Paralajmërimi i Dukës: Mjaft gabimeve jonjerëzore nga arbitrat!

27 Prill 2017, 15:48Sport TEMA

Pas Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, Federata Shqiptare e Futbollit sot prezantoi Akademinë e Arbitrimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

“Është një nga përparësitë tona të këtij viti së bashku me futbollin e fëmijëve. Arbitrimi është shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e të gjitha garave. Në fund të fundit, ky është një sport. Po e promovojmë në mënyrë që të kemi sa më shumë arbitra në dispozicion. Në Shkodër kishte interes të madh, ndërsa më pëlqeu që pjesa më e madhe e sallës ishin femra. Është mirë të jesh arbitër, sepse kjo është një formë sporti. Të siguron të ardhura të mira, ndoshta edhe si profesion i dytë, por është edhe një profesion i cili garanton vazhdimësi edhe në momentin kur shkëputesh nga fusha”, deklaroi në fjalën e tij presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ai theksoi se lufta kundër gabimeve jonjerëzore është kthyer në përparësi dhe paralajmëroi se gjyqtarët e përfshirë në favorizimin e skuadrave të caktuara do të përjashtohen. “Arbitrat janë temë ditë, janë në qendër të vëmendjes. Kanë qenë prej kohës kur lindi futbolli dhe kështu do të jenë. Kur ndeshjet janë të forta dhe kanë intensitet, ka pasur gjithmonë polemika. E keqja është se bashkë me gabimet njerëzore, ndoshta kemi kaluar edhe ato jonjerëzore. Kjo nuk do të ndodhë më”, u shpreh numri një i futbollit në vend.

Kreu i FSHF-së komentoi edhe kërkesën e Partizanit për gjyqtarë të huaj nga liga të mëdha europiane për sfidën e javës së ardhshme me Kukësin, që cilësohet një finale drejt titullit: “Për t’u shërbyer arbitrave, për të shkëmbyer eksperiencë, kemi bërë marrëveshje me federata të vogla. Të kërkosh arbitra për ndeshjet në kampionat apo në Kupë është një lloj mosbesimi dhe kjo nuk është një shenjë e mirë. Arbitrat janë marrë në finale Kupash apo ndeshjet finale të kampionatit. Nuk e di nëse do të jetë edhe ky rasti i Partizani – Kukësi”.

Duka komentoi edhe garën treshe për titull: “Sa më shumë ka garë, ka futboll dhe cilësi, aq më shumë ka probleme për arsye të intensitetit të garës. Deri në fund të kampionatit uroj sa më shumë spektakël dhe sa më shumë lojë të drejtë. Njëra skuadër që do të dalë nga kategoria do të hidhërohet. Skuadra fituese e titullit do të gëzohet, të tjerat jo. Të tria skuadrat pretendente e meritojnë trofeun, por ky është futbolli”, shkruan “Panorama Sport”.

Në fund, një mendim për Kombëtaren: “Jemi shumë të lidhur me ekipin kombëtar, është gjëja më e rëndësishme e shqiptarëve. Në çdo garë ne hyjmë për të fituar. Kjo do të thotë që do të luftojmë për tu kualifikuar në çdo kompeticion. Shqipëria duhet të jetë pretendent i vazhdueshëm për të qenë pjesë e fazave finale të turneve. Në Europian kjo do të ishte më e lehtë, ndërsa në Botëror është më e vështirë prej numrit të vogël të skuadrave që kualifikohen. Megjithatë, kurrë mos thuaj kurrë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje