Festa e Prezës/ Ekonomi: Traditat dhe trashëgimia kulturore, mundësi për zhvillimin ekonomik

23 Prill 2017, 17:35Politika TEMA

“Traditat dhe trashëgimia kulturore janë një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik të qendrueshëm, kryesisht të zonave të tilla  të mëdha që përfshijnë disa fshatra siç është dhe Bashkia e  Vorës”

Kështu ka deklaruar Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj. Milva Ekonomi në eventin e zhvilluar sot në Kalanë e Prezës të titulluar “Zhvillimi ekonomik dhe trashëgimia kulturore e Vorës” një ekspoze e rrallë e pasurisë së trashëguar etnogradfike, mjeshtrisë atrtizanale, kulinarisë dhe agrobiznesit të zonës.

Ministrja Ekonomi tha se ky vit është viti ndërkombëtar i turizmit të Qendrueshëm, i shpallur nga OKB, dhe në gjithë botën po zhvillohen aktivitete të këtij lloj për të promovuar zona të ndryshme duke lidhur trashëgiminë kulturore me zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre zonave.

Edhe eventi në Kalane  e Prezës kishte pikërisht këtë synim, të sillte në një qendër të vetme gjithë produktet karakteristike të zonës, si në artizanat, në kulinari, bletari, verë, vaj ulliri etj.

Nuk mungoi atmosfera festive, me këngë e valle nga treva të ndryshme të zonës, por dhe nga e gjithë Shqipëria. Ky aktivitet, i organizuar nën kujdesin e veçantë të Agjencisë për zhvillimin e rajoneve dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit, mblodhi së bashku dhe kryetarët e Bashkive të Vorës, të Shijakut, Prefektin e Tiranës dhe përfaqësues të tjerë të komuntetit lokal.

Ministrja Ekonomi përshëndeti organizimin e këtij eventi duke kërkuar që të shënohet në kalendar dhe të bëhet i përvitshëm që të shërbejë si mundësi për zhvillim të qëndrueshëm të rajonit.

Ajo u kërkoi gjithashtu tur operatorëve që ta shënojnë këtë ditë gjithashtu dhe ta përdorin këtë event të përvitshëm për të sjellë turistë në këtë zonë.

Ministrja me tej shtoi se nuk duhet të kërkojmë vetëm të na vijnë të huajt, por dhe ne shqiptarët duhet t’i vizitojmë më shpesh zona të tilla. “Shqipëria jonë e bukur paraprakisht duhet të vizitohet nga ne vetë.

Treguesit janë shumë pozitivë në këtë drejtim,  pasi vitin e shkuar vizitat e turistëve vendas në parqet kombëtare u rrit me 3.3 herë më shumë se një vit më pare dhe kjo është një ngjarje për t’u inspiruar dhe për të zbuluar gjithë atraksionet turistike që kemi në vend”.

Më tej prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi tha se u zgjodh pikërisht kjo kala 1000 vjeçare për të promovuar gjithë vlerat e zonës rreth e qark. Ai tha se Vora ka një dimension të ri, pasi gjithë rrugët kryesore nacionale kalojnë në Vorë, çka i jep dhe një rëndësi ekonomike zonës.

Ndërsa kreu i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili falenderoi pjesëmarrësit në event duke uruar që të bëhet i përvitshëm dhe zona e Vorës të njihet dhe promovohet për pasurinë e saj. Ai tha  se po bëhen perjekje me Ministrinë e Ekonomisë, me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Rajoneve që zona të bëhet atraktive për turistët.

Më tej Ministrja Ekonomi vizitoi gjithë stendat e fermereve, të sipërmarrësve dhe artizanëve të zonës, duke biseduar me ta, për mundësinë e përfshirjes në guida turistike, për mundësitë për eksport të produkteve të tyre dhe zgjerimin e tregjeve brenda vendit.

Ministrja kërkoi që ata të vazhdojnë të ruajnë cilësinë e produkteve të tyre, pasi cilësia është kriteri i parë për t’u bërë i njohur dhe i suksesshëm në treg. Atmosfera në kalanë e Prezës ka vazhduar deri vonë, me shumë aktivitete të tjera të programuara nga organizatorët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje