Fatos Klosi: Basha i ka shpall luftë vetes! Pas skenarit të bllokimit të rrugëve qëndron Berisha, ndërkombëtarët do ta nxjerrin nga çadra

23 Prill 2017, 13:15Politika TEMA

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, një nga figurat më aktive në komentimin dhe analizimin e ngjarjeve politike në vend, flet për bojkotin e opozitës, bllokimin e rrugëve ditën e hënë, rolin e ndërkombëtarëve dhe fatin e koalicionit PS-LSI.

Klosi shprehet se pas skenarit të bllokimit të rrugëve qëndron Sali Berisha, por me këtë sjellje, Lulzim Basha po i shpall luftë vetes.

Ai thotë se Basha po humb shumë pikë me çadrën në bulevard dhe po e dobëson PD, në vend që ta ringrejë atë. Fatos Klosi për “Sot” shpreh besimin se ndërkombëtarët do ta nxjerrin Bashën nga çadra, dhe do ta bindin të marrë pjesë në zgjedhje, megjithëse PD i ka të humbura zgjedhjet.

Opozita ka paralajmëruar se ditën e hënë do të organizojë një protestë madhështore, duke bllokuar rrugët. Si e shihni protestën e opozitës, e cila po zhvendoset nga çadra, te bllokimi i rrugëve?

Opozita po i shpall luftë vetes me këtë sjellje, kundrejt popullit dhe ndërkombëtarëve. Është çmenduri të bllokosh rrugët, sepse cila është arsyeja?! Të protestosh është normale dhe të marrësh leje të protestosh në një shesh, në një rrugë, në një qytet është më shumë se normale; është një formë e shprehjes së opinionit tënd, dëshirave të tua, etj. Por të bllokosh rrugët është një akt kundër vendit, kundër jetës normale të vendit; është një protestë absolutisht e paarsyeshme. Ja i bllokove rrugët, çfarë do fitosh? Kryeministri është në të drejtën e vet. Ai do e lërë mandatin që i ka dhënë popullin, në ditën që i takon.

A mendoni se tentativa e bllokimit të rrugëve nga opozita, ka lidhje me vizitën e ndërkombëtarëve në Tiranë,  ditën e hënë?

Opozita po bën të kundërtën në ditën që do të vijnë ndërkombëtarët, për t’i mbushur mendjen Lulzim Bashës për të lënë çadrën. Tani, përveç bulevardit, këta do bllokojnë dhe rrugët. Më duket komplet absurde! PD është në ditë të keqe! Nuk po iu ecën ajo që kanë menduar me çadrën. Nëse dalin nga çadra dhe bëjnë një gjë që është më e rëndë, tregon që llogaritë e çadrës nuk iu kanë dalë. Pas dy muajve, çadra nuk ka bërë asnjë efekt. Po pas bllokimit të rrugëve, çfarë do bëjnë? Kjo sjellje dëmton vetë PD dhe aleatët e saj që i qëndrojnë pranë. PD thotë se në Parlament ka kriminelë dhe trafikantë droge. Po pse nuk e vënë gishtin dhe të thonë ky është? Le të na i thonë se cilët janë. Kjo është një përrallë për të justifikuar qëndrimin në çadër. Nëse kanë fakte t’i çojnë në prokurori dhe të na i mbushin mendjen që të mos votojmë këtë qeveri. Ky është një nivel foshnjor i opozitës! Bllokimi i rrugëve nuk  mund të përdoret për të siguruar zgjedhjet e lira. Ata që do vijnë, do shohin se këtu ka një absurditet. Ky është një presion i opozitës që bëhet për të thënë që jemi dhe neve këtu. E kuptuan se çadra nuk mjaftoi. Çadrën e mbajtën dy muaj, i shpëtoi nga shiu, por vetëm kaq.

A duket sikur Lulzim Basha po tenton të kopjojë Sali Berishën, me skenarët e ’98?

Berisha qëndron prapa këtij organizimi, por këtu bëhet fjalë për një frikë në parim nga zgjedhjet; dhe frika po justifikohet me faktin se zgjedhjet nuk janë të lira, nuk janë të ndershme. Po përdoret si argument, fakti se kjo është qeveri që vjen nga droga dhe do t’i blejë votat. Është një skenar shumë i paqartë, i hamendësuar dhe i pabazuar në asnjë lloj argumenti, në asnjë emër. Pra, të tregojnë se ku mbështeten që e thonë këtë gjë. Ndërsa ’98 ishte tjetër gjë.

e shihni faktin që ndërkombëtarët i kanë ndërprerë kontaktet me Lulzim Bashën dhe po synojnë të takojnë figura si Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, të cilët kanë qenë rebele ndaj vendimeve të kryetarit të PD, për t’i bindur që grupi parlamentar demokrat të lërë bojkotin dhe të vijë në Parlament?

Ndërkombëtarët nuk mund t’i ndërpresin kontaktet me Bashën, sepse ai është kryetari i partisë. Nëse ndërkombëtarët duan që në Shqipëri të ketë siguri, të zhvillohen zgjedhjet sipas kalendarit që parashikon Kushtetuta, nuk duhet t’i shmangen Bashës sepse ai është shefi i çadrës. Përkundrazi, ata duhet t’i intensifikojnë takimet, në mënyrë që ta bindin se kjo rrugë nuk është ajo që duhet, se kjo rrugë nuk i pëlqen ndërkombëtarëve; kjo është rruga që të çon drejt kaosit; kjo është rruga që çedon sigurinë në vend; nuk është rruga e zhvillimit normal të zgjedhjeve; kjo nuk është ecuria normale e funksionimit të një demokracie. Për mendimin tim, ndërkombëtarët po gabojnë. Ndoshta ndërkombëtarët po ia lënë popullit ta kuptojnë se ata nuk e duan Bashën. Gjërat në Shqipëri duhet të bëhen më qartë, më prerë, në mënyrë eksplicite.

Java që vjen do të jetë një javë vendimtare për daljen nga kriza politike, ku në Tiranë do të vijnë ndërkombëtarë për të bindur opozitës të lërë çadrën. A besoni se ndërkombëtarët do t’ia arrijnë qëllimit për ta bindur Bashën të dalë nga çadra? 

Unë mendoj se ndërkombëtarët do ia arrijnë qëllimit. Kur ndërkombëtarët bindën 140 deputetët të votonin ndryshimet kushtetuese, kështu mendoj se do ndodhë edhe tani me bojkotin e opozitës.

Zyrtarisht kanë skaduar afatet për regjistrimin e koalicioneve, a mendoni se PS-LSI po shkojnë të ndara në zgjedhje, dhe a është kjo një mënyrë për të zëvendësuar opozitën?

Nuk e kuptoj se pse PS-LSI po përpiqen të shkojnë të ndara në zgjedhje?! Nëse kanë llogaritur se u leverdis të shkojnë të ndara në zgjedhje, mund ta thonë publikisht. Ata kanë shumicën në Parlament, dhe nuk më duket e drejtë. Mua më duket e paarsyeshme që këto dy parti të shkojnë të ndara në zgjedhje; ato së bashku i fituan zgjedhjet e kaluara, së bashku qeverisën në këto katër vite. Pra kanë dhe merita dhe fajet e dështimeve. Për dështimet nuk mund t’ia hedhin fajet njëra-tjetrës. Ndërsa mos futja e opozitës në zgjedhje sjell një situatë të re, siç ka thënë Ilir Meta, që “unë do jem ose në qeveri ose në opozitë, kundra PS”. Ata e kanë për detyrë t’ia sqarojnë popullit se çfarë po ndodh. Nga ana tjetër, ata po i bëjnë thirrje opozitës të lërë çadrën, kjo mbase ka të bëjë dhe me shtyrjen e afateve për regjistrimin e koalicioneve.

Sinjalet janë që reforma në drejtësi të mos realizohet para zgjedhjeve. A ka një plan politika për bllokimin e saj?

E dëgjova edhe nga kryeministri i cila tha se “Parlamenti i ri që do mblidhet, gjëja e parë që do bëjë, do merret me reformën në drejtësi”. Realisht nuk më erdhi mirë. Është thënë edhe në fillim që një reformë nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë politike. Drejtësia është një nga kolonat e shtetit, dhe duhet të kontribuojnë që nesër mos të thonë që “kjo nuk u bë mirë”. Opozita po luan shumë keq, ka zgjedhur një politikë të gabuar. Nuk është e lehtë që nga njëra anë të përgatiten zgjedhjet, nga ana tjetër të bëhet reforma në drejtësi. Po të lihet për Parlamentin tjetër, mund të jetë pjesë e fushatës zgjedhore siç e bëjnë dhe shumë vende. Gjatë fushatës diskutohen edhe gjërat e rëndësishme që është marrë vendim më parë, por që nuk është përfundimtar.

Mazhoranca qeverisëse i dogji dy raundet e para për presidentin. A ia vlen më që mazhoranca të presë opozitën të vijë në Kuvend dhe të marrë pjesë në procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit?

Nuk ka ndonjë ngut problemi i presidentit. Presidenti i ri do fillojë punën në korrik, kur t’i mbarojë mandati presidentit ekzistues. Tani, presidentit nuk ia lënë shumë kompetenca, ka mbetur një personazh honorifik. Mirë do ishte që meqenëse presidenti pretendohet të jetë një figurë unifikuese, të merrte pjesë dhe opozita. Por, kur opozita nuk ka ndërmend të vijë opozita, atëherë ai do zgjidhet.

6 komente në “Fatos Klosi: Basha i ka shpall luftë vetes! Pas skenarit të bllokimit të rrugëve qëndron Berisha, ndërkombëtarët do ta nxjerrin nga çadra”

  1. fuat cela says:

    Fatos Klosi 2017 eshte Hulusi Hako i ’67.Thone se ai ishte gardisti i kuq me fanatiku i atij viti te zi.Mire ai se isht ai para 50 vjetesh i ri komunist i ngazellyer nga ideologjia,po ky paxs 50 vjetesh po si Hilua i ’67 eshte edhe sot.

  2. Samiu says:

    Nuk e kuptoj se cfare vlere ka opinionk i F. Klosit per kere ceshtje.

  3. don says:

    kulish i Ilir hajdutit. Kur te behen llogarite do dale qe ky ka ngrene corbe te prishur tek PD dhe eshte ushtar i Ilir hajdutit.

  4. don says:

    kulish i Ilir hajdutit. Kur te behen llogarite do dale qe ky ka ngrene corbe te prishur tek PD dhe eshte ushtar i Ilir hajdutit. Vini re kur thote se nuk eshte dakord qe reforma ne drejtesi do te behet nga parlamenti i ri. Edhe ky e ka kemben me miell me sa duket. Une nuk kuptoj se cfare rendesie ka ky Klosi qe del kaq shpesh ne media? Ik o Klos se po na ben shume vape. E ke mizen ne kesule dhe tash kerkon te rehabilitosh veten.

  5. Goni says:

    Klosi, ky di,
    Sa di kyuyyyyyyyyu

  6. Samiu says:

    O Tema te lutem mos u beni zedhenes i ketij spiuni te perlyer. Shqiptaret e dine te verteten dhe i kuptojne situatat dhe nuk ngelen tua spjegoje ky maskara. Ky eshte nje nga ata qe me kazmen e korrupsionit ka rrenuar zhvillimet progresive ne shqiperi duke i vene kazmen themeleve te se drejtes dhe demokracise. Mjaft me duke i bere publicitet ketij dallkauku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje