Plani i ri Vendor i Tiranës, Veliaj: “Paja” më e mirë për kryeqytetin, fillojmë nga nesër zbatimin e tij

14 Prill 2017, 14:03Politika TEMA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj  u shpreh se Plani i ri vendor është “paja” më e mirë për kryeqytetin. Duke vlerësuar punën e mirë të bërë nga ekipi që punoi për hartimin e këtij plani, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, Veliaj theksoi se do të fillojë pa humbur kohë edhe puna për zbatimin e tij.

“Do ju ftoja që ta miratonit planin e ri të Tirana 030, si një kushtetutë e re për qytetin dhe si një platformë ku besoj kemi trashëguar një “pajë” edhe nga dija që na erdhi e eksperienca që na erdhi nga Stefano dhe puna e mrekullueshme e ekipit të tij. Besoj që shumë prej dijeve që u zhvilluan dhe praktikave do të mbeten në Bashkinë e Tiranës për t’u siguruar që ne do të kemi vazhdimësi në zbatimin e planit”, tha Veliaj duke shtuar se pas miratimit të tij, do të fillojë dhe faza e implementimit të disa projekteve për të kaluar tani edhe në Tiranën policentrite.

“Ne do të zhvillojmë në detaje të gjithë ndërhyrjet infrastrukturore që duam të bëjmë në zonat e Tiranës policentrike. Vërtet plani u bë në kohë rekord, por ju garantoj që nuk ka humbur aspak cilësinë. Përkundrazi, ne kemi punuar në mënyrë paralele që teksa arkitektët dhe urbanistët tanë punonin me planin, ne kemi bërë 24 dëgjesa në të gjitha njësitë bashkiake, një pjesë e madhe e rekomandimeve e kërkesave janë reflektuar në plan dhe në total rreth 100 dëgjesa me grupe të interesit. Pra, dëgjesa, transparenca ka qenë si gjeografike ashtu si edhe në shtresat e Shqipërisë që përfaqësojnë një grup interes”, tha ai

Duke e cilësuar planin e mëparshëm të hartuar nga administrata Basha si klientelist, Veliaj theksoi se plani i ri është me përmasa njerëzore. Për herë të parë, theksoi Veliaj, nuk shkon ndërtimi pastaj urbanizimi, por shkon  fillimisht urbanizimi. “Për shumë që e shohin në televizor u duket e komplikuar, por realisht është një plan me përmasa njerëzore, mjafton t’ ju përmend që plani që ne gjetëm në Bashkinë e Tiranës dhe ishte aktiv, ishte një plan për një Tiranë prej 4.6 milionë banorë. Plani i kaluar në thelb ishte një platformë për dhënien e lejeve të ndërtimit klienteliste dhe jo detyrimisht një plan që i shikonte të gjithë aspektet e tjera. Sot është dita me natën, është realisht një plan me përmasa njerëzore, që sikur të shfrytëzojë 100%  koefiçientin, që nuk ndodh kurrë, normalisht as gjysma nuk shfrytëzohet, ne maksimumi do të kemi një Tiranë me 1.5 milionë banorë deri në 2030, që në fakt përkon edhe me rritjen demografike”, tha ai.

Kreu i Bashkisë deklaroi se plani i ri vendor i jep zgjidhje çështjeve si transporti publik, krijimi i hapësirave të gjelbra si dhe përmirësimi i infrastrukturës.  “Tani po vazhdojmë me këndet e lodrave dhe atë që quhet hapësira e përbashkët për t’i rikthyer vlerën asaj që është komune, dhe ku marrin pjesë të gjithë. Sot e kemi rikthyer falë edhe disa koncepteve siç është pastrimi i ri i qytetit, apo shfrytëzimi i hapësirës së përbashkët. Për infrastrukturën kemi një fokus ndaj ju kërkoj që ta mbështesim, shkon si energji me planet e Ministrisë së Transportit, që janë unaza e 5-të e Tiranës edhe shumë projekte të infrastrukturës. Me bulevardin e ri ne do të jemi gati që të hapim 1000 metra e parë, pra kilometrin e parë të bulevardit të ri përpara fillimit të verës”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje