Rama: Jemi të vendosur ta zhbllokojmë Vettingun dhe të shpëtojmë vendin nga Gjonët, Tomat e Hysenët..

Kryeministri Edi Rama deklaroi paraditen e së enjtes se “pa reformë në drejtësi nuk mund të rrisim fluksin e investimeve të huaja”.

“Mund të bëjmë arsim profesional, por pa reformë në drejtësi nuk mund të rrisim fluksin e investimeve të huaja sepse ata kanë 1001 arsye ta shohin Shqipërinë si një vend mundësish, por kanë një arsye për ta pasur frikë se kur vijnë për të investuar, u del përpara një Gjo, Hysenn a Tom dhe u thotë se jam unë gjykatësi këtu që ta bëj nul gjithçka që bën”, tha Rama.

“Pak kohë më parë iku një investim strategjik në turizëm, me të cilin ne do të kishim 1200 të punësuar, në një tokë publike në bregdet, pronë e ushtrisë, dhe kur ishim gati të firmosnim kontratën, një Tom, Hasan, Gjin, nxorri vendimin që toka nuk është më e shtetit.

Toma, Hasani, Gjini u kishte dhënë të gjithë tokën atyre që prendonin një përqindje shumë të vogël, dhe investimi strategjik vdiq.

Si mund të thithim investitorë të huaj nëse nuk fusim në burg me reformën në drejtësi Tomën, Hysenin dhe Gjinin?”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi:

Ne jemi shumë të vendosur që të zhbllokojmë vetting-un një orë e më parë dhe ai do të bëhet dhe Shqipëria që duam është një program për një vizion që nuk është shpikje, por amanet që nga rilindasit dhe që është i mundur. Sot ne kemi filluar procesin për 6 shkolla ekselence të arsimit profesional. Është një investim 30 milionë euro dhe do na japë shumë më tepër se kaq, por pa vetting-un dhe drejtësinë, thjesht do të prodhojmë punonjës që do të ikin jashtë”.

Rama theksoi se papunësia rinore është kriza më e madhe sistemike e vendit në çerek shekulli.

Ai tha se ky problem është i lidhur ngushtë me mungesën e profesionistëve.

Rama deklaroi se zgjidhja për ta zbutur fenomenin e papunësisë është zhvillimi i arsimit profesional.

“Kriza më e rëndë ndër gjithë gamën e krizave që ne trashëguam, është kriza e papunësisë rinore dhe adresimi më i rëndësishëm i gjithë spektrit politikave tona të reja është pikërisht adresimi i kësaj krize. Bëhet fjalë për një krizë sistemike, të thelluar në 25 vjet, duke e zhveshur praktikisht Shqipërinë nga aftësia për një gamë të gjerë punësh. Dhe vetëm pak vite më parë, dhoma gjermane e tregtisë, e përshkruante më së miri pasojën më të mirë të kësaj krize. Në një raport ku thuhej, Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar, në industrinë ushqimore, në ndërtim, në industritë elektromekanike, i mungojnë saldatorë, elektriçistë, minatorë, specialistë ashensorësh, rrobaqepës…

Shqipërisë 3 vite e gjysmë më parë i mungonin punëtorët e kualifikuar në çdo zanat, ama sot Shqipëria ka 8-fish juristë më shumë se Gjermania, dhe nuk mund të themi se ka një sistem gjyqësor të krahasueshëm me Gjermaninë, përkundrazi. 3 vite e gjysmë më parë, pjesa dërrmuese e kompanive thonin se për pozicione të caktuara çonin jashtë vendit punëtorë për kualifikim”, tha Rama.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Rama: Jemi të vendosur ta zhbllokojmë Vettingun dhe të shpëtojmë vendin nga Gjonët, Tomat e Hysenët..”

  1. VERTETINGU says:

    Si ka mundesi qe me largimn e disa te korruptuarve queshka “veting” dhe e mbaruar reforma?

    Mires se vini ne Albanistan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *