E ka PD lejen e Sovranit për bojkotin e zgjedhjeve?

Nga Carlo Bollino

Ndërsa na ndajnë dy muaj nga zgjedhjet e 18 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha këmbëngul në vendimin e tij për të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, me pretendimin se trafikantët e kanabisit janë të gatshëm të manipulojnë rezultatin e votimeve për të favorizuar qeverinë në detyrë dhe, në mënyrë specifike, kryeministrin Edi Rama.

Për të shmangur këtë rrezik, Basha pretendon krijimin e një qeverie teknike me një tjetër kryeministër, si kusht për të marrë pjesë në zgjedhje. Kushti (që nuk ka precedent në demokracitë evropiane dhe që i lë pa gojë vëzhguesit ndërkombëtarë, sa herë që bëhen përpjekje për t’ua shpjeguar) nuk ka gjetur deri tani as më të voglën mbështetje politike jashtë çadrës.

Asnjë diplomat i akredituar në Tiranë dhe asnjë lider politik i huaj (duke filluar nga Partia Popullore Evropiane, pjesë e së cilës është PD) nuk i ka shprehur Lulzim Bashës asnjë formë dakordësie. Megjithëse të gjithë janë të një mendjeje në dëshirën për të parë zgjedhje të lira e demokratike, luftë kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës, asnjë nuk beson se bojkoti, i zgjedhur nga Basha dhe Berisha, është metoda e drejtë e luftës.

Shumë pyesin veten, ndër të tjera, se si është e mundur që Partia Demokratike, e cila mori pjesë pa hezitim në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 kur situata e dhunës së shpërthyer në vend, që u mori jetën rreth 3 mijë vetëve, e pengoi Berishën të bënte fushatë elektorale në 60% të territorit, refuzon sot të shkojë në zgjedhje, në një Shqipëri tashmë të paqësuar dhe të mbushur me turistë që vijnë nga e gjithë bota.

Basha e Berisha deri tani kanë treguar se janë krejtësisht indiferentë ndaj gjykimit të komunitetit ndërkombëtar, pa hezituar t’i përkufizojnë “të korruptuar dhe bashkëfajtorë” edhe shumë nga ambasadorët më të rëndësishëm, vetëm se nuk ndajnë të njejtin qendrim me PD.

Por çfarë mendojnë zgjedhësit e PD? Lidershipi i forcës më të rëndësishme të opozitës po merr, në fakt, një vendim me rëndësi historike, që rrezikon ta largojë përgjithnjë partinë nga skena politike e vendit, pa u konsultuar fare me bazën e saj. Me përjashtim të manifestimit të 18 shkurtit, kur zbritën në shesh rreth 20-30 mijë vetë, që nuk e dinin ende se ç’formë proteste kishin planifikuar Basha dhe Berisha, bojkoti i opozitës është bojkotuar – edhe ai – nga masat.

Nëse në Bukuresht, për javë të tëra, dhjetëra mijëra vetë qendruan në shesh, të vendosur për të kërkuar dorëheqjen e një qeverie të akuzuar se synonte të korruptonte magjistraturën, pak orë pas ngritjes së çadrës, në të kundërt, ne Tirane njerëzit u larguan nga bulevardi: mbeten ata 150 militantët që mblidhen çdo ditë në orare të caktuara për të dëgjuar të ulur në formë rrethi monologjet e Lulzim Bashës, i cili refuzon të reformojë drejtësinë e korruptuar, dhe që respektojnë thjesht turne qendrimi, duke iu bindur një urdhëri të partisë.

“Sot nuk mund të vi në transmetim sepse kam turnin të qendroj në çadër”, u justifikua një deputet i Partisë Demokratike, i ftuar të merrte pjesë në një debat televiziv. Po si e mendon Sovrani?

Pyetja se çfarë qendrimesh kanë zgjedhësit e Partisë Demokratike nuk është pa rëndësi. Një lider partie delegohet me përfaqësim nga baza e anëtarëve të saj, por mbi ç’bazë ka të drejtë të marrë një vendim që prek drejtpërsëdrejti të drejtën e votës së simpatizantëve, që janë shumë më tepër se sa anëtarët?

Kur, në vitin 2013, Lulzim Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në vend të Sali Berishës, mori (duke përfshirë mashtrimet, për të cilat u akuzua nga rivali Sokol Olldashi) 80 për qind të votave në një konsultë “një anëtar, një votë”, në të cilën mori pjesë 40% e anëtarësisë së partisë.

E përkthyer kjo në numra, Basha u votua nga pak më shumë se 30 mijë anëtarë të PD, ndërkohë që shqiptarët të cilët votuan për Partinë Demokratike në 23 qershor ishin 528 mijë dhe kishin qenë më se 610 mijë në vitin 2009.

Me çfarë të drejte sot Lulzim Basha u mohon të paktën 500 mijë zgjedhësve të vetë partisë së tij të konfirmojnë (ose jo) votën e tyre kundër qeverisë?

Dhe me çfarë të drejte u mohon të gjithë zgjedhësve të mundshëm të rinj (duke përfshirë ata të rinj që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje) të shprehin mbështetjen e tyre për PD? Baza e PD i ka rrënjët e veta të thella në antikomunizmin dhe shumë pasues të Berishës vazhdojnë t’i qendrojnë besnikë, pasi shohin tek ai liderin i cili për herë të parë e hapi Shqipërinë ndaj pluralizmit.

Zgjedhësit e Partisë Demokratike në vitin 1991 sfiduan Sigurimin dhe policinë komuniste vetëm e vetëm që të shkonin në kutitë e votimit për herë të parë me shumë parti dhe, kur zbuluan se ishin mashtruar, mbushën sheshet, arritën një qeveri teknike dhe, pak muaj më pas, triumfuan në zgjedhjet e 1992-it.

A janë dakord mbështetësit e një force politike, që kanë luftuar dhe kanë sakrifikuar vetëm e vetëm që të votonin, me vendimin e partisë për të luftuar dhe për t’u kthyer të sakrifikohen, këtë herë për të mos votuar?
A janë gati zgjedhësit e PD të nëpërkëmbin, për herë të parë në 25 vjet demokraci, pjesëmarrjen në votimin pluralist?

Po sikur baza e PD të donte, në të kundërt, të luftonte, siç bëri më 1991, 1992 dhe madje edhe në 1997, për të dëshmuar se asnjë dhunë, asnjë korrupsion dhe asnjë forcë rivale nuk mund të jetë në gjendje të ndalojë aspiratën e tyre për liri e demokraci? Pra, me një fjalë, vullnetin e Sovranit? Dhe, ndoshta, të preferonin të protestonin vetëm më pas, kur dhe në rast se do të dëshmohej për vjedhje të votës?

Zgjedhësit e lirë të Shqipërisë (ata që besojnë në idealet dhe që nuk pranojnë t’ia shesin votën e tyre atij që i paguan më shumë) sa herë që shkojnë tek kutitë e votimit e bëjnë këtë për të përmbushur një detyrë qytetare dhe për të ndjekur një ëndërr.

Ne besojmë se shumica e zgjedhësve shqiptarë bëjnë pjesë në këtë kategori, që përfshin edhe një pjesë të madhe të më se 500 mijë zgjedhësve të PD. Dhe besojmë se, pikërisht për këtë, çdo lider, para se të vendosë t’u mohojë apo jo mbështetësve të tij të drejtën universale të votës, duhet të kishte detyrimin etik që të konsultohej me Sovranin.

Po Basha nuk mendon t’ua pengojë mundësinë për të votuar vetëm simpatizantëve të PD. Pretendimi i PD për të penguar edhe gjithë zgjedhësit e tjerë të shkojnë në votime, siç duket se Basha dhe Berisha kanë ndërmend të bëjnë më 7 maj në Kavajë, nuk është vetëm një abuzim kushtetues. Është, mbi të gjitha, tradhti e parimit historik mbi të cilin është themeluar lindja e partisë së tyre.

REMOTE_ADDR:[]

13 komente në “E ka PD lejen e Sovranit për bojkotin e zgjedhjeve?”

  1. Asus says:

    Bravo. Shkrim me argumenta dhe kulture.

  2. Sorkadhja says:

    Te tilla mendime kane dhe 90% e elektoratit, qe forca mbeshtetese e partive eshte vota e tyre, por ja qe PD ka shkalluar dhe po gjendet ne graden e trete te djegjes. Na vjen keq, por disa merita qe i jepen lidershipit te pare te PD-se duhen te jene me te kujdeseshme. E them kete se e ka provuar koha qe nuk duhet te jepen merita, por te zbulohet manipulimi i i tij qe i ka bere demokracise, duke rrembyer emrin e demokracise dhe dhene partise qe krijoi. Po mbushen 27 vjet dhe PD-ja nuk ka kryer asnje veprim demokratik. Nuk do bej historine e menxyrave antidemokratike te saj, sepse dihen dhe nuk jane te panjohura. Ajo edhe sot po na del se po mbron zgjedhjet kur ajo per te gjitha zgjedhjet vendore apo parlamentare ka qene strumbullari i vjedhjeve, santazheve deri sa e çoi kete vend ne lufte civile. Sot po kjo parti na del se mbron votat dhe na tregon se perfaqesoka popullin, kur dihet qe me veprimet e saj e ka çuar ate PD te shpresave te medha, por qe brenda saj ishte fshehur vjedhja, korrupsioni, trafiqet, shkelja e embargos per shitje armesh, karburanti agresoreve kunder vendit e popullit te tij. Ashtu si ne vitin 97 edhe sot ka dale kundra amerikes, europes dhe kunder vendit te saj, pavaresisht aresyeja qe e ka çuar ne kete derexhe, ka ardhur koha qe te beje kthese, ndryshe do ta mbylle karieren e saj duke u shperbere ne parti te tjera, te besueshme per elektoratin shqiptar. Na thote se vettingu qenka bere nga Rama se e do drejtesine ne vartesi te tij. Dakort, e supozojme keshtu, po ku ishte dje kjo parti qe edhe sot, jo vetem drejtesine qe e ka nen diktatin e tij Berisha dhe Luli, por ka edhe presidencen, institucionet e sigurise, pra gjithe pushtetet,i ka pas vetes sepse i nderttoi per 8 vjet rrjesht ashtu siç deshi, prandaj dhe sot po vonohet reforma ne drejtesi me agregatet e saj, kjo edhe per faktin se e joshin edhe parti te tjera qe e mbrojne nepermjet demagogjise me parimet gjoja “transparence”, konsensus”, etj. kur duhet te zbatohet Kushtetutra me votime te cilesuara dhe te hiqet dore nga keto manovrime, gjoja dashamirese e marrezira te tjera. Perpara ketij fakti te padikutueshem, nuk e ka te drejten morale, etike dhe ligjore qe kjo parti te ngreje problemin e vartesise apo te pavaresise.
    Nejse po e mbyll komentin, sepse qe te dialogosh duhet qe perballe te kesh dialogues serioz, te paperlyer, dhe njohes te politikave partiake, ekonomike, juridike, diplomatike dhe atdhedashes. Keta per rastin e ketij shkrimi na mungojne sepse jane te pa afte per gjera te medha te drejta dhe me parime demokratike, jane shkaterrues dhe kane kryer shume zullume qe duhet ti shpaguajne. Lexova sot tek gazeta Tema edhe artikullin e z. Mero, i cili i ka trajtuar drejt keto problem, por ka shume gazetare qe sot po bejne gabime ne shkrimet e tyre, qe neser, nese do te kene sadopak moral dhe etike, do te skuqen nga budallalleqet qe na shkruane neper portalet e shumta te gazetave apo televizooneve.
    Sorkadhja 13.04.2017

  3. Peco says:

    Kot shqetesohesh zoti Bolino. Ja une jam anetar i PD dhe do shkoj ne votime, do apo nuk do Lulezim Basha.Berisha dhe Basha nuk kane dale ne nje fushate dhe na kane zene rob, per t’na detyruar me pas te bejme sic duan ata. Po ashtu nuk jemi edhe ne kohen e bujkroberise qe feudali percaktonte fatin e bujkroberve te tij. Aq sa c’ka Basha te drejte te mos marri pjese ne zgjedhje per arsye qe i quan ai te logjikshme sipas menyres se tij te te menduarit, po aq kam dhe une te drejte te marre pjese ne zgjedhje, po sipas menyres time te te menduarit. Basha te mos marri dhe vere ne axhenden e tij politike kauza per te cilin shteti ka nje institucion te tere, policine. Pse mijra simpatizante te PS dhe PD dhe cdo Partie tjeter, ne vend qe te mbjellin speca apo ku di une, shkojne dhe mbjellin hashash, kjo nuk mund te sherbeje si arsye per te mos shkuar ne zgjedhje. Pra, shkurt zoti Bolino, hic mos u qederos, nuk jane budallenje shqiptaret sot te rendin pas nje te marri. Aaaa, nese nuk shkohet ne zgjedhje ne 18 Qershor sepse keshtu do Berisha dhe Basha dhe Edi Rama jua ploteson kete deshire duke shkelur kushtetuten, ketu puna ndryshon. Atehere cdo njeri ne kete vend ka te drejte pastaj te beje si i do qejfi njerit apo tjetrit. Kjo pastaj nuk mund te quhet shoqeri e organizuar, e cila e mbeshtet aktivitetin e saj jetesor mbi ligje rigorozisht te percaktuara.

    1. Aksi says:

      Cfare shkelje kushtetute kryen kryeministri ne momentin qe nje parti opozitare refuzon te respektoje afatet e regjistrimit per zgjedhjet e ardhshme dhe nuk deshiron te shkoje ne votime? Pak rendesi kane arsyet e Bashes, me shpjego ku e shkel kushtetuten Rama. Se kshu ne teori mire qenke ti, po e ke futur nje spec ne fund… Kete presionin qe nuk hyjme ne zgjedhje e ka bere dhe PS ne vitin 2009 dhe ishte pikerisht Berisha ai qe beri ndryshimin kushtetues se zgjedhjet behen, merr apo nuk merr pjese x parti. Pse ju kthye boomerang shpikja qe beri vete eshte pune tjeter. Basha duhet te kuptoje se duke marre mesimet e nje te cmenduri, u cmend dhe vete dhe se ka kryer vetevrasje politike. Populli Demokrat nuk duhet kurrsesi te behet pale me marrezine e madhe te nje plaku 70 e kusur vjec qe e di me siguri se do e mbylli pleqerine ne qeli dhe sigurisht qe do beje te pamunduren ta ndale kete.

      1. Peco says:

        Zoteri! Gjykoj se, kur nje njeri vendos te lexoj, duhet pa tjeter te tregoj vemendjen e nevojshme. Nuk eshte normale te lexosh dicka duke patur ne mendje se si do ta kundershtosh. Po te ishit treguar sadopak i kujdeseshem kur keni lexuar komentin, ju do ta kishit fare te qarte se pothuaj asgje nuk ndryshon ne mendimet tona.

        1. Aksi says:

          Peco, me gezonka fakti qe paskemi mendime te njejta. Gjuha shqipe me kthesat e saj le dhe vend per keqkuptime. Ndjese dhe vote te mbare me 18 qershor.

    2. Demokrat si Saliu e Luli says:

      Bravo, por te jesh i PD se ME DUKET PAK MARREZI..V……ETEM NESE KE QENE ISH FUKS APO KOMUNIST…

      Banda PD ska asgje te perbashket me demokracine e vertete. kush, lulzim basha kamarieri i aeroportit,demokrat apo dizinjatorja?


      une isha demokrat por shpejt mesova te verteten e rrugaceve dhe se kam kthyer koken mbrapa qysh atehereeeeeeeeeeee.

  4. eli-tiv says:

    ….te lumte….llogjike normale..

  5. kashi says:

    shume shkrim i sakte bravo

  6. kashi says:

    shkrim i sakte bravo te lumte

  7. Petriti says:

    O femije lazdrona
    Sjelljet e elites se PD po me ngjasojne me sjelljet e femijes lazdran. Nje femij lazdran kishte hip ne peme dhe bente shantazh, tek familjaret se do te hidhet nga pema, te gjithe per rreth e lutnin qe te zbriste, por ai nuk degjonte, deri ne momentin kur erdhi “trimi” i familjes dhe i tha: zbrit se te zbrita dhe filloj me e pre lisin . Kur e pa se ky po e pret Lisin me te vertet filloje me te shpejte te zbres. Duhet me ja pre lisin lazdranave te piste…

  8. Goni says:

    Bravo dhe respekte per Ju, Zoti Bolino.
    I keni thene te gjitha dhe me nje logjike te admirueshme.
    Shume falenderime,
    Goni
    PS. Lexoja keto dite nje shkrim te Zotit Luciano Boci, me degree pasuniversitare, Profesor, etj.
    Pas leximit pyesja veten: Si mund te shprehet si nje militant i rendomte, i manget nga trute e kokes,
    nje person qe pretendon se eshte skolar me integritet shkencor, etj. si Zoti Boci?
    Kjo mund te ndodhe vetem ne Shqiperi ku militantizmi e ka vene perfund intelektualizmin.
    Te njejtat fjale do te thoja po te kisha marre per shembull Zotin Prec Zogaj dhe shkrimet e tij. G.

  9. Beli says:

    Nga analiza e z. Bollino rezulton gjithashtu se pandehma mbi devijimin e votës së shqiptarëve me paratë e drogës është një akuzë dhe një fyerje e rëndë për të gjithë elektoratin shqiptar, qoftë të PD apo të PS, dhe për të gjithë shqiptarët, duke i presupozuar ata si imoralë e të pandershëm, të gatshëm për t’u shitur për pesë para. Shqiptarët, sipas Bashës, s’qenkan veçse ca lypsarë, pa një dysh në xhep, të gatshëm për t’u shitur te kushdo që u ofron ca para. Basha nuk tregon kurrfarë respekti për integritetin dhe dinjitetin qytetar të shtetasve – ata për të janë thjesht marioneta në duart e oligarkëve. Duke qenë një fyerje për shqiptarët, pseudokauza e “çadrës” është në fakt një kauzë anti-kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *