evropës Qendrore, por ne jemi të gatshëm për të ndihmuar. Dhe po ndihmojmë”. Kodheli përmendi pjesëmarrjen e vendit tonë në operacionin e NATO-s në detin Egje, me qëllim parandalimin e fluksit të emigracionit të paligjshëm, me anijen “Oriku”, e cila jo më larg se dje e bëri këtë gjë me një gomone me 60 persona në bord.

Pas takimit tête-à-tête dhe të dy delegacioneve, dy ministrat iu përgjigjën edhe interesimit të mediave, jo vetëm për çështjet e sigurisë në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë.

Ministrja Kodheli dënoi ato që ajo i quajti “provokime në kufijtë e një shteti të pavarur si Republika e Kosovës”, duke theksuar qëndrimin e Shqipërisë për këtë çështje, si një vend anëtar i NATO-s.

E pyetur për zhvillimet më të fundit sa i përket krizës në Siri, ministrja Kodheli dënoi me forcë përdorimin e armëve kimike, të cilat siç tha ajo, “janë një problem shqetësues për të gjithë, pavarësisht se ku përdoren, si një armë rreptësisht e ndaluar nga të gjitha konventat e Kombeve të Bashkuara.”

Gjatë vizitës së saj në Vjenë, ministrja Kodheli u prit në një takim edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Lamberto Zannier, me të cilin diskutoi për zhvillimit aktuale politike në vendin tonë.

Zyra e OSBE Tiranë: Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së takohet me ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, u takua me ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, gjatë vizitës së saj dypalëshe në Austri.

Sekretari i Përgjithshëm dhe ministrja shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, si dhe diskutuan për bashkëpunimin e Shqipërisë me OSBE-në.

Zannier ripohoi mbështetjen e fortë të OSBE-së për reformat e nisura në Shqipëri dhe gatishmërinë e Organizatës për të vijuar të ndihmojë procesin zgjedhor në vend, ndër të tjera edhe përmes vëzhgimit të zgjedhjeve të ardhshme kuvendore.

 Sekretari i Përgjithshëm solli ndër mend kontributin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për shkatërrimin në mënyrë të sigurt të municioneve konvencionale të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme në vend dhe shkëmbeu pikëpamje me ministren për sfidat transnacionale, përfshirë sigurinë kibernetike, dhe për mënyrat se si mund të ndihmojë OSBE-ja në trajtimin e tyre.

 Ministrja Kodheli e falënderoi Organizatën për mbështetjen e saj të vijueshme për vendin.

Albanien

Albanien

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje