Uashingtoni kërcënon Maqedoninë: Dëgjoni zërin e qytetarëve dhe formoni qeverinë, ndryshe…

22 Prill 2017, 09:20Rajoni TEMA

Qëndrimi i Uashingtonit është i qartë: Qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit e parlamentit në dhjetor, po ashtu ka një shumicë të qartë në Parlament e cila pret që të formojë qeverinë, prandaj ajo duhet të krijohet.

Uashingtoni fton autoritetet e Maqedonisë të formojnë pa vonesë qeverinë e re. Politikanët në Maqedoni të cilët përpiqen që të bllokojnë formimin e Qeverisë, dëmtojnë stabilitetin e vendit dhe rajonit, prandaj këtyre politikanëve, mund të kërkohet të mbajnë përgjegjësi. Qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit parlamentar në dhjetor dhe ka një shumicë të qartë në Parlament e cila pret që të formojë Qeveri, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. “Shtetet e Bashkuara inkurajojnë liderët maqedonas që të bëjnë gjithçka që munden që të formuar një Qeveri pa vonesa të mëtejshme në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë me reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e familjes euro-atlantike.

Politikanët të cilët përpiqen që të bllokojnë formimin e qeverisë, e zhvlerësojnë sundimin e ligjit, proceset demokratike dhe stabilitetin në Maqedoni dhe në rajon”, vlerëson Departamenti i Shtetit. DASH do të punojë me partnerët evropianë për të inkurajuar këta politikanë që të ndalin opstrukcionet e tyre, duke përfshirë edhe mundësinë që të njëjtit të japin përgjegjësi për veprimet e tyre.

Ruzhin: Maqedonia mund të përballet me sanksione

Reagimi i DASH mbi krizën politike në Maqedoni, si edhe kërkesa për formimin pa vonesë të qeverisë së re  vlerësohet nga analistët politik në vend si një shpresë për zhbllokimin e ngërçit politik duke patur parasysh pozicionet e partive politike që janë aq të betonuara, sa që vështirë mund të ketë lëvizje nga vijat e tyre të kuqe pa një ndërhyrje të fuqishme nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin thekson se porosia e DASH-it në thelb përmban sanksione individuale ndaj aktorëve politik në Maqedoni, të cilat sipas tij do t’i mbështesin edhe shtete tjera të BE-së.

“Departamenti Amerikan i Shtetit shpreh qartë qëndrimin se politikanët të cilët bllokojnë formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit mund të ndëshkohen me sanksione individuale. Është ky apel që duhet t’i vërë në lëvizje politikanët vendorë”, vlerëson Nano Ruzhin.

Klasa politike duhet t’u qaset me kujdes thirrjeve të Uashingtonit në të kundërtën vendi mund të përballet me sanksione është i mendimit edhe profesori universitar Bashkim Selmani. “Udhëzimet nga faktori ndërkombëtar e diplomatik deri tani fatkeqsisht tek udhëheqësit e vendit kanë hasur në vesh të shurdhër. Tani mesazhet janë më konkretë, më decide, në rast se nuk përfillen këto mesazhe atëherë politikëbërja vendase mund të përballet me sanksione”, thotë profesor Selmani.

Shumica parlamentare duhet të jetë më aktive

Për profesorin e të drejtës ndërkombëtare, Denko Malevski qëndrimi i DASH për krizën politike në Maqedoni mund të ndikojë në lëvizjen e krizës nga pika zero. “Besoj se të gjitha këto reagime apo presione, pavarësisht se si interpretohen, në fund do të rezultojnë me sukses. Duke parë zhvillimet në katër muajt e fundit, që nga përfundimi i zgjedhjeve, apo edhe të viteve të fundit, nga politikanët tanë gjithçka mund të pritet”, thotë Maleski.

Për profesorin universitar Bekim Kadriu porositë që vijnë nga jashtë janë parapërgatitje për formimin e qeverisë nga shumica e re, e cila do të njihet nga faktori ndërkombëtar. “Vlerësoj se ata përgatisin terrenin, që nesër të mundet që një Qeveri e tillë e zgjedhur të ketë njohje edhe nga shtetet e BE-së dhe SHBA-ve, pra thjesht të ketë legjitimitet dhe mbështetje të plotë. Për shkak se zgjedhja e Qeverisë pa dhënien e mandatit do të jetë një masë e jashtëzakonshme si rezultat i shkeljes së Kushtetutës nga vetë Presidenti Ivanov”, shprehet profesor Kadriu.

Analisti politik Nikolla Dujoski është i mendimit se partitë e koalicionit të ri parlamentar duhet të shpërfillin VMRO-në e Nikolla Gruevskit dhe vetë të votojnë institucionet e reja, pasi në të kundërtën, rrezikojnë të humbin mbështetjen tek elektorati. “Kemi një shumicë parlamentare, ata duhet ta kryejnë punën e tyre. Çdo ditë e humbur është humbje për Maqedoninë. Deri në formimin e Qeverisë kjo mbështetje për ta mundet të mbetet, por nëse ngërçi nuk zgjidhet qytetarët do të kërkojnë zgjedhje tjera”, thotë Dujovski. Presidenti Gjorgji Ivanov dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski përmes deputetëve të partisë së tij kanë bllokuar zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, duke vlerësuar se platforma e shumicës parlamentare rrënon themelet e shtetit unitar maqedonas, pasi me të i hapet rruga ndryshimit të Kushtetutës dhe federalizimit të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje