LUP JAVA, Kategoria Superiore java 30-të

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Gola për të tërë…!

Nga Ervin Baku

Ju kujtohen javët e para të kampionatit? Në pesë çifte, me vështirësi shënoheshin 3-4 gola. Krizë e “sulmit”, nivel i dobët thuhej asokohe. Por gjithçka i përket të shkuarës, pasi java e 30-të e Kategorisë Superiore prodhoi gola me “thasë”. Plot 23 të tillë, për rekord! Në fakt sinjali u dha që në takimet e para, teksa Flamurtari dhe Luftëtari shënuan 6 gola. Në Vlorë vendasit zhbllokojnë që në start, teksa Bushiçi i “harruar” qetëson vjonjatët dhe Duron e timonit kuq e zi me një gol me kokë. Për të siguruar suksesin ka dhe një gol të dytë nga Alvesh, çka çertifikon tri pikët e daljes nga zona e “ftohtë”.

Në “Elbasan Arena”, aty ku Korabi konsiderohet pritës, është radha e Luftëtarit. Pas zhurmës “justifikuese” me largim trajneri e stafi, jugorët me liderin e tyre Dejvi Bregu bëjnë “përshesh” dibranët. Katër gola dhe vendi i katërt provizor. Më bukur s’ka. BIG-ët, Partizani, Kukësi dhe Skënderbeu, kishin objektiv tri pikët. Luajnë me skuadra që gjenden në fund. Por edhe pse kështu, vetëm çifti Laçi- Sknëderbeu përligji pritshmëritë. Në aspektin moral, sepse në dy takimet e tjera dukej se gara ishte vendosur para se të niste. Në Kukës dihej. Ku ka zë nuk është pa gjë thotë populli dhe palët i mbetën besnik “paktit” të Kupës. Fitore e thjeshtë dhe me goleadë e verilindorëve në vetëm 45 minuta të fraksionit të dytë.

U luajt akti i fundit i marrëveshjes së turpshme. E njënjta histori dhe në Tiranë. Çuditërisht Partizani shënon gola pafund ndaj një Teute që, pas eliminimit në mesjavë nga Kupa ka humbur ndjesinë për t’u shprehur. Skënderbeu, i karikuar në maksimum, shpartallon Laçin në vetëm 45 minuta të pjeses së parë. Veçse në Laç, ka lojë e temp të jashtëzakonshëm. Skuadra bardhezi “duelon” ballë për ballë me korçarët që, me Latifin në perfeksion arrijnë të ulin në “gjunjë” vendasit.

Gola për të tërë? Natyrisht jemi në prag të kurorëzimit të kampionatit dhe ndonjë gol më tepër dhe mund të vijë, por nëse këto do të shtoheshin nga “shefat” bukuria e garës do të vihej tërësisht në rrezik. Formula nga njëra anë që nuk lë shtigje dhe aleancat, qoftë dhe fluide, e bëjnë “çorap” situatën e dhjetë skuadrave në garë. Trioja e kreut duket se ka vendosur të luajë për të fituar me çdo kusht titullin. Ndersa në fund, laçianët këmbyen sërish vendin me Flamurtarin duke qenë mjaft të rrezikuar për të shoqëruar Korabin drejt së parës. Nëse Flamurtari po progreson me shpejtësi, ndryshe po shfaqen Tirana dhe Teuta.

Kryeqytetasit ende nuk po “ngjallen”, teksa këtë të premte do duhet të maten dhe njëherë në derbi. Kush bën 40 pikë e kalon lumin. Ama për 24 herë kampionët e Shqipërisë kufiri mund të mos shkojë më shumë se te 38-të pikët. Gola për të tërë…!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *