PS çel fushatën, të enjten tubim te sheshi “Skënderbej”

12 Prill 2017, 09:24Politika TEMA

Partia Socialiste do të ndezë të enjten “motorët” për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Ndonëse opozita ende nuk e ka të qartë nëse do të bojkotojë apo jo procesin zgjedhor të 18 qershorit, kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos humbasë kohë.

Kreu i qeverisë pritet të çelë të enjten fushatën elektorale në sheshin “Skënderbej”, ku do të mblidhen të gjithë deputetët e Tiranës dhe të rinjtë socialistë.

Kryeministri Edi Rama do ta çelë fushatën nga Tirana, bastioni më i madh dhe më i rëndësishëm që PS synon të korrë fitore në 18 qershor, dhe më pas fushata elektorale do të vijohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku do të jenë ministrat-koordinatorë dhe deputetët e zonës që do të mbajnë mbi “shpatulla” gjithë përgatitjet për betejën parlamentare që pritet të vijë shkruan “sot”. Sipas Kodit Zgjedhor, fushata elektorale nis 40 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, por ashtu siç ka ndodhur rëndom edhe në fushatat e kaluara elektorale, partitë politike në Shqipëri në kësisoj rastesh e nisin angazhimin edhe jashtë afateve kohore.

Në organizimin e së enjtes do të marrë pjesë drejtuesi politik i fushatës për Tiranën, njëherësh ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili sigurisht do të mbajë një fjalim para të rinjve socialistë, deputetëve dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjithashtu, pjesëmarrës do të jetë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është etiketuar si personi më i afërt dhe krahu i djathtë i kryeministrit Rama. Veliaj ka fituar reputacion te qytetarët e Tiranës për ndërtimin e sheshit “Skënderbej” dhe disa punime të tjera nëpër lagjet e kryeqytetit, dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në fitoren e PS në 18 qershor.

Pas Tiranës, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë takime elektorale edhe në qytete të tjera të vendit. Rama për çdo ditë do të jetë në qytete të ndryshme të vendit, nga Veriu në Jug, ku do të reklamojë punën e qeverisë në këto katër vite. Kryeministri do të takojë qytetarët me të cilët do të bisedojë për problemet që ata i shqetësojnë por, përpos kësaj, Rama do të zhvillojë takime edhe me socialistët dhe do të njihet nga afër me punën e deputetëve dhe ministrave-koordinatorë.

Pritet që në fund të muajit prill, Rama të zyrtarizojë listën e kandidatëve për deputetë, ku do të ketë dhe shumë surpriza. Ashtu siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, do të ketë përmbysje të listës.

1 komente në “PS çel fushatën, të enjten tubim te sheshi “Skënderbej””

  1. Shqiptari nga Kosova says:

    Hajde me kembe te mbare..!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje