Qeveria do të falë 25 mijë m² dhe taksat për 15 vjet për kullën në Tiranë

Qeveria po përpiqet të firmosë një kontratë ku i fal privatit 25 mijë metra katrorë tokë dhe taksat për 15 vite në zonën e re të zhvillimit të Tiranës.

E gjendur përballë kërkesave kushtetuese, ku përjashtimi nga taksat duhet të kalojë patjetër në Kuvend, qeveria ka propozuar një projektligj ku kërkon që deputetët t’i japin asaj të drejtën të negociojë me një kompani arabe për ndërtimin e një kulle me një investim prej 250 milionë dollarësh.

“Panorama” zbardh kërkesën e qeverisë, që ngjan me një dhuratë të madhe, në një nga zonat më atraktive të Tiranës, bulevardin e ri. PROJEKTLIGJI Duket se ka qenë Bashkia e Tiranës e interesuara e parë për këtë investim.

Në projektligj theksohet: “Kompania ‘Al Habtoor Investment LLC’, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me seli në Dubai, ka shprehur interesin pranë Bashkisë Tiranë për realizimin e projektit ‘Kulla Ikonike’, në Tiranë, një investim, i cili kap shifrën rreth 250 milionë dollarë.

Ky projekt ka të bëjë me ndërtimin e ‘Kullës Ikonike’, në zgjatim të bulevardit të ri të Tiranës”. Deri këtu duket si diçka normale. Një kompani e huaj, që kërkon të investojë në Tiranë një shumë marramendëse parash. Por pse duhet Kuvendi? Pikërisht kërkesat e kompanisë e tejkalojnë tagrin e Bashkisë së Tiranës

Duhet një pakt më i madh, autorim nga Kuvend për dy kërkesa të tjera të “Al Habtoor Investment LLC”. “Në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi e një sipërfaqeje prej 25.000 m², të një parcele trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri në Tiranë, në këmbim të një sipërfaqeje ambientesh në favor të Bashkisë Tiranë, përjashtimin nga taksat doganore, TVSHja, tatimi mbi fitimin apo çdo lloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare.

Për të gjitha këto parashtrime më sipër, në lidhje me përfitimet që përfaqëson realizimi i këtij projekti për ekonominë shqiptare, si dhe për të qenë transparentë në këtë proces, kërkohet tagri për fillimin e negociatave me kompaninë e sipërpërmendur, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të favorshme për të dyja palët”, thuhet në projektligjin e qeverisë.

Si do negociohet

Qartësisht kërkohet falja e tokës dhe përjashtimi për 15 vite të Por kush do të negociojë? Edhe këtë projektligji e ka zgjidhur. “Me anë të këtij projektligji autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,

Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Avokatura e Shtetit për fillimin e negocimit të marrëveshjes për realizimin e këtij projekti”. Këto institucione do të duhet që brenda 30 ditësh nga miratimi i këtij ligji, të paraqesin një raport të detajuar për projektin. “Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Financave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh nga data e paraqitjes së raportit, shprehen nëse janë dakord ose jo me propozimin e paraqitur.

Nëse ata janë dakord, vijojnë me procedurat e miratimit në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend. Nëse ata nuk janë dakord, ia kthejnë Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes, me vërejtjet përkatëse”. Sipas projektligjit, do të jetë sërish qeveria dhe Kuvendi që do të vendosin për projektin.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Qeveria do të falë 25 mijë m² dhe taksat për 15 vjet për kullën në Tiranë”

  1. 1l says:

    po pse duhet fal toka? pse nuk shitet me rregullat e ekonomis s tregut? si n amerik.

  2. nuk ka tym pa zjarr says:

    Kulla ra apo zenfazlliq

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *