Që nesër, ja skenarët për daljen nga kriza

Nga Carlo Bollino

Java që vjen mund të jetë vendimtarja për zhvillimet e krizës politike që po zgjat që prej më se dy muajsh. Nesër Lulzim Basha do të provojë të matë forcën, për të parën herë pas 18 shkurtit kur arriti të nxjerrë në shesh disa mijëra vetë të cilët, pak orë pas mitingut u shpërndanë, duke lënë një çadër gjysmë të zbrazët e cila që atëherë mbushet çdo ditë, në orare të paracaktuara dhe sipas një plan prezencash të organizuar nga partia.

Objektivi i Bashës dhe Berishës nesër në mëngjes është të bllokojnë të gjithë trafikun rrugor të vendit, në një përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar, për të treguar se protesta për një qeveri teknike është një protestë mbarëpopullore dhe jo karta e fundit që po luan lidershipi i Partisë Demokratike për të shmangur belanë e vettingut dhe të panjohurat e zgjedhjeve të përgjithshme politike.

Në rast se bllokimet rrugore do të funksionojnë, Basha shpreson të ulet në tryezën e negociatorëve, që do të mbërrijnë të hënën në darkë nga Brukseli, me disa gram forcë negociuese më shumë. Duke dyshuar edhe vetë për një gjë të tillë, Basha tashmë ka bërë të ditur se faji për falimentimin e negociatave (që duket se e jep si diçka të mbaruar) do t’i faturohej Edi Ramës.

Për aq pak sa dihet, negociatorët evropianë të Partisë Popullore (aleatë të Partisë Demokratike në Bruksel) do të vijnë në Tiranë me një dokument me 12 pika, të miratuar edhe nga kancelarja Angela Merkel, i cili parashikon një seri kushtesh për t’i lejuar Partisë Demokratike të ndërpresë bojkotin, të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit të lira e të ndershme dhe të votojë vettingun, duke zhbllokuar kështu edhe reformën në drejtësi.

Por asnjë nga këto kushte mesa duket nuk parashikon krijimin e një qeverie teknike, që edhe sot e kësaj dite përmendet nga Lulzim Basha si kërkesa nga e cila nuk ka tërheqje. Megjithatë, negociatat ende nuk kanë filluar dhe është pa vend të pretendosh të parashikosh përmbajtjen e tyre.

Ndërsa përsa i përket asaj se çka pritet, mund të ketë vetëm dy zhvillime: Partia Demokratike pranon të marrë pjesë në zgjedhje, ose këmbëngul të qëndrojë jashtë tyre. Në rast se PD i jep fund bojkotit dhe e çmonton çadrën (siç urojnë të gjithë të ndodhë, përfshi edhe forcat e mazhorancës), zhvillimet e mëtejshme janë vetëm çështje teknike për të mundësuar rihapjen e afateve për regjistrimin e partive dhe koalicioneve.

Surpriza e parë mund të kishte të bënte, në këtë rast, me zgjedhjet e Kavajës të 7 majit, të cilat mund të shtyheshin, ndoshta duke caktuar një ditë të vetme votimi bashkë me zgjedhjet e përgjithshme. Sipas kësaj hipoteze, PS dhe LSI do të shkonin në votim në koalicion, sikurse është njoftuar haptazi.

Por çfarë ndodh nëse, në të kundërt, Basha nuk pranon negociimin dhe këmbëngul të bojkotojë votimet? Pas shumë javësh paqartësi, duket të mbizotërojë në këto orë hipoteza se LSI(sponsor kryesor i idesë që t’i besoheshin negociatat Partisë Popullore Evropiane) do t’i konsideronte si të ezauruara përpjekjet në ndihmë të opozitës dhe, në këtë pike, do të vendoste të shkëputej nga procesi i eutanazisë politike të PD-së, për të garuar në votim, edhe pa opozitën.

Por, në këtë rast, nuk do të hynte në koalicion me PS. Të gjitha forcat politike do të hynin në garë secila për vete, jo vetëm për të vënë në pah vlerën pluraliste të votimeve, por edhe për të marrë pjesën më të madhe të 47 vendeve, të cilat PD dhe aleatët e saj do të vendosnin t’i braktisnin.

Më pas, siç tha dje Petrit Vasili, “se kush do të jetë kryeministër, kjo do të vendoset nga zgjedhësit”, domethënë që forca politike, e cila do të marrë më shumë vota, do të ketë edhe të drejtën të krijojë qeverinë.

Ky skenar nuk përjashton aspak krijimin pas votës të një koalicioni të madh sipas modelit gjerman dhe nuk përjashton as atë, që qeveria e re do të merrte përsipër të plotësonte procedurat për reformën e drejtësisë dhe më pas, të zgjidhte t’u kthehej kutive të votimit, për të risjellë në Parlament Partinë Demokratike. Apo, të paktën, atë çka do të mbetet prej saj, duke marrë parasysh se, në atë pike, PD (që nuk do të kishte as përfaqësues në KQZ duke qenë një forcë jashtëparlamentare) do të rrezikonte me të vërtetë të zhdukej.

Cilido qoftë skenari që do të dalë nga negociatat e kësaj jave, mbetet gjithnjë e hapur hipoteza e “zgjedhjeve të parakohshme”. Domethënë PS dhe LSI mund të vendosnin të bënin të dështonin të pesë raundet për zgjedhjen e presidentit të Republikës (deri tani kanë dështuar dy), me qëllim për të bërë brenda 45 ditësh zgjedhje të parakohshme siç e kërkon Kushtetuta.

Në një rast të tillë, jo vetëm që do të kapërcehej tabu-ja e datës 18 qershor (presidenti Nishani, në fakt, do të dekretonte një datë të re për zgjedhje të parakohshme), por do të mundësohej rihapja kushtetuese (pra, pa asnjë shkelje të Kodit Zgjedhor) e afateve të regjistrimit të të gjitha partive dhe koalicioneve, duke e vënë për herë të dytë PD-në përballë rastit për të marrë pjesë në votim. Kreu i shtetit, më pas, do të zgjidhej nga Parlamenti i ri, që do të thirrej urgjentisht pas zgjedhjeve.

Por mbi të gjithë këto skenarë sillet fantazma e dhunës, të cilën dje kryeministri Edi Rama e përmendi, duke kujtuar krizën e vitit 1997. Një testim i parë, shumë delikat, do të jetë ai i nesërmi, kur opozita do të dalë nga zona e mbrojtur e çadrës dhe do të matet për herë të parë në terren. Përshkallëzimi i dhunës nuk është në interes të askujt, as të qeverisë (të cilës i takon detyrimi të garantojë ecurinë paqësore edhe të protestave), por as të opozitës, liderët e së cilës, duke filluar nga Sali Berisha, mbajnë mend mirë se si tentativa për grusht shteti në shtator të vitit 1998, në përgjigje të vrasjes se Azem Hajdarit, përfundoi me izolimin ndërkombëtar të Partisë Demokratike dhe të vetë Berishës, që zgjati pesë vjet.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar mesazhet e tyre dhe tani rrinë e vështrojnë se çfarë do të ndodhë. Është e rëndësishme të kuptojnë të gjithë se në botë ka kriza më të rëndësishme se ajo që po ndodh në Tiranë dhe se diplomatët perëndimorë tashmë janë të lodhur nga tekat shqiptare.

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Që nesër, ja skenarët për daljen nga kriza”

  1. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    PD-ja neser, del nga cadra dhe do protestoj ne “rruge” !

  2. kozmo says:

    Maloket jane kokeshkemba ,as plumbi nuk i bind . Basha te marten nuk do te kete asnje dakordesi . Duan te dalin jashte loje , me shpresen qe ti shpetojne wetingut .

    1. Rrushi says:

      Po dihet o Kozmo qe Lulka dhe Sala e bejne kete vetem per ti shpetuar Vettingut. Thuajini Lulkes se je i mbrijtur nga vetingu dhe pos doli ne sekonde nga çadra. Pse mendon ti se i plasi per ty dhe mua, te gjithe per by…n e tyre mendojne.

  3. Lari says:

    PD-, të bëj si të doj.!
    Populli do të votojë më 18-Qershor!
    Berisha , TË SHOPORRET SE NA ÇMENDI.!
    SA PËR LULUSH-LEPURUSHIN(🐰),
    ai i ka ditët e numëruara në PD-në e shkërmoqur!
    🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭🎭

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *