Joserioz me procesin më solemn të shtetit!

23 Prill 2017, 19:13Politika TEMA

Nga Afrim Krasniqi

Zgjedhja e Presidentit të Republikës, në një shtet serioz është e mbetet procesi më solemn, më institucional dhe më gjithëpërfshirës. Presidenti nuk është thjesht një individ i punësuar me kontratë 5 vjeçare, por bazuar në Kushtetutë, ai është kreu i shtetit, përfaqësues i unitetit të popullit (neni 86/1). Përpara ndryshimeve kushtetuese 2008, zgjedhja e Presidentit bëhej me tre të pestat e votave, 84 nga 140 vota në parlament, – duke detyruar palët politike për zgjedhje konsensuale midis partive të mëdha, ose zgjedhje me konsensus të gjerë midis njërës prej partive të mëdha dhe shumicës së partive të vogla.

Më 1991 Alia u zgjodh edhe me votat e Omonia dhe mbështetjen e PR, më 1992 Berisha u zgjodh edhe me votat e PSD, PBDNJ e PAD (së mëvonshme), më 1997 Berisha u zgjodh edhe me votat e PR, PBK, PBDNJ, më 1997 Meidani u zgjodh edhe me votat e PAD, DBSH, PSD, etj, më 2002 Moisiu u zgjodh me konsensus të gjerë PS-PD-PSD-PR-PLL-PBK, etj, më 2007 Presidenti u zgjodh edhe me votat e disa deputetëve socialistë (një prej tyre është edhe sot deputet i PS), më 2012 Presidenti u zgjodh me votat PD e LSI.

Ndryshimet kushtetuese 2008 sollën dobësim të dukshëm të integritetit të zgjedhjes së Presidentit, heqjen e kushtit të konsensusit dhe votës së cilësuar dhe kalimin në votimin e shumicës së thjeshtë, me vetëm 71 vota. Për ta kuptuar më mirë, prej vitit 2008 Presidenti mund të zgjidhet me të njëjtin numër votash sa edhe një ministër apo një gjyqtar, një anëtar i Bordit të Bankës apo i Autoritetit të Dosjeve/Konkurrencës…. .ndërkohë që p.sh, Avokati i Popullit duhet të zgjidhet me 84 vota, 13 më shumë sesa kryetari i shtetit, Presidenti !!??.

Në disa zgjedhje presidenciale ka pasur vetëm një votim, p.sh, më 1991, 1992, 1996, 1997, 2002. Më 1991 kishte një kandidat formal rival (e propozuan 30 deputetë dhe mori vetëm 2 vota), edhe më 2007 pati kandidat të dytë rival (ai hyri në garë me 21 deputetë mbështetës por mori vetëm 5 vota), kurse më 1992, 1996, 1997, 2002 e 2012 nuk kishte kandidatë rivalë në garë. Pra më shumë se zgjedhje kishte votim. Presidentët e viteve 1991, 1992, 1996, 1997 mund të ishin edhe partiakë (me kushtetutë), Presidenti pas 1998 nuk duhet të jetë partiak, por nga të gjithë presidentët, vetëm në një rast kemi pasur një zgjedhje të qartë jo partiake.

Cili do jetë presidenti i ri? Nuk ka as emra, as transparencë dhe as debat. Sepse duan të krijojnë përshtypjen se cilido që shefat e 1-2-3 partive duan, mund të jetë president. Më shumë kemi transparencë për një konkurs emërimi të një polici, një mësuesi, një specialisti pyjesh apo një sekretare zyre sesa për zgjedhjen e kryetarit të Shtetit. Ajo konsiderohet gati – gati si sekret shtetëror!! E di lideri, e dinë miqtë e tij të afërt, askush tjetër, madje as partia e tij.

Në këto rrethana absurde, më shumë se emri, rëndësi specifike ka procesi, serioziteti, integriteti dhe forma e zgjedhjes së tij. Fakti se kemi konsumuar dy raunde pa pasur emër, lojë që pritet të vijojë edhe raundin e tretë, dhe fakti se sipas Kushtetutës vetëm PS, PD e LSI kanë të drejtë të propozojnë President, – pra nuk mund të kemi vetë-kandidim dhe as fushatë, as platformë dhe as mekanizëm konkurrues, – tregon se zgjedhja e Presidentit mbetet domen i tri partive dhe tre liderëve politikë. kriteri? Ka disa kritere, por katër mbeten kritere “të pathëna” por konsensuale: që Presidenti/presidentja të mos ketë mbështetje publike/politike më të madhe sesa vetë ata që e propozojnë, liderit politikë; që ai të shihet si faktor ndikues jo vetëm në zgjedhjet 2017 por edhe në zgjedhjet 2021 të cilat bëhen brenda mandatit të tij presidencial; që edhe për këtë arsye mazhoranca të sigurohet se kandidati të jetë luajal ndaj tyre, mundësisht noter në aktet politike, dhe së fundi, që asnjë president të mos ketë shans për një mandat të dytë në detyrë, – pra të mos ketë shans të ketë karrierën e kryeministrave të majtë/djathtë, e kështu, as shans për tu shndërruar në institucion afatgjatë të qëndrueshëm dhe të referueshëm.

A mund ta bëjë kushdo detyrën e kryetarit të Shtetit? Jo, absolutisht jo. Në njohuritë e mia nuk gjej më shumë se 3-4 emra publikë & politikë që mund ta përmbushin këtë funksion me dinjitetin që meriton. Me siguri partite mendojne shume me ndryshe, sic njoh shume individe qe cdo 5 vjet ushqejne iluzione dhe “mbajne telefonin hapur”. A kemi pasur modele negative. Po, disa. A kemi pasur modele pozitive të kryetarit të Shtetit? Kam bindjen se po. Mjafton një sondazh, një pyetësor, një debat ekspertësh, një analizë retrospektive dhe bëhet e lehtë gjetja e modeleve pozitive, ndonëse të pakta, – por që përbëjnë një bazë referimi e krahasimi për cilindo që do të vijë më pas në zyrën e Kryetarit të Shtetit.

2 komente në “Joserioz me procesin më solemn të shtetit!”

  1. Devolliu says:

    Ky zotni qe ka bere analizen duhet te tregoje qe me 1997 kemi dy presidente, njerin prej te cileve e keshillonte ky. E kam fjalen per ate qe dogji vatanin.

  2. Kola says:

    Keta filozofe dallkauker, para se te na rrefeje se c’rendesi ka zgjedhja e presidentit, me qe na kujton se si u zgjodh Alia me 1990, s’do bente keq te na kujtonte edhe si u zgjodh Nishani me 2012. Jo se ne nuk e dime, por sepse mesuam edhe njehere rendesine c’rrol ka Presidenti i nje shteti karagjoz si yni. Te tille ate e beri Donkishoti i Vicidolit dhe biri shpirteror i Karaxhicit. Besoj se keto gjera Krasniqi i di dhe te mos haje mut te na rrefeje neve se c’rrol te pjerdhur ka presidenti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje