Ditari i Megi Pjeshkës: Si kuptohet skenari i luftës rrugë më rrugë, të hënën!

Sot ka qenë një ngjarje e veçantë. Aleatët e PD u mbyllën në një çadër me Lulin dhe pas takimit dolën me një plan konkret të betejës rrugë më rrugë.

U bëra shumë kurioze përse Luli në rast lufte nuk mbledh Kryesinë e PD, por mbledh aleatët, por këta na e sqaroi Flamuri në çadër:

“Ky aksion ka rëndësi historike. Të pestë aleatët e PD premtuan se do të hidhen në betejë ditën e hënë sipas një plani të mirëkordinuar.

Nardi dhe Vangjeli kanë përvojë nga opozita me Edi Ramën për djegie gomash dhe bllokim rruge, dhe do na japin idetë e tyre.

Nga ana tjetër, ata kanë dhe mbështetje të fortë gjeografike, njëri në veri dhe tjetri në jug të Shqipërisë, ku PD ka probleme.

Kështu që Malësinë e Madhe dhe Dropullin e Himarën e siguruam.

Nikollaqi do të furnizojë protestueset me fara të thata, pasi kjo mund të shmangë ndonjë helmim apo zënie barku.

I vetmi dyshim është se mos i ka me krimba, por kjo do shikohet pas të hënës.

Gon Duka ka marr përsipër Shijakun, Ndroqin dhe Peqinin, pasi siç dihet, kush ka Shijakun dhe Ndroqin, nuk pyet për gjermanin dhe inglizin.

Fatja do të mbulojë Fierin dhe Vlorën, por do t’i japë një dorë dhe në Kavajë.

Plani është që të bllokohen rrugët, të ndizen goma, të bllokohen arteriet kryesore me qëllim që dy negociatorët të kthehen nga rruga dhe të dështojë plani i Edi Ramës për të futur opozitën në zgjedhje, pa qeveri teknike.

Nga burimet tona, ata duan të na ofrojnë ne më pak se ç’na ofron Edi Rama dhe dhjetra herë më pak se na ka premtuar Ilir Meta.

Kjo është e papranueshme dhe nuk ka për të ndodhur.

Të hënën Shqipëria do ndizet flakë, për t’u dukur tymi që nga Brukseli.

Ne si PD kemi sektorin më të rëndësishëm.

Do bllokojmë rrugën Rinas-Tiranë me forcat e Xhelalit, me qëllim që Knuti dhe MccAllister të mos mbërrijnë në Tiranë.

Atyre duhet t’ua djegim letrat në duar.”

Në cadër shpërthyen duartrokitjet.

-Kam një propozim, tha shoku im nga Laçi.

Çunat e mi punojnë në Bruksel. Ma tregoni ku e kanë zyrën këta shkërdhata, se shkojmë ua djegim gomat para zyrave e ua krefim shtëpitë.

-Do ta gjej e do t’u them, i tha Flamuri.

Përsëri duartrokitje.

-Ata dështuan herën e parë me turp me ministrin Gabel të Gjermanisë. Ata do dështojnë dhe herën e dytë me të dërguarit e Sorosit, tha Flamuri.

-Si të duket ty kjo punë, i thashë deputetit Ruli?

-Ç’të të them vajzo, më tha. Kjo punë qenka si ai burri që kishte dështuar dy herë të vriste vjehrrin dhe  e kishin nxjerrë në gjyq. Prokurori kërkoi të dënohej se kishte tentuar dy herë të vriste vjehrrin (në këtë rast prokurori është çadra, kurse i akuzuari është Luli.)

Gjykatësi po dëgjonte me vëmendje të pandehurin dhe ju dhimbs shumë.

Ai po justifikohej se nuk ka dashur ta vrasë vjehrrin, dhe se po e dënojnë kot.

-Unë si gjykatës mendoj se i duhet dhënë dhe një herë shansi, tha ai.

Dhe këta më duket se po i japin dhe një herë shansin Lulit të vrasë vjehrrin. Po nuk deshi, nuk deshi.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *