FOTOT/ Patos+Enver...

11 Prill 2017, 11:30Sociale TEMA
FOTOT/ Patos+Enver...

Nga Elidor Mëhilli

Në këtë variant të historisë, unë jam shtatë vjeç (mbase tetë), në prag të dritares së hapur, me këmbët që më varen jashtë. Shtëpia është e gjyshërve — Patos! Pallati është nga ata të hershmit, nga ata të viteve spartane të pasluftës, i ngushtë, suvangrënë, me pak kate, përgjithmonë në një gjendje gjysëmrrënimi.

Apartamenti është në katin e parë, dhe ky fakt është i rëndësishëm. Do të thotë se, në ndryshim nga katet më lart, shtëpia gjyshërore ka bahçe>. Dhe bahçja, hapësirë që mua më duket e madhe, është edhe kulmi i kënaqësisë gjatë ditëve në Patosin përndryshe jo aq interesant (shënim: përveç likosë së shalqirit ruajtur me rigorozitet jugor në dollap).

Bahçja është aventurë. Vlen të sqarohet, megjithatë, se aventura ime është e kontrolluar, ngaqë bahçja rrethohet nga një gardh i trashë (sepse ca çunave nuk u jepej të përziheshin me çunat e rrahur me vaj e me uthull që burrërroheshin rrethinave të socializmit, paçka se ndonjë përballje s’mënjanohej dot, as në Patosin periferik, as në Fierin militant, po sidomos, vite më vonë, gjatë rritjes nën hijen e parafabrikateve populluar me kuç e me maç, në një sqetull urbane të kryeqytetit.)

Dua të them se historia e fëmijërisë qytetare në Shqipërinë e viteve ‘80 është edhe histori e politikës së punës, e shpërndarjes së roleve familjare sipas planit (d.m.th. nga halli). Në këtë kuptim, roli strategjik i gjyshërve mund të kuptohet edhe si një lloj dritareje që hapej e mbyllej midis sistemeve shoqërore, përveç se edhe si lubrifikues gjeneratash. Përndryshe, kur gjyshërit ishin larg, ose nuk ishin fare, fëmijëria ngrihej a rrëzohej, sipas vendit dhe rastit, larg rregullave familjare, sipas kanunit të pamëshirshëm të oborrit të pallatit.

Pa u zgjatur shumë: ky ishte qytet punëtorësh. Mirëpo, të tjera të dhëna për një vend-banim si ky—me punëtorë që kanë bahçe; një pjesë domosdoshmërisht proletare, pjesa tjetër me trungun ende pagabueshmërisht në fshat—nuk janë fort të qarta. Kur nisi të ndërtohej?

Përgjigjen e kërkoj tek autoriteti i ndriçuar i kombit: Akademia e Shkencave. Ajo më thotë se qyteti filloi të ndërtohet në vitin 1947 (duke shtuar, sjellshëm, se Patosi kodrinor përfshin fshatrat Banaj, Dukas, Grizë, Kuqar, Margëlliç, Rusinjë, dhe Rrerës).

Të tjera burime më thonë se ndërtimi daton në vitin dramatik 1949. Të tjerë akoma, nga ata që kanë kaluar tërë jetën atje, dhe që s’e rruajnë fare për Akademinë e Shkencave, flasin për fillim-vitet ’50.

Ç’të bësh? Tek ne, datat kanë qenë punë e sikletshme. Të fiksoje interpretimin historik mbas tyre (përveç datave me gërma floriri që stolisnin vëllimet-tulla të Partisë) do të thoshte t’i hapje punë vetes. Ngaqë historia riorganizohej ritualisht, mund të ndodhte që datat që deri dje patën qenë shumë domethënëse nesër të cilësoheshin si fare të parëndësishme, madje të dënoheshin si të rrezikshme. Kështu, historia jonë nuk është fiksuar me data, por me kundërdata dhe me datasherre.

Sidoqoftë, ca fakte për Patosin pothuaj-legjendar ka. Ja një: Aty nga vitet ’20 në Patos u zbuluan rezerva nafte. Dhe nafta u lidh pazgjidhshëm me zanafillën e këtij vend-banimi fshataro-urban, siç u lidh edhe me jetët që vunë rrënjë aty në vitet ‘50. Të tjera zbulime pasuan; nafta e Patos-Marinzës mbuloi shumë jetë me lavdi, siç edhe shkatërroi jetë të tjera, sepse për një Parti Pune që përplasej gjeopolitikisht shkëmb pas shkëmbi nafta ishte edhe një shpresë e madhe rrëzëllitëse për ndonjë grusht petro-dollarësh (dhe, rrjedhimisht, lloj-lloj punësh armiqësore).

Sigurisht mua atëhere ideja se nën bahçe mund të vlonte e uturinte një llum i zi përvëlues më dukej alarmuese, siç më shqetësonte edhe ideja e hapjes së puseve. Të bije në pus ishte nga tmerret më të mëdha të imagjinueshme për një fëmijë që kishte kaluar sadopak kohë në fshat. Atje, në fshatin ku pati lindur tim atë, unë një herë kisha hedhur një kovë me litar në pus, dhe kova s’dihej ku kish humbur (d.m.th. me siguri kishte pëfunduar në anën tjetër të globit, diku në Kinë, shumë kohë pas sherrnajës tonë heroike me Deng-un).

Kur thua se Patosi ishte qytet punëtorësh zëre se ke thënë që ishte qytet të ardhurish. Dhe të ardhurit ishin nga shumë caqe: nga fushat e skuqura të Myzeqesë; nga rrethinat e hirta të Fierit; nga kthesat-rrëpirë vlonjate mbi Jon—prej ku kishin ardhur edhe të mitë nga ana a mamasë. Patosi ngrihej si koleksion demografiko-utopik: fshatarë dhe qytetarë, minoritarë dhe vendas, të tërë bashkë, të tërë pasqyrim ballëlartë i bashkëjetesës.

Në vitin revolucionar 1969 Patosi kishte 8400 banorë. (Qytet përmasash të vogla, pa thepisje.) Ndërsa në vitin 1981 (vit lapidar për mua, i dashur lexues) në Patos u ngrit Instituti i Projektimeve Teknologjike të Naftës e Gazit. Fjalori Enciklopedik i Akademisë së Shkencave më dhuron edhe një të dhënë tjetër të vyer: “Ka bibliotekë”.

Të them të drejtën, unë bibliotekën nuk e mbaj mend. Por mbaj mend sallën e shtëpisë së kulturës, dhe e mbaj mend kryesisht bosh, siç mbahej e papërdorur diçka për raste. Thuhej se në atë sallë bëheshin mbledhje të rriturish, nga ato të lodhshmet, nga ato të frikshmet, ku përpunohej auto-kritikë e thellë marksiste, ku përlesheshin të vdekshmit e naftës dhe gazit nën vështrimin e zotëve ardhur nga mikro-borgjezia e Bllokut tiranas. Por më shumë se kaq s’di të them.

Kështu pra, më mungojnë të dhënat e plota për një histori të thellë patosiane. Sidoqoftë, në këto kushte jo fort premtuese, një histori e pjesshme mund të organizohet edhe rreth këtyre koordinatave: jug-veri (fshatrat e mbledhur për të bërë qytet) dhe lart-poshtë (pushteti dhe nafta). Patosi ishte njëfarë pikëtakimi. Patosi socialist, si përkim shtresash shqiptare, na fton ta shohim të kaluarën edhe si nyje të papriturash, dhe vetë socializmin si pikëtakim të shkuarash që mund të kishin qenë.

Për shembull, mund të mos kishte patur fare Patos. (VIJON)

PATOS + ENVER I

5 komente në “FOTOT/ Patos+Enver…”

  1. GjergjZ says:

    Nuk kuptova asgje nga artikulli. Mos ka ardhur i paplote? Autori u rrit ne Patos, luante tek bahcja, Patosi ka nafte, qyteti ka banorë, mund te mos kishte Patos…gjeni sa vagona kishte treni. Edhe fotot jane pa lidhje me artikullin.

  2. albpetroli i shndruar ne rrumpall says:

    Nuk ke faj ti Elidor qe je i hallakatur ne kete shkrim, ndersa po ashtu jane edhe permbajtjet dhe nenpermbajtjet e hallaktjeve te tua. Ti je rritur ne nje situate rrumpalle, brenda nje shoqerie e cila u la ne mes te kater rrugeve si pasoje e politikes qe u ndoq, vecanerisht per Naften dhe naftetaret-shumica e te cileve u hodhen ne rruge. Ke te drejte te jesh i tille kur shikon se Qytetit te Ri te Patosit i mungoi truri dhe shpirti, qe ishin inxhinjeret e tekniket e talentuar te Naftes, iu largua shumica e intelektualeve dhe banorve qe e themeluan Patosin.
    Fatkeqsisht, ti Elidon perdor sarkazem dhe te paverteta per te kaluaren, megjithese nder rreshta pohon se je i paditur (i painformuar) per Te.
    Une po te shkruaj per Biblioteken Tekniko-Shkencore te Naftes, nje nga pasurite e Qytetit te Ri Patos. Ishte e dyta ne Republike, pas Bibliotekes Tekniko-Shkencore te Universitetit te Tiranes, por me duhet te pohoj se Literatura e Naftes, e specialiteteve te cdo dege te Saj, ishte e para ne Republike. Pasurimi me libra i kesaj Biblioteke behej me kerkese te specialisteve te talentuar dhe frekuentues te Saj, vinin libra nga e gjithe Bota.
    Kam pasur fatin qe ne moshe te Re, dhe ne vazhdim – kur Biblioteka ishte ne funksion te plote, e kam frekuentuar dhe me ka ndihmuar ne formimin tim. Nuk mund te harroj punonjesit e Saj, por edhe shume intelektuale te spikatur te cilet u bene nje shembull frymezimi .
    Nuk te bej me faj Elidor per kete shperqendrim te mendimeve, sepse eshte e vertete qe Patosi ka humbur identitein e vet. Ndermarja me e madhe qe ka punesuar qytetaret e Patosit jane Bashkia dhe Komunalja e Bashkise, pas Bashkise vijne Fasonet e Astritit dhe Nimetit, dhe ne fund vjen Albpetroli.
    Por besoj se duke grumbulluar informacionin qe te mungon, do te njohesh te kaluaren e bukur te qytetit tend te lindjes, do te shkruash bukur dhe admirueshem per Patosin.

  3. Sparetaku says:

    Nje shkrim rrumpal si ky nuk kame lexuar ndonjehere.Po mire more zoteni,kur nuk ke te dhena te plota,pse e fillove fare kete historik? Nje shkrim bajat,pakuptim.

  4. Naftetar i vjeter says:

    Ti mor “karabush” sic duket nuk njeh as vehten tende dhe jo Qytetin e Patosit.
    Perpara se te flasesh per ate Qytet ,duhet te pyesesh njerez me nivel dhe kulture
    te larte qe kane jetuar ne nje nga vendet me nivelin me te larte intelektual te kohes.
    Por te besh hartime fshati nuk eshte ndonje merite e madhe.
    P.S. ” Sa per kulture ” ky Qytet ka patur Biblioteken me te madhe Tekniko Shkencore ne
    Ballkan. Pyet nje here mamin se mbase e di se gjysherit te paskan shkuar per lesh.

  5. Dashnor Kozaj says:

    Elidor , do te ishte me mire qe kete teme ta kishin shkruar , Hilli me Neten, se ata jane naftetar dhe banor te ketij qyteti. Nuk ke shkruajtur asgje, ka shume pasaktesi. Sidomos ,per sa i perket biblotekes tekniko – shkencore, ishte nje institucion i mirefillte mesimi dhe studimi , . Pyete me me hollesi Hillin , se do te te tregoj shume me shume , se sa ke shkruar . Patosi , ishte nje qytet naftetaresh, qe zinte vendin e dyte ne Shqiperi ,per numrin e te shkolluarve, ( shkollat e larta ), ne nivel me popullsine e qytetit dhe vinte pas Tiranes. etj …………..etj………. Nuk e di se si je sot , poor une te mbaj mend kur ishe i vogel , si nje cun bjond dhe simpatik , qe nuk ke lidhje me patosin dhe vlerat e tij, si qytet …………….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje