Republika e re dhe çelësi që Basha do hedhë në Lanë

22 Prill 2017, 09:26Politika TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Une nuk ju marr vesh gjëkundi juve-po më thoshte me një zë gjysmë të zvargur ambasadori iranian dikur. Ju na qani hallin neve për marrëdhëniet me amerikanët dhe bëni sikur mbani qëndrime kundra nesh. Ne vetë me amerikanët bëjmë tregti të mirë, shumë madje…

Ambasadori e kishte në plan që të thërriste çdo javë drejtorët e gazetave dhe me një stil komunist dukej se bënte detyrën. Pra shpjegonte situatën ndërkombëtare… Më kujtoi vërtet stilin tonë të dikurshëm, kur në ara e fabrika bënin të njëjtën gjë propagandistët e partisë. Ambasadori më shpjegonte e shpjegonte dhe veç zvargies së zërit, po kuptoja edhe një ton gjysmë tallës nga ai. Por gjithsesi vazhdoi në emër të detyrës të më shpjegonte akoma…

Dëgjo, i nderuar amabasador-i thashë…

Ky vend ka qenë thuajse për dymijë vjet përpara sundimit prej Turqisë një vend tranzit. Pra vinin, kalonin, iknin etj., etj. Kjo deri në kohën e Turqisë, që e shndërroi në periferinë e perandorisë së saj.

Nga koha e saj, fitoi karakteristikat e një vendi feudal dhe aq.  Për një farë kancelarie apo administrate shtetërore, por gjithsesi të tipit feudal, mund të fillojmë të mendojmë nga koha e Vezirit të Janinës apo Bushatllinjve. Por në thelb ka qenë një vend tranzit, sepse prapë vinin e iknin deri në Luftën e Dytë.

Për këtë shkak, feudalët e saj krijuan një lloj kancelarie që i përshtatej kësaj lloj gjendjeje. Ata e respektonin Sulltanin e vjetër apo të ri, derisa ai i linte të qetë në pronat e tyre, apo ndryshe, në sundimin e popullit të tyre raja.

Nëse Sulltani i vjetër apo i ri, jua kërcënonte këtë pozitë dominuese, ata ngrinin krye dhe kaq. Përpiqeshin ndërkohë të ndërronin padron për të mbajtur gjithnjë pushtetin e rrëmbyer apo të dhuruar.

Kjo lloj kancelarie ka shoqëruar jo vetëm Vezirin e Janinës. Më pas ka shoqëruar edhe Ahmet Zogun, pastaj Hoxhën, Alinë, Berishën. Nuk çuditem që këtë zanat ta vazhdojnë edhe pasuesit e tyre.

Duket sikur Hoxha dallonte, por nuk ishte ashtu. Kur ai bërtiste kundër imperializimit dhe revizionizmit njëherësh, sa të krijohej përshtypja se po luftonte kundër gjithë botës, vetëm budallët apo militantët nuk e kuptonin se po shfaqte neutralitetin që të sundonte i qetë. E kuptonte aq mirë këtë lloj loje, sa bashkëpunëtorët e tij më thoshin se të vetmen faqe që kontrollonte me saktësi milimetrike ishte faqja e katërt e “Zërit të Popullit” për të parë barabartësi në goditjet. Pra për të qenë neutral sa të mundte. Po dhe ai, sa herë e shihte që tabloja ndryshonte, fillonte e kërkonte si të parët e tij Sulltanin e ri. Këtë bëri gjithë kohën… Pra, nëse e shihte rrezikun gjëkundi, fillonte dhe ai shakatë e vjetra të të parëve.

Si në njëfarë filmi të xhiruar, shpejt mund ta shohim edhe këto njëzet e pesë vjet tërë këtë vijë sjelljeje. Nanua iu vërvit amerikanëve dhe NATO-s nga viti ’92. Pastaj, po për llogaritë e veta, shkruajti në një gazetë amerikane periferike nga vitet 2004 a 2005, se Evropa nuk shpëtonte dot kurrë pa Amerikën.

Të njëjtën gjë analoge bëri dhe Berisha. Në vitin ’92 e quajti Amerikën shpëtimtare, po në kohën e piramidave iu vërvit edhe asaj si armike, duke e kthyer vështrimin nga Evropa. Për ta ribërë prapë lojën nga e para pas rikthimit në vitin 2005.

Nuk e quaj çudi që edhe pasardhësi i tij të bëjë të njëjtat hynere. Ndoshta fiks si Berisha, pra jo me gojën e tij vetë, por të tre a katër deputetëve të vjetër që i dinë mirë lojërat e feudalit të kopshtit të tyre. Pata rast ta vë re këtë qëndrim te Pollo a te Bumçi, etj., këto ditë pas ardhjes së ministrit të jashtëm gjerman. Nuk ka pse të çuditemi. Është shaka baballarësh apo gjyshërish…

Si të shpëtojmë nga këta lloj feudalësh që bëhen të rrezikshëm për vendin, kur pas tyre marshojnë edhe militantë besnikë apo pasues qorrë që humbin bashkë me të zotët privilegjet që kanë pasur apo që mund t’i kenë?

Ka idera në Tiranë që i duhet bërë ballë situatës. Pra duhet një pakt midis dy të mëdhenjve që të shpëtojë vendi njëherë e mirë. Të bëhen reforma bashkërisht.

Unë nuk i besoj këto, ashtu si nuk i besoj shakave të Bashës, që papritur thërret për një Republikë të Re parullë që nuk e di kë mund të mallëngjejë.

Besoj që, së pari, i duhet dhënë fund kësaj historie feudalësh të vegjël, që bërtasin tërë kohën duke gënjyer të tjerët se vendi është në tranzicion dhe nuk po del. E ndoshta për këtë duhet Republika e Re…

Çfarë besoj realisht? Thënë në shumë shkrime. Nëse vendi ynë është dhe ka qenë tranzit, e gjithë politika dhe strategjia kombëtare duhet të sillet rreth kësaj pike. Por jo për të ushqyer feudalët e saj, që sa herë rrezikojnë karrigen e tyre mbyllin urën e kalimit, apo kërcënojnë se do i vënë zjarrin asaj.

Besoj që është më e thjeshtë për të fituar betejën. Duke i treguar popullit epërsinë e vendit tranzit që e kemi dhuratë nga të parët. Epërsi që kërkon materalizimin e saj nëpërmjet porteve dhe hekurudhave që na lidhin me të tjerët. Duke i treguar popullit se duhen modernizuar ato instrumente që krijuan të parët për mbijetesën e tyre. Kaq e thjeshtë është puna.

Gandi i madh dhe i papërsëritshëm e bëri këtë punë duke çuar gjithë popullin të shihte se kripa që ishte e tyre duhej përdorur nga vetë indianët dhe kaq.

Kur Basha dhe pasuesit bërtasin për republikë të re, më vjen vetëm të qesh dhe të kujtoj baballarët feudalë. Nuk më duket gjë e re, siç thashë edhe më sipër, se do të kopjojnë ata. Do të thonë si Hoxha, se ka komplot ndërkombëtar kundër Shqipërisë e mbroçkulla të këtij lloji. Dëgjojeni ndonjëherë Bashën në çadër dhe kujtojini këto që thashë më sipër. A vlejnë?

Të përsëritura pa pushim, këto lojëra më rikujtojnë diçka që e kam përsëritur shpesh në shkrimet e mia.

Janë marrëdhëniet që karakterizonin Lindjen e Lashtë e shkaktoheshin nga mungesa e pronës private.  Zbriste një bandë nga mali me parulla që kërkonin të hiqnin hajdutët e të korruptuarit. Pas ca vitesh vihej një bandë tjetër me të njëjtat parulla dhe loja rifillonte nga e para, por pa ndryshuar gjë.

Fiks kjo ka ngjarë njëzet e pesë vjet këtu. A mund të ngushëllohemi apo të kemi frikë?

Këto njëzet e pesë vjet e kemi djegur nja tri herë vendin me të njëjtat parulla. Po a mundet prapë?

Besoj jo! Shumica e popullit e ka parë Perëndimin dhe e kupton se loja e këtyre bandave feudale ka marrë fund. I sheh nga larg me qesëndi dhe përpiqet ashtu me lodhje po të pafundme të largohet prej tyre. Me plagë të rënda, por me shpresë se bijtë, që me mundimin e Sizifit, duke u endur pa pushim nëpër rrugët e botës, do të ndërtojnë një vatër të re në Atdheun e të parëve, duke i parë gjithnjë e me përçmim feudalët e vjetër.

Ajo që shoh, duke e mbyllur këtë shkrim, është se dhe vetë Basha do të lodhet nga kjo përsëritje e pafund e gjërave. I mbytur në dembelizmin e tij tipik, nuk do të guxojë të djegë vendin. Nuk besoj edhe të vejë në Lanë, por do hedhë aty, ashtu si Nano dikur, çelësat dhe do shkojë në punë të tij. Republika e vjetër ka vdekur, por e reja nuk është punë e tij. (Konica.al)

Republika e re dhe çelësi që Basha do hedhë në Lanë

6 komente në “Republika e re dhe çelësi që Basha do hedhë në Lanë”

  1. Nemezi says:

    Jam e nje mendjeje. Puna eshte se Basha, ne ngultesine e tij prej provinciali aspak largpames e i dehur nga pushteti e i terrorizuar nga humbja, eshte gari qe per nje plesht imagjinar te djege krejt jorganin! Duke na lene ne te tjeret te kruhemi nese nuk e bllokojme me zgjedhje

  2. Treviso says:

    Luli ne Lane do hedhe çelsin e partise Demokratike me mendimin se pas hedhjes se çelsit te largohet nga Shqiperia per ne Holland. Kaqolat qe i shkojne pas do ngelin me gisht ne goje.

  3. LORA says:

    “Republika e re” eshte produkti surrogato ,ne sherbim te lebetiturve nga frika e reformimit qilizme ne drejtesi,,,,produkti ekskluziv i cadres,te cilin nuk e hane as qente,jashte cadres se krimit dhe turpit pa limit.Te merresh me te ,eshte nje kohe e cuar jabana.

  4. Bozen says:

    Z. Nazarko, kjo pune u be – bjeri qe ti biem- se akoma komunistet e kane fajin.

  5. v says:

    Ose do te vere dinamitin ne bres.

  6. Arber Iliri says:

    Po c’keni me Lulin e kuptoni se tani per here te pare po shijon ndjesine e genjeshtert se u be lider i Opozites.hahaha.I jane mbyllur syte nga kenaqesia e ndjesise si lider ne keto dy muaj e nuk i ndahet dot cadres.Si puna e gomarit qe kur ujku po e hante nga pas mbyllte syte e thoshte o zot inshallah jam ne ender.hahahaha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje