Shtyrja e datës së zgjedhjeve, Milo: Vendimi më ekstrem. Ja ku e ka shkelur PS kontratën me ne

19 Prill 2017, 09:17Politika TEMA

Paskal Milo thotë se shtyrja e datës së zgjedhjeve do të ndodh në rast se situata del jashtë kontrollit.

Ndërsa referuar afateve të veprimeve në KQZ për zgjedhjet, Milo thotë se e gjithë procedura do të shtyhet.

Ndërkaq, kreu i PDS-së në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deklaron se nuk ka ende një vendim për vijimin e koalicionit me PS-në. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se PS-ja nuk ka komunikuar me partitë aktualisht në koalicion për një marrëveshje të dytë.

Zoti Milo sot është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve. Asnjë prej partive aktualisht në koalicionin e majtë nuk është shprehur për këtë. Si ju duket kjo situatë? 

Mbështetur në zhvillimet aktuale politike ku nuk ka dialog midis maxhorancës dhe pozitës, për të gjetur një zgjidhje konsensuale të krizës, të gjitha afatet e procesit për zgjedhjet e 18 qershorit, do të rishihen, do të shtyhen. Tani për tani ka ende hapësirë për të shtyrë afatet, për shembull të krijimit të koalicioneve. Mendohet sipas zërave që dëgjohen, ky afat do të shkojë dikur nga fundi i muajit prill. Për rrjedhojë do të shtyhet edhe afati i dorëzimit të listave shumemërore të kandidatëve për deputetë të subjekteve politike me shpresë që Partia Demokratike dhe opozita do të kenë marrë një vendim deri në fund të muajit për të marrë pjesë në zgjedhje. Kështu qarkullojnë zëra që vijnë nga institucionet.

Partia e drejtuar prej jush ka një vendim për futjen sërish në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste? 

Ne ende nuk kemi marrë një vendim, sepse ende nuk kanë filluar negociatat për krijimin e koalicioneve. Deri tani ka pasur vetëm tentativa për të bërë kontakte por nuk janë realizuar kontaktet. Mesa sa duket çdo gjë ka mbetur pezull në funksion të zgjidhjeve që pretendohet që mund të arrihen gjatë ditëve të ardhshme për ta sjellë në proces opozitën.

Pritej që ministri i Jashtëm gjerman, në vizitën e tij të hënës të vendoste një dialog, por është parë që palët janë pozicionuar edhe më prerë në qëndrimet e tyre. Duke parë situatën aktualisht sa shanse ka të zgjidhet shpejtë situata dhe të vijohet me procedurat për zgjedhjet? 

Mesazhet që përcolli ministri i Jashtëm gjerman në adresë të Partisë Demokratike dhe opozitës ishin shumë të forta dhe shumë të qarta. Nuk ishte ndonjë mesazh i panjohur sepse edhe përfaqësues të tjerë të qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe vetë nga institucionet e Brukselit i janë dërguar PD-së për t’u rikthyer në parlament dhe për të respektuar institucionet dhe për të bërë përpjekje për kompromis për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, me pak fjalë ka gati një unanimitet në qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë për sa i përket nxitjes për ta sjellë PD-në në proces sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në këto rrethana kur mungon një mbështetje ndërkombëtare tek e cila është shpresuar shumë, ka gjasa që PD-ja të fillojë të reflektojë se ka rrugë tjetër të arsyeshme për të kontribuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Opozita ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve, si një alternativ që do të garantonte procesin zgjedhor. Sa e mundur është realizimi i kësaj alternative? 

Ndoshta ai mund të ishte një variant ekstrem kur do të jenë shteruar të gjitha përpjekjet për ta mbajtur procesin nën kontroll dhe për t’i bërë zgjedhjet deri në 18 qershor. Nëse procesi del jashtë kontrollit, atëherë patjetër që do të shtrohet edhe çështja e shtyrjes së datës së zgjedhjeve por ende ka rezerva dhe hapësira për ta mbajtur procesin, për ta menaxhuar atë dhe për t’i bërë zgjedhjet deri më 18 qershor.

1 komente në “Shtyrja e datës së zgjedhjeve, Milo: Vendimi më ekstrem. Ja ku e ka shkelur PS kontratën me ne”

  1. Shpetim says:

    Nje gje nuk kuptoj,ku e gjejne te drejten keta politikane qe thone pa te keq te shtyhen zgjedhjet. Zgjedhjet behen ne baze te kushtetutes, jashte saje eshte shkelje ligji. Votimet nuk jane te te politkaneve e te partive , por eshte e popullit , i cili vendos kush do te qeverise. Jeni ju politikane qe per llokma pushteti beni akrobacira te tilla. Kur ju doni te shkelni ligjin, atehere a mund te beheni te besueshem per te drejtuar shtet. Por mos harroni qe shteiti vepron sipas ligjeve. Prandaj lerini denglat, datat jane dekretuar nga presidenti dhe jane shpallur nga KQZ. Kush do te marre pjese ne gare te respektoj afatet, kush nuk do te mos hyje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje