Reagon me vonesë ambasada ruse: S'ka asnjë kërcënim për Karpushin, ne nuk ndërhyjmë në zgjedhjet tuaja!

28 Prill 2017, 08:43Politika TEMA

Ambasada Ruse në Tiranë ka reaguar në lidhje me publikimin e një lajmi në media sipas të cilit ishte kërcënuar me jetë ambasadori rus në vendin tonë. SIpas raportimeve, bëhej fjalë për një grup ekstremist nga maqedonia që kishte kërcënuar ambasadorin Aleksandër Karpushin. Ky lajm është hedhur poshtë nga ambasada përmes një deklarate për mediat.

“Ambasada Ruse shpreh habinë e madhe në lidhje me publikimin nga televizioni Vizion Plus, dhe pastaj nga mediat e tjera shqiptare, të materialit mbi çështjen e sigurisë së misionit diplomatik rus në Tiranë. Në gjykimin tonë, një fushë kaq sensitive, siç është organizimi i  ruajtjes dhe sigurimi i mbrojtjes së misioneve të huaja diplomatike, gjë që sipas së drejtës ndërkombëtare është obligimi i çdo shteti pritës, nuk duhet të behet objekt i debatit publik.

Pavarësisht se i referohet një lloj burimi diplomatik, materiali në fjalë përmban informacione të pavërteta dhe krejtësisht provokative, përshirë këtu edhe gjoja planet e Ambasadës për të ftuar në Tiranë një grup ekspertësh të inteligjencës ruse”, thuhet në njoftim. Ambasada Ruse në Tiranë thotë se janë pa vend për t’i lidhur këto thashetheme me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri duke shtuar se “një nga parimet fondamentale të politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera”.

“Akoma më pa vend duken përpjekje për t’i lidhur këto thashetheme me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Ambasada e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se një nga parimet fondamentale të politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. I qëndrojmë mendimit se botimi në media i lajmeve të tilla “sensacionale” dëmton zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, krijon një klimë jo të shëndetshme rreth Ambasadës dhe nuk u përgjigjet qëllimeve të garantimit të sigurisë së saj”, përfundon njoftimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje