Duhet shpikur një “Crocodile” për Bashën

21 Prill 2017, 17:02Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Torovica është një njësi administrative në Lezhë.  Banorët e saj kanë protestuar disa herë për problemet me rrugën e dëmtuar. Të premten ata kanë kërcënuar se do të bllokojnë rrugën nacionale Shkodër – Lezhë për të tërhequr vëmendjen e strukturave shtetërore për hallin e tyre, që padyshim, si të gjitha hallet shumëngjyrëshe të komunitetin në Torovicë a gjithkund gjetkë në Shqipëri, janë probleme ekzistenciale.

Në çdo prag zgjedhjesh, në veri apo dhe në jug të vendit, ka pasur gjithmonë lajme të tilla në kronikë. Banorë të revoltuar për arsye të ndryshme, por kurdoherë të ndershme, kanë protestuar, kanë bllokuar për ca kohë rrugën dhe kanë kërcënuar me bojkot të zgjedhjeve. Në rastet me fat protesta e tyre është bërë lajm në televizionet kombëtare. Zakonisht ka pasur zgjidhje emergjente për problemin e tyre – gjithmonë në rastin më të mirë – dhe pastaj, rast pas rasti, historia e protestës lokale është harruar. Të paktën kështu ka qenë deri më tani. Sepse tani e tutje premtohet të jetë ndryshe. Duke nisur me momentin që shënon bllokimin e rrugës absolutisht më të gjatë dhe më të pamundur në Shqipërinë politike: rrugën që shkon nga monologjet vetjake në dialog mes palësh.

Opozita shqiptare ka premtuar të radikalizojë edhe më tej qëndrimet e saj duke shkuar drejt mosbindjes civile. Ajo ka shpallur bllokim të trafikut në të gjitha akset nacionale në ditën e hënë për një orë. Njëlloj siç ka paralajmëruar se do të bllokojë zgjedhjet e parakohshme e lokale në Kavajë. Ky është një lajm që ka një jetë shumë më të gjatë se tre ditët e zakonshme të çudisë. Sepse është vetëm një segment i asaj çka pritet të ndodhë edhe më pas. I gjithë aksioni politik i nisur që në 18 shkurt, siç pretendon sërish opozita, bëhet për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe të lirë dhe standarte të pranueshme për to.

Ka shumë pikpyetje nëse kjo është rruga më e mirë për të realizuar këtë synim, por ca gjëra janë të qarta. Duke nisur me garancitë për zgjedhjet. Edhe kur kërkohen nga rruga, garancitë legale vendosen në tavolinë. Dhe tavolina e bisedimeve nuk po duket ende në horizont. Se edhe armiqtë e betuar – siç ka ndodhur edhe mbas luftrave botërore – janë ulur në tryeza dhe kanë firmosur paqe. Dhe se nuk ekziston asnjë shans tjetër që në politikë paqja të vijë nga lufta. Dhe nga lufta me ultimatume. Kush tërheq, duhet të dijë edhe të lëshojë.

Cënimi i standarteve zgjedhore dëmton të gjithë. Edhe Edi Ramën dhe Ilir Metën, fituesit eventualë të tyre. Zgjedhjet me refuzimin e opozitës për të marrë pjesë në to, nuk prodhojnë zgjidhje për krizën, nuk garantojnë legjitimitet moral të strukturave që prodhojnë, por garantojnë padyshim legjitimitet kushtetues. Ato mund të prodhojnë supermaxhorancë e cila thjesht do të binte nga pesha e saj. Mbas qershorit mund të prodhohet një “qershor” i ri “bis” në formën e zgjedhjeve të parakohshme, por opozita më e madhe në vend, PD-ja, ndërkohë do të jetë dëmtuar rëndë nga bojkoti i saj. Dhe ndoshta edhe në mënyrë të pakthyeshme. Bojkoti për momentin është bregu i vetëm ku po e tërheq zvarrë kryetari i ri i saj, që vetë, është gjithashtu duke u tërhequr zvarrë nga sharmi i radikalizmit. Një sharm i parezistueshëm në Ballkan, pre e të cilit dikur kishte rënë, sa për kronikë, edhe kundërshtari i tij Rama vite më parë.

Shqipëria vazhdon të jetë një vend që i falet vullnetit të individëve dhe jo institucioneve që duhet të kontrollojnë dhe ekuilibrojnë njëri-tjetrin. Stabiliteti i saj është shumë i brishtë pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve. Ato mund të destabilizohen edhe duke bllokuar rrugët. Edhe me tre-katër krisma diku apo një shtyllë tensioni të lartë të hedhur diku më tej në erë. Zhurma do të dëgjohet në Tiranë, por duart do të fërkohen padyshim gjetkë. Si ilustrim i frikshëm i faktit se rruga më e gjatë në Shqipëri, se rruga më e pamundur në vend, është padyshim rruga që çon nga monologu në dialog. Për këtë rrugë të pandërtuar kurrë në Shqipëri ja vlen të protestohet. As në Torovicë, as në Tiranë, as në Kavajë, Tropojë apo Sarandë, askund nëpër Shqipëri, shqiotarët nuk meritojnë të ketë një krizë të ngjashme me Shkupin. Askush nuk duhet të ketë si menu të detyruar sallatën maqedonase! Cilido qoftë kamerieri që e shërben. Kjo është vija e fundit e kuqe në këtë nxirrje të befasishme të rrethanave që po prodhojnë spiralen e një krize të frikshme. Ndaj duhet gjetur dhe nëse nuk gjendet dot, duhet shpikur një “Crocodile” për Bashën, jo për ta kafshuar, por për ta shpëtuar atë. Kryetari i PD-së, çuditërisht, përkundër gjithë pritshmërive fitoi një sërë betejash, por do duket se do të humbë luftën pikërisht sepse nuk diti të tërhiqej në momentin e duhur për të gjetur Crocodile-n e tij. (Javanews.al)

7 komente në “Duhet shpikur një “Crocodile” për Bashën”

  1. kapo says:

    Interesant ky papagalli I Metes, ka ze te trashe…

  2. Meti says:

    POSHTË OPOZITA E INKRIMINUAR
    DESTRUKTIVE!
    POPULL OPOZITAR !
    MOS VEPRONI SYMBYLLUR!
    MOS DËMTONI VENDIN TUAJ!
    BASHA DHE BERISHA ,ZPO TJU DONIN,
    JU KISHIN NDIHMUAR KUR ISHIN NË PUSHTRT
    8 VJET!
    KANË HALLIN E TYRE!! MOS U GËNJENI.!

  3. likja says:

    Nuk ka nevoje te perballet Basha me ndonje “krokodil” per “te vene mend”. Mjafton ti dale ky bajlozi i Metes perpara qe ta “trembe”.

  4. Mihali says:

    Eshte shpiku “korkodili”por i thon ndryshe nga ky Emer I thon “Reformes ne drejtesi ” qe I duket lule korkodili para ketij super korkodili gjigand.

  5. Mihali says:

    Eshte shpiku “korkodili”por i thon ndryshe nga ky Emer I thon “Reformes ne drejtesi ” qe I duket lule korkodili para ketij super korkodili gjigand.
    Basha tundi feren t’i dal Lepuri por I ka dal ARUSHA dhe nuk di nga t’ja mbaj.

  6. LORA says:

    Nje mish-mash I sforcuar,duke perdorur pa lidhje edhe protesten e drejte te banoreve te Torovices,,,,e per te dale tek nje “krokodil” i ri per nevojtaret arixhinj te cadres se krimit e turpit pa limit.
    Kaq te veshtire e ke more L.Vangjeli te kuptpsh dhe artikulosh bllokimin kriminal qe po I ben shqup-i rruges europianizuese te shtetit te shqiptareve ??
    Ku e sheh ti te drejten e ketyre barbareve per kauze zgjedhjesh te lira e te drejta ,,,,,ketyre, qe themeluan dhe derdhen gjak shqiptaresh te pafajshem per republiken e vjedhjes e perdhunimit te votes se shqiptareve,,,per nje cerek shekulli ???
    Edhe nje Olldash qe doli e foli per here te pare (para se t’a vrisnin) se duhej dhene fund praktikes se shitblerjes se votes ;e cuan tek te shumtet.
    Lorenc, ata duhen lene te NGORDHIN ne cader,e jo te ndihmohen sic bene nano-kurvat me mortjemadhin brekedhjere me 1997-en dhe 1998-en,,,,,,opozitat e pozitat shkojne e vijne dhe kete tager e kane ne dore vetem shqiptaret.

  7. ABC says:

    Ke qene nga te paktit o Lorenc qe i theshe gjerat ashtu sic ishin. Ter ata analistet e tjere dhe jo vetem dukeshin shume te vegjel para teje. Por….qe kur ju bashkove krahut te gabuar, ter shkrimet apo ter analizat e thua nga njehere me duket se as vet nuk i beson.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje