Të luftosh për lirinë e Gruevskit

11 Prill 2017, 18:43Blog TEMA

Nga Baton Haxhiu

A është Maqedonia nën presionin e rrënimit dhe fundit të saj?

Duket se është fjali e rëndë dhe patetike, por esenca e rrënimit, nëse ndodh, bie mbi supet e njeriut që dëshiron ta shpëtojë veten duke e shkatërruar Maqedoninë.

Njerëzit nëpër rrugë të Maqedonisë kanë dalë për ta shpëtuar një diktator dhe një regjim, por jo Maqedoninë dhe lirinë e saj që po kanoset, kinse, nga një platformë shqiptare e Tiranës.

Dhe këtu qëndron gabimi! Maqedonasit nuk po rrezikohen dhe nuk e kanë as afër rrezikun e lirisë nga Tirana. Përkundrazi. Ata na rrezikojnë të gjithë neve në Ballkan në emër të një ideje që nuk rrezikon asgjë. E cila vetëm sa e ruan Maqedoninë.

Mund të kuptohet frika që është ngritur në Maqedoni, por nuk mund të rrënohet gjithçka – edhe Maqedonia si shtet – në emër të frikës për lirinë.

E kuptoj secilin në Maqedoni që lufton për lirinë e tij, sepse të jetosh i lirë është një ndjenjë e veçantë. Por, të luftosh për lirinë e një diktatori dhe një abuzuesi është mëkat. Është fund i shtetit. Krejt kjo po ndodh duke e mbrojtur një abuzues brutal të pushtetit.

E di që fjala “diktator” e ka fuqinë e madhe të fjalës së keqe. Gjithmonë lidhet me vrasje, sundim, qeverisje pa ligj dhe nxitje të konflikteve dhe luftërave. Disa nga ta kanë bërë frone familjare, të tjerë kanë bërë pasuri duke abuzuar për të sunduar, kurse disa të tjerë s’kanë bërë asgjë tjetër përveç që kanë shkaktuar vuajtje duke burgosur dhe vrarë, si dhe duke u bërë pafundësisht të pasur.

Të gjitha këto që i thash më lartë a nuk i ka përmbushur ish Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski?

Por, pse ky njeri po abuzon me frikën dhe idenë e marrjes së Maqedonisë nga shqiptarët dhe të tjerët, në këtë rast, ndërkombëtarët?

Pse Gruevski përdor shqiptarët si alibi për ta shpëtuar veten? Pse shqiptarët duhet ta marrin përgjegjësinë e mëkatarëve për ta shpëtuar abuzuesin ballkanik të pushtetit, modelin e keq të qeveritarit? Këto janë pyetjet të cilat do mundohem t’i sqaroj.

Gruevski ka nisur betejën për lirinë e tij. Sepse, lumturia e tij nuk u plotësua përmes diktaturës politike dhe pastaj lindi nevoja për politikën e shpëtimit përmes rrugës.

Gjeti edhe arsyen. Platformën shqiptare të aprovuar në Tiranë. Kështu Gruevski me folklorin e tij ngriti maqedonasit në mbrojtje të Maqedonisë të parrezikuar nga askush.

Dhe ndodh gjithmonë më atë analizën e famshme të Gassetit për protestuesit kur nisin të kërkojnë bukë. Ortega y Gasset thotë se gjënë e parë që bëjnë ata në emër të mllefit është – i djegin furrat e bukës.

Kjo analizë i shkon shumë këtyre demonstrimeve, sepse protestuesit e Gruevskit s’bëjnë asgjë tjetër veçse kanë filluar të djegin atë të ardhme ku edhe mund të ushqehen. Maqedoninë!

Çka ndodhi në të vërtetë?

Ditën kur përfunduan zgjedhjet në Maqedoni dukej se një koalicion po vazhdon qeverisjen. Në buzëqeshjen e Gruevskit dhe Ali Ahmetit ndihej një lloj mirësie dhe respekti. Kishin marrë përkrahje prej një boshti politik nga Shqipëria dhe Kosova që koalicioni me Gruevskin të bëhej. Atij nuk i pengonte platforma e partive shqiptare. Dhe, në takim për parimet e koalicionit nuk kishte vërejtur asnjë problem. Përkundrazi.

Ali Ahmeti, i sigurt se po bënte koalicionin e duhur, kishte harruar se për të ardhmen e Maqedonisë nuk mund të vendosnin ata që kishin shkatërruar rendin demokratik. Të dy liderët kishin nënçmuar zërat e shlirë ndërkombëtarë duke e ngatërruar veten dhe fitoren e hidhur me folklorin dhe bukuritë maqedonase të politikës.

Vetëm gjysmë ore para se të nënshkruhej marrëveshja na doli se një pjesë e shqiptarëve nuk mund të jepnin vota për një koalicion që e kishte sjellë Maqedoninë në pikën e pashpresës. Nga ajo natë, të dy liderëve u mungonte frymëzimi e gjërat që thoshin dukeshin të pakuptueshme.

“Platforma Shqiptare” që nuk kishte asnjë vërejtje nga Gruevski dhe klika e tij, u shndërrua në platformë armiqësore për Maqedoninë.

Por jo vetëm kaq. Filloi të funksionoi përbashkësia Shkup-Tiranë-Prishtinë, për ta krijuar boshtin e politikanëve dhe analistëve që përkrahnin palogjikshëm një jetë të trazuar dhe të pashpresë të njeriut të quajtur Nikola Gruevski.

Edhe modeli përkrahjes ishte banal, pa shije, dhe i frymëzuar keq. U krijua lobingu ndërkombëtar i përbashkët që pasqyronte një oxhak ithtarësh që nuk e shihnin zjarrin poshtë që po i digjte edhe provën e Gruevskit dhe provën regjionale të kësaj kauze.

Edhe sot kjo aleancë e pakuptimtë shkronjash, politikash dhe nacionalizmash folklorikë po bëhet e turpshme, e rrezikshme dhe pa të ardhme. Boshti lobist me plot falsitet dhe pa kokë po mban peshën e paqartësisë për këtë vend.

Çfarë nuk shohin këta njerëz?

Përgjigjja e vetme e mençur e secilit që ka dy kokrra mend do të ishte: “Rrofsh që më pyet, por unë s’jam Washingtoni”. Ata, në Washington dhe Bruksel, e dinë një të vërtetë për Gruevskin dhe Ali Ahmetin. Këtë të vërtetë nuk e dinë nga Sorosi, por nga mëkatet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Dhe gjurmët nuk fshihen.

Rruga që ka zgjedhur Gruevski për Maqedoninë është e pakthyeshme. Kjo është një betejë e një force të palejueshme ndaj një force të lejueshme. Nuk mund të ngatërrojmë me njëra tjetrën dhe t’i vendosim në një plan.

Ajo që do Gruevski është rruga që ky shtet të ndahet për jo shumë vjet. Ky është fillimi i fundit të Maqedonisë.

Gruevski po gabon rendë. Po rritet në mes maqedonasve me gënjeshtrën për platformën e Tiranës, duke rritur nacionalizmin të maqedonasit dhe duke i larguar shqiptarët nga bashkëjetesa.

Me këtë rast Zaevi po bie. Dhe do bie ende për faktin se Gruevski po sulmon bashkëjetesën me falsitetin e tij nacionalist, se armiqtë e Republikës janë shtuar gjithkund duke u shndërruar në një shoqatë ndjekësish për shkatërrimin e gjithçkaje që bën të ardhmen e këtij shteti. Nëse kjo ndodh – e besoj se jo, ky njeri është pa horizont, kurse mes tij dhe shqiptareve nuk do të ketë më paqe.

Po s’e bëri qeverinë Zaevi, Gruevski, realisht, e ka problem me shqiptarët e jo me Zaevin. Dhe s’do qeveris kurrë më pa hyrë në luftë me ta. Këtu është fund i Maqedonisë.

Nga pikëpamja e rezultateve qysh sot mund ta quajmë një luftë të gabuar përkrahjen e Gruevskit nga lobistët. Është e vërtetë që historia u jep të drejtë atyre që fitojnë. Por, ka disa raste fatlume ku ekziston një mospërputhje mes atij që fiton dhe atij që ka drejtë. Nëse gërmojnë në ndërgjegje, do u kisha sugjeruar të rreshtohen me Amerikën.

Në epokën tonë, fitoret janë të atyre që kanë aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

2 komente në “Të luftosh për lirinë e Gruevskit”

  1. Jevi says:

    E keqia eshte se Groevskit po i vjen ne ndihmePD e Lulit (Saliut) qe kerkon te destabilizoj SH qiperine.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje