Paralajmëron Isa Mustafa: Nëse Kuvendi nuk ratifikon Demarkacionin, opsion ngelen zgjedhjet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa flet edhe në lidhje me kërcënimet e evidentuara nga individë e grupe të caktuara, kundër liderëve të shtetit të Kosovës dhe disa figurave politike.

“Ne zhvilluam dje biseda me dy përfaqësuesit e dy vendeve lidere, përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vend lider botëror dhe Gjermanisë si vend lider i Bashkimit Evropian.

Biseduam në lidhje me këtë çështje dhe e shtruam seriozitetin e këtij problemi, sepse kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë.

Kërkuam që të bëhet një zgjidhje, duke pasur parasysh që konsiderojmë se në mënyrë të padrejtë na është vënë kriteri i Demarkacionit të kufirit, i cili nuk ka vlejtur për vendet tjera. Megjithatë, neve na është vënë si kriter që nga viti 2012 dhe është shumë vështirë qa ta ndryshojmë tash, në vitin 2017.

Në momentin kur të merremi vesh për kohën, ne do të procedojmë në Qeveri me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Do të shkojmë në Kuvend. Kuvendi duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë”, tha Mustafa.

Ndërkohë që Lista Serbe është kthyer në institucione, janë përmendur disa prioritete të saj, të paktën kështu kanë deklaruar për media, ku përfshihet themelimi Asociacionit dhe diskutimi për demarkacionin.

Për këtë çështje Mustafa tha “Unë jam takuar me përfaqësuesit e Listës, por problemi tash është në mes tyre. Ata kanë problem se kush e drejton Listën Serbe, kush e drejton Grupin Parlamentar.

Çështja e Asociacionit, mendoj se duhet të adresohet dhe ne jemi të gatshëm që në çdo moment të ulemi me Listën Serbe, me ekipin menaxhues dhe me ndërkombëtarët që të adresojmë këtë çështje në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në Bruksel”.

USHTRIA BËHET ME SHBA-të, NATO-n DHE BE-në

Kryeministër Mustafa, ka një kohë që Qeveria ka pranuar projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të dorëzuar nga Presidenti në Kuvendin e Kosovës. Por, i njëjti, duket se është tërhequr, për t’u hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, fillimisht. Cila mendoni se është rruga më e mirë për krijimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës?


Po, mendoj se rruga është kjo tani, që ky transformim të bëhet në bashkërenditje me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e bashkimit Evropian.

Të jetë një proces, për aq sa të jetë i mundur, gjithëpërfshirës në mënyrë që të punojmë me të gjithë. Me të gjithë qytetarët, me të gjitha komunitetet.

Në këtë rast problemi adresohet veçmas te komuniteti serb dhe deputetët serb në Kuvendin e Kosovës të cilët duhet ta votojnë ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse është mënyra më e mirë që të bëhet ky transformim.

Mendoj që ne jemi të gatshëm dhe kemi treguar gatishmërinë dhe synimin si institucione të Kosovës, duke u nisur nga Presidenti, Kuvendi, Qeveria dhe të tjerët, që ne ta bëjmë punën maksimalisht.

Të bisedojmë me të gjithë, t’i bindim të gjithë dhe ta argumentojmë se Forca e Armatosur e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Se integriteti i vendit është po ashtu interes i të gjithëve. Se pjesëmarrja e kësaj Force në misionet paqeruajtëse dhe në misionet tjera humanitare jashtë është, po ashtu, në interes të rajonit, të stabilitetit të paqes në Ballkan e më gjerë.

Ne do të mundohemi ta japim maksimumin që t’i bindim serbët që këtë ta votojnë.

Por, duhet ta kemi parasysh edhe faktin që nuk mundet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës të mbetet peng i vetëm një komuniteti, apo i vetëm një grupi parlamentar, sepse fjala është për interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

KA INFORMACIONE PËR PËRGATITJEN E SULMEVE KUNDËR LIDERËVE POLITIK
Kryeministër, dje Ambasada amerikane në Prishtinë u ka drejtuar një këshillë, sugjerim qytetarëve që të bëjnë kujdes këto ditë, sidomos gjatë festës së Pashkëve. Keni ju informacione se vendi është i kërcënuar në aspektin e sigurisë nga individë apo grupe terroriste?

Ne kemi zhvilluar dje një mbledhje të Këshillit për Siguri të Kosovës. I kemi vlerësuar disa informata të cilat i kemi marrë nga organet kompetente të cilat e përcjellin çështjen e sigurisë në Kosovë.

Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politik.

Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve.

Po ashtu, duke pas parasysh se çfarë po ndodh në vendet e tjera, kemi marrë masa që të shtojmë vigjilencën dhe prezencën e organeve të sigurisë. Të jetë kjo prezencë më e madhe, sidomos tani gjatë festave fetare në mënyrë që ato të mos shfrytëzohen për ndonjë akt i cili do të rrezikonte, dëmtonte qytetarët.

Ne kemi kërkuar një vigjilencë më të madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të gjitha organeve të sigurisë. Po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve. (REL)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *