Tri paralajmërimet e Shqipërisë për idenë për Tregun Rajonal të Ballkanit

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë një konference në Uashington, kundërshtoi idenë e krijimit të një bashkimi tregtar mes shteteve të Ballkanit. Ai gjithashtu lavdëroi punën që Zyra e BIRN po bën në Shqipëri.

Duke folur në një konferencë në German Marshall Fund në Uashington rreth “punëve të papërfunduara” në Ballkanin Perëndimor, Bushati i cili po qëndron këtyre ditëve në Amerikë, tha se rajoni është duke u përballur me sfida të shumta të natyrës politike të cilat, sipas tij, po pengojnë bashkëpunimin edhe në çështje tjera.

Një ndër to është edhe funksionimi i linjës së interkonjeksionit të energjisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po mbahet e bllokuar nga Serbia.

Bushati po fliste për këto çështje kur u pyet në konferencë nga drejtorja e Zyrës së BIRN në Kosovë, Jeta Xharra.

Ai tha se ka diskutuar për çështjen e energjisë në takimet e tij në bankën Botërore në kuadër të ngjarjeve të Spring Meetings, por nuk dha ndonjë sinjal se linja, e cila është një investim shumëmilionësh i qeverisë gjermane, mund të zhbllokohet në një të ardhme të parashikueshme.

“Jemi duke u përballur me një situatë të vështirë politike ku vija ndërmjet interesave politike dhe ekonomike nganjëherë është shumë e vështirë të detektohet në mënyrë të duhur”, tha Bushati duke u përgjigjur në pyetjen e Jeta Xharrës.

Ankesat e Bushatit vijnë në një kohë kur në rajon janë dhënë ide për krijimin e një tregu të përbashkët në të cilin do të përfshiheshin Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria.

Përderisa thotë se duhet të vlerësohet fizibiliteti i kësja iniciative, Bushati shprehet se rajoni ka pengesa politike të cilat, sipas tij, e pamundësojnë jetësimin e idesë.

“Nuk mund të ketë treg rajonal pa një union doganor dhe nuk mund të kemi union doganor nëse vendet nuk e njohin njëra- tjetrën”, tha ai.

Në vend të kësaj, kryediplomati shqiptar u shpreh në favor të një qasjeje “të balancuar dhe realiste” kur është fjala për bashkëpunimin rajonal.

“Ne do ta favorizonim çdo bashkëpunim rajonal që nuk shihet si alternativë për anëtarësim në BE”, tha Bushati duke e renditur këtë si paralajmërimin “numër një” të Tiranës zyrtare.

Në paralajmërimin e dytë, sipas Bushatit, iniciativat e reja nuk duhet të bazohen në ide të vjetra.

Në këtë drejtim, Bushati denoncoi idenë si përpjekje për rikrijim të Jugosllavisë së dikurshme, me Serbinë që përpiqet ta mbajë bajrakun e kësaj iniciative.

Megjithëse në këtë iniciativë nuk përfshihen Sllovenia e Kroacia si vende që tashmë janë anëare të BE-së, në listë ka hyrë Shqipëria, si shtet që nuk ka qenë pjesë e federatës së shpërbërë në vitet 1990 si pasojë e luftës së përgjakshme që mori jetët e qindra- mijëra personave në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.

“Nuk duam të kthehemi prapa në ato kohëra. Ne po shikojmë përpara drejt Bashkimit Europian”, tha Bushati.

Në paralajmërim të tretë Bushati përmendi nevojën që çdo iniciativë ta sjellë rajonin e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së dhe NATO-s.

“Panorama jonë është mjaft e ndryshme. Në Ballkanin perëndimor kemi shtete anëtare të NATO-s, kemi shtete që nuk i kanë të institucionalizuara marrëdhëniet me NATO-n (Kosova) edhe pse Kosova po e kërkon këtë dhe kemi si Serbia e Bosnja që po avokojnë qëndrime neutrale ndaj NATO-s”, tha ai.

Përderisa Bushati po fliste në Uashington, në vendlindjen e tij në Tiranë kriza politike po thellohet gjithnjë e më shumë.

Me opozitën që ka bojkotuar çdo përfshirje në institucione në pritje të votimeve kruciale në parlament për reformën në drejtësi, ministri Ditmir Bushati tha se ka një iniciativë nga partia e tij (Partia Socialiste) për t’iu përshtatur më mirë kërkesave të Kodit Elektoral dhe Ligjit për dekriminalizim i cili është miratuar në Kuvend.

Me zgjedhjet parlamentare të shpallura të mbahen më 18 qershor, ligji pretendon që njerëzit me të kaluar kriminale të mos mund të kandidojnë.

“Besoj se listat e kandidatëve do të jenë të pastra dhe jam një nga politikanët që avokojnë për këtë sepse besoj që Shqipëria ka burra dhe gra të talentuara në tërë spektrin politik, por në të njëjtën kohë duhet ta dimë se këto fenomene që i kemi parë në rastin e Shqipërisë nuk janë fenomene tipike shqiptare. Së fundmi këtë e kemi parë edhe në skenën politike italiane, fenomene të njëjta dhe Ligji ynë për Dekriminalizim është frymëzuar nga legjislacioni italian, por në rastin tonë është më strikt”, tha Bushati.

Por ai tërheq vërejtjen se fakti që ligji është më strikt nuk nënkupton se po ai implementohet në tërësi.

“Ka hapësirë për përmirësime prandaj e marr kritikën si reflektim për më shumë vendosmëri politike në ballafaqimin me këtë fenomen dhe jo të mbesim vetëm te miratimi i ligjit”, tha ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Zyra e BIRN në Shqipëri në vazhdimësi ka publikuar hulumtime për përfshirjen e njerëzve të politikës shqiptare në aktivitete të dyshimta në të kaluarën e tyre brenda në Shqipëri apo jashtë në emigracion.

Përkundër asaj që shefi i Bushatit, kryeministri Edi Rama, kishte paralajmëruar padi ndaj BIRN-it në Shqipëri kur u publikuan hulumtimet për përfshirjen e njerëzve të afërt të partisë së tij në aktivitete kriminale, Bushati pati fjalë të mira për punën që kjo organizatë po bën në Tiranë.

“Dua ta përgëzoj BIRN për punën që po bën në vendin tim (Shqipëri). Keni publikuar disa raportime shumë interesante të cilat nuk ishin shumë mirëpritura nga secili në skenën politike shqiptare”, tha ai.

“Mendoj se kemi nevojë për më shumë raportime të tilla nga BIRN dhe dua ta inkurajoj punën e gazetarisë hulumtuese në fqinjësinë tonë sepse kemi nevojë për më shumë njerëz profesionalë, sidomos në shoqëritë tona ku vija mes medias, biznesit dhe politikës, në disa raste po mjegullohet”, shtoi Bushati.

Deklaratën e ministrit Bushati në anglisht (audio) si përgjigje ndaj pyetjeve të Jeta Xharrës, mund ta dëgjoni më poshtë. Deklarata është incizuar nga seksioni në shqip i “Zërit të Amerikës”./kallxo.com

2 komente në “Tri paralajmërimet e Shqipërisë për idenë për Tregun Rajonal të Ballkanit”

  1. Milan says:

    Bravo z,Bushati jeni nder politikanet me te zot te Shqiperise,RESPEKT

  2. kuq e zi says:

    bashkimi doganor rajonal eshte fitorja e serbise ne politike ate qe humbi ne lufte
    asnje bashkim tjeter pervec atij ne be ose bashkim kombtar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X