ANALIZA/ Fitorja e dyshimtë e Erdogan nuk ia del t’i japë fund krizës në Turqi

21 Prill 2017, 17:53Bota TEMA

Referendumi i fundit në Turqi, që synonte t’i jepte Erdoganit fuqi më të mëdha, nuk ia ka dalë të zgjidhë këtë çështje polemike dhe vetëm sa ka shtuar tensione të reja.

“Pas referendumit dhe të gjitha parregullsive serioze, tensionet në vend dhe jashtë tij po rriten”, tha për BIRN një analist turk, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimit për jetën, pasojë e klimës aktuale shtypëse në Turqi.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan pretendoi për një fitore absolute në referendumin e 16 prillit, ku sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, 51.3 për qind e turqve votuan në favor të rritjes së kompetencave të tij.

Por rezultatet nuk janë pranuar nga opozita dhe janë vënë në pyetje nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët kanë paralajmëruar për manipulim dhe parregullsi të tjera.

Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë, YSK, ende nuk i ka nxjerrë rezultatet zyrtare, pasi ka lajmëruar se po shqyrton akuzat e shumta. Edhe për dhjetë ditët e ardhshme nuk pritet të konfirmohen rezultatet, gjë që është shumë e pazakontë për sistemin zgjedhor të Turqisë.

Pavarësisht këtij procesi, opozita ka njoftuar se nuk do ta pranojë rezultatin, gjë që “në thelb e bën atë të paligjshëm”, tha analisti.

Një aktivist nga një parti opozitare i tha BIRN se fitimi i supozuar i referendumit në fakt “mund të ishte fillimi i fundit të Erdogan”.

Kjo sepse referendumi tregoi se Erdogan kishte humbur mbështetjen e rëndësishme në të gjitha qytetet e mëdha, ndërsa akuzat për mashtrim të zgjedhjeve kanë bashkuar opozitën, deri tani të dobët dhe të përçarë të vendit.

Rezultati polemik rrit pasigurinë:

“Me referendumin që po krijon polemika të reja, në vend që të zgjidhen ato të vjetrat, situata në Turqi mbetet edhe më e pasigurt”, tha një analist.

Shumica e ekspertëve politikë druhen se pas referendumit – i cili nuk ishte as një fitore e thellë por as një humbje poshtëruese për Erdogan – presidenti do të përpiqet të përshkallëzojë atmosferën e krizës.

Kjo mund të nënkuptojë shtypje të reja ndaj opozitës brenda vendit, si dhe një qëndrim të ashpër kundër BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.

Në natën kur u mbajt referendumi, Erdogan njoftoi edhe dy referendume të mundshme – njëri për rivendosjen e dënimit me vdekje, kthimi i të cilit do të zemëronte BE-në dhe tjetri për të ardhmen e procesit të pranimit në BE, zyrtarisht ende aktiv, por i bllokuar nga BE-ja dhe Ankara.

Referendumi dhe represioni politik i mëtejshëm, do të rrisin tensionet në nivel vendor dhe ndërkombëtar, bien dakord ekspertët.

Në këtë situatë, gjendja do të varet nga ajo që opozita dhe aleatët e saj ndërkombëtarë do të bëjnë.

Opozita nuk pranon rezultatet e referendumit

Pas një ngurrimi në fillim, opozita duket se ka vendosur të mos e njohë rezultatin e referendumit.

“Nuk e njohim dhe kurrë nuk kemi për ta njohur rezultatin. Këshilli i Lartë Zgjedhor pranoi kuti votimi të pavulosura përmes një vendimi skandaloz”, tha në Tëitter më 19 prill, Kemal Kilicdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane.

Ai tha se vendimi i YSK kishte treguar se fushata “Jo” kundër Erdoganit kishte fituar referendumin. “Ata duhet të respektonin vullnetin e njerëzve”, tha ai.

YSK pranoi kuti votimi të pavulosura në ditën e referendumit, edhe pse kjo është në kundërshtim me ligjin.

Ekspertët thonë se është thuajse e pamundur të dihet se sa kuti janë pranuar në këtë mënyrë, pasi anëtarët e partisë në pushtet, i vulosën gjatë numërimit kutitë e pranuara me vendim të YSK.

Deputeti austriak dhe vëzhguesi i Këshillit të Europës për referendumin, Alev Korun tha më 17 prill se më shumë se 2.5 milionë vota mund të jenë manipuluar në këtë dhe në forma të tjera.

“YSK nuk mund ta interpretojë ligjin në mes të një referendumi. Kushtetuta është shumë e qartë se kutitë e pavulosura duhet të mos merren parasysh. Vendimi i JSK-së padyshim është i paligjshëm,” tha për BIRN një ekspert ligjor turk nën anonimitet.

JSK e njoftoi vendimin e vet përfundimtar më 19 prill dhe e hodhi poshtë kërkesën e CHP dhe HDP, për të anuluar referendumin.

Pas kësaj, CHP tha se do të apelojë në Gjykatën Kushtetuese për të anuluar referendumin. Nëse gjykata e hedh poshtë ankesën, CHP tha se do ta çojë çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ.

Ka ende shpresë se demokracia turke është gjallë

Ndërkohë që rezultatet e pakonfirmuara i dhanë fitoren Erdogan, aleanca e sapokrijuar me Partinë e Lëvizjes Nacionaliste, MHP, duket se nuk i solli atij shumë fitim.

Në zgjedhjet e përgjithshme, këto dy parti fituan së bashku rreth 61 për qind të votave.

Në referendum – me të gjitha parregullsitë e supozuara – fituan së bashku 51.3 për qind, duke treguar se edhe së bashku, partitë kishin humbur shumë mbështetës.

Rezultatet paraprake treguan gjithashtu se Erdogan humbi në qytete të mëdha si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Antalia, Adana, Mersin dhe Dijarbakır.

“Kjo patjetër që nuk është fitore. As Erdogan dhe ekipi i tij nuk ndihen si fitimtarë”, tha për BIRN një ekspert.

“Të rinjtë dhe njerëzit në qytetet e mëdha, ku ekziston një arsimim, të ardhura dhe status social më i mirë, votuan për ‘Jo’. Kjo është shpresë për demokracinë turke, pasi këta njerëz janë e ardhmja e vendit,” përfundoi ai.

Hulumtimi i IPSOS i publikuar pas referendumit më 19 prill tregoi se 70 për qind e votuesve me arsim fillor dhe 63 për qind e publikut me arsim të mesëm kishin votuar “Po”, ndërsa 58 për qind e atyre me arsim të mesëm dhe 61 për qind e atyre me arsim të lartë kishin votuar “Jo”.

I njëjti kërkim tregon gjithashtu se 73 për qind e mbështetësve të MHP votuan “Jo”, edhe pse udhëheqësi i MHP, Devlet Bahceli mbështeti Erdoganin. Sipas këtij hulumtimi, Erdogan humbi të paktën 10 për qind të mbështetësve të tij në referendumin e përgjithshëm.

Ekspertët thanë se një tjetër rezultat i rëndësishëm i referendumit ishte se ai kishte bashkuar grupet e shumta dhe shpesh divergjente të Turqisë, përfshirë republikanët, sekularët, konservatorët, liberalët, nacionalistët, kurdët dhe grupet e tjera minoritare.

“Kjo aleancë duhet të vazhdojë për hir të demokracisë dhe lirisë. Ajo provoi se njerëzit akoma duan të jetojnë në një vend demokratik; Numri shumë i lartë i votës “Jo” do të kufizojë gjithashtu shtypjen e Erdoganit,” parashikoi një analist.

“Perëndimi dhe BE-ja nuk duhet të heqin dorë nga Turqia prej fitores së Erdoganit. Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme përmes të cilës Erdogan gëzonte përkrahje të plotë shtetërore dhe me të cilën sulmoi opozitë [të paktën] 48.7 për qind e njerëzve në Turqi votuan ‘Jo’. Kjo është e jashtëzakonshme. Ende ka shpresë për demokracinë turke!” përfundoi ai.

Aktorët ndërkombëtarë dyshojnë te fitorja e Erdogan:

Pasi dolën rezultatet e para të cilat treguan se Erdogan kishte fituar me një diferencë të ngushtë, SHBA dhe BE u dukën shumë dyshuese rreth fitores së tij dhe në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve.

Raportuesja e Komisionit Europian për Turqinë, Kati Piri, paralajmëroi se Turqia kishte pranuar një sistem presidencial me pothuajse asnjë kontroll dhe balancë, ku presidenti mund të sundojë si autokrat.

“Është padyshim një ditë e trishtë për të gjithë demokratët. Me këtë model shtetëror të pranuar është e qartë se Turqia nuk ka vend në BE. Nëse Turqia nuk e ndryshon këtë sistem, procesi i pranimit të vendit mund të pezullohet,” shtoi ajo.

Ajo theksoi se miliona qytetarë turq gjithsesi kishin mbështetur vlerat e BE-së duke votuar “Jo”, ndërsa ky numër ishte shumë më i lartë nga sa pritej pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme dhe presionit qeveritar.

Sipas Pirit, BE-ja do ta japë vendimin e saj përfundimtar rreth legjitimitetit të referendumit pasi Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE të paraqesë raportin e vet përfundimtar.

Kryetarja e misionit të OSBE, Tana de Zulueta, tha të hënën se disa nga kundërshtarët e Erdoganit qartazi kishin qenë nën presion të policisë gjatë fushatës dhe se liria e shprehjes ishte shkelur, duke çuar kështu në një “lojë të pabarabartë”.

Më 19 prill, Erdogan kritikoi deklaratat e vëzhguesve të OSBE dhe i akuzoi ata si anëtarë të “organizatave terroriste”.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel tha pas referendumit se krerët turq duhet të hapin dialogun me kundërshtarët e tyre dhe me BE-në, ndërsa qeveria franceze e paralajmëroi Erdoganin që të mos e përdorte rezultatin për të kthyer dënimin me vdekje.

Merkel tha se Gjermania dhe BE-ja do të kërkojnë udhëzime nga Erdogan për pasojat e referendumit, ndërsa i bënë thirrje udhëheqësit turk të veprojë me “përgjegjësi”.

Thirrja e Erdoganit për të rikthyer dënimin me vdekje ka tërhequr një reagim alarmant në BE. Media njoftoi se ministri i jashtëm belg Didier Reynders tha më 17 prill se rikthimi i dënimit me vdekje do t’i jepte fund shanseve të Turqisë për t’u anëtarësuar në BE.

Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin ishin të vetmit liderë të rëndësishëm, të cilët e telefonuan Erdogan për ta përgëzuar atë për fitoren.

“Presidenti Trump e telefonoi Erdoganin për të diskutuar zhvillimet në rajon, interesat e përbashkëta dhe perspektivat me një vend anëtar të NATO-s”, konfirmoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Por një ekspert i politikës së jashtme turke tha për BIRN se “fitorja” e Erdoganit nuk ishte njohur gjerësisht.

“Vetëm disa liderë shtetërorë, me të cilët Erdogan ka marrëdhënie personale si Azerbajxhani apo Xhibuti e telefonuan Erdoganin për ta përgëzuar. Edhe Putini ishte shumë i matur në telefonatën e tij,” tha ai. “Kjo situatë minon legjitimitetin e sundimit të Erdoganit dhe të referendumit,” shtoi ai.

Fitorja e Erdogan, një test i rëndësishëm për BE-në:

Ndërsa Turqia rrezikon të rrëshqasë në sundim të një personi, ekspertët paralajmërojnë se braktisja e vendit vetëm sa do ta dëmtonte demokracinë turke dhe do të zvogëlonte kompetencat e mbetura imponuese të BE-së.

“BE ndodhet përballë një prove të madhe për Turqinë e Erdoganit, pasi strategjia e BE-së për të do të tregojë se si përballet BE-ja me autoritarët në Bashkimin Europian dhe fqinjët e saj, si Aleksandër Vuçiç në Serbi, Viktor Orban në Hungari dhe Nikola Gruevski në Maqedoni,” shpjegoi eksperti i politikës së jashtme.

Por ai tha se pezullimi formal i bisedimeve të pranimit vetëm sa do ta bënte Erdoganin më agresiv.

“Erdogan mund ta anulonte marrëveshjen  e refugjatëve, që do të ishte tmerruese për BE-në dhe ai mund të përpiqet të pengojnë BE-në në Ballkan. Në një mënyrë a një tjetër, ai ka kapacitet të ndikojë në vendete Ballkanit, veçanërisht te njerëzit dhe liderët myslimanë,” tha eksperti.

“BE-ja nuk duhet t’ia kthejë shpinën demokracisë dhe popullit turk,” shtoi ai.

“Ky referendum tregoi se gjysma e shtetasve turq do të donin të mbronin vlerat dhe liritë e BE-së. Bashkimi Europian duhet të gjejë mënyra të punojë me Turqinë; tani është çasti për të mbështetur demokracinë turke. Nëse BE-ja e braktis atë, nuk mund t’i shpëtojë pasojave më të mëdha”.

1 komente në “ANALIZA/ Fitorja e dyshimtë e Erdogan nuk ia del t’i japë fund krizës në Turqi”

  1. alb sapun says:

    Deri nga pranvera tjeter do ndahet Truqia
    Nje pjese e marin kurdet,nje pjese armenet dhe pjesen tjeter e marim ne megjithe Kostantinopolin dhe Vorio Epirin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje