LUP-JAVA, Kategoria Superiore, java e 28-të

12 Prill 2017, 18:33Sport TEMA

Startoi e katërta “xhiro”!

Nga Ervin Baku

Javë e cila vërtetoi dhe zbuloi se ky kompeticion mbetet i luftuar. Ndër më me rivalitet i këtyre edicioneve të fundit (jo për nga cilësia). Meritë të padiskutueshme ka Vllaznia. Ajo që me performancën e treguar në “Zeqir Ymeri” ndali Kukësin kryesues e më tej, rrit shpresat për të sulmuar Europën.

Mes polemikave të një gjykimi që nuk i përmbushi për asnjë çast pritshmëritë. Cungu tregoi edhe njëherë se suksesi mbetet në anën e skuadrave që ai drejton. Luajti ballë për ballë me ish-skuadrën e tij duke tentuar tri pikë. Keq Kukësi, që detyrohet të zbresë nga froni. Kësaj radhe Gjoka gjëndet në “faj” dhe orët e tij te verilindorët duket se janë të numëruara. Le ta themi, një dështim eventual javën që vjen në Durrës do t’i prishë balancat mes punëdhënësit dhe punëmarrësit (kurrësesi nuk ia urojmë).

Paçka se skuadra mund të ruajë paprekshmërinë e humbjeve (kupto një barazim ndaj Teutës). “Flakë” në Vlorë, ndërsa Skënderbeu mban ritmin dhe fut tërësisht në krizë Flamurtarin. Korçarët dhanë leksione prej kampioni dhe në fushën e vlonjatëve. Befas shfaqen një supergrup i cili, përgjatë tërë ndeshjes diktoi në treguesit teknikë. Edhe pse me dy mungesa të rëndësishme (Vangjeli dhe Lilaj). Duket sikur lëshojnë mesazhin…”jemi ne kampionët”. Pesë pikë nga Partizani i vendit të parë. Kryesuesit nga Tirana, me një lojë racionale, kaluan pa probleme Luftëtarin. Të kuqtë ngjanë me një fortesë gjigante.

Asnjë dilemë për ecurinë. Starova po operon me zgjuarsi, ndërkohë që me mjaft sukses po administron forcat. Sepse ndryshe nga javët e kaluara, Partizani ka tashmë dhe një armik më tepër. Atë të presionit. I cili ndjek pafundësisht kryesuesit e çdo kampionati. Tirana mezi pret të fshihet “2017”. E habitshme se si një ekip kryeqyteti, gjithë traditë e potencë në të shkuarën, të mos mbërrijë te një fitore kampionati për vitin 2017. Edhe ndaj Teutës nuk ia doli. Për t’u bërë “njësh” me fundin.

Nëse Flamurtari ndryshon kurs e rikuperon, tashmë skuadra e Duros nuk synon të kapë vetëm Laçin por dhe Tiranën. Nga ana tjetër, durrsakët ecin me lojra të mira dhe pikë të arta. Bregdetarët kanë meritën se po kontrollojnë “zonën” duke luajtur qartë. Veçse dhe skuadra e Maganit, ndërsa përmendet matematika, është pranë ekipeve të fundtabelës. Për Laçin, javë suksesi.

Bardhezinjtë jo vetëm që fitojnë shpejt dhe thjeshtë me Koabin, por ndihmohen tmerrësisht nga shifrat që u prodhuan një ditë pas ndeshjes së tyre. Të tre rivalët e kurbinasve nuk marrin “pikë”. Barazimi Tirana-Teuta i shkon ecurisë së Laçit, ndërsa humbja e Flamurtarit në shtëpi i mbush me “frymë”. Rokadë me Flamurtarin e përkohësisht larg zonës së ftotë. Aty ku Korabi ka prenotuar prej javësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje