Vendosmëri kundër shovinistëve maqedonas

28 Prill 2017, 09:47Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Nikola Gruevski, diktatori i vogël i Maqedonisë, ka sulmuar të enjten me falangat e tij parlamentin në Shkup. Sulmi pasoi menjëherë pasi një shumicë parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për kryetar të parlamentit. Në historinë e Maqedonisë këtë post të lartë e merr për herë të parë një shqiptar. SHBA-të dhe Bashkimi Europian e kanë përshëndetur zgjedhjen e Xhaferit. Ky është një sinjal i qartë se shtetet kryesore perëndimore janë të vendosura të largojnë nga pushteti partinë e Gruevskit VMRO. Sinjalin duhet ta kuptojnë edhe partitë shqiptare, nëse ndonjëra prej tyre ka kalkuluar për një koalicion me VMRO-në.

VMRO është mbështetur, për fat të keq, tepër gjatë nga BDI. Kësisoj, partia nacionalkonservatore maqedonase i ka bërë dëm të madh Maqedonisë. Raportet ndërtetnike janë helmuar, mosbesimi është tepër i madh, autoriteti i BDI-së në mesin e shqiptarëve ka rënë dukshëm dhe kjo nuk është befasi, ndërsa skena politike shqiptare në Maqedoni mbetet e përçarë për shkak të egove të pangopshme dhe agjendave të ndryshme politike. Se Perëndimi nuk është i gatshëm të tolerojë Gruevskin të marrë peng Maqedoninë u bë e qartë sidomos sonte. Këtë, më në fund, duhet ta kuptojnë edhe ata shqiptarë që diktatorin e korruptuar maqedonas e quanin lider të madh.

Gruevski, kuptohet, i ka bërë dëm të madh edhe bashkëkombësve të tij. Shërbimi i tij sekret, i drejtuar me vite nga një familjar i tij, me vite ka përgjuar ilegalisht mijëra qytetarë, praktikisht të gjithë ata që kanë luajtur rol në jetën publike. Pothuaj të gjitha resurset shtetërore kontrollohen nga eksponentë të VMRO-së. Korrupsioni dhe kriminaliteti e kanë bërë VMRO-në njërën prej partive më të pasura në Ballkan. Shumica e mediave kontrollohen nga pushteti i Gruevskit. Shumë skandale duhet të hetohen nga drejtësia, mes tjerash vrasjet e panumërta të fshatarëve shqiptarë nga policia dhe sidomos «rasti i Kumanovës».

Gruevski ka shumë arsye të mbahet për karrige, sepse e di se mund të përfundojë në qeli. Për t’i shpëtuar burgut ai është i gatshëm t’ia vë flakën vendit. Këtë e tregoi edhe sonte me falangat e tij, të cilat përgjakën liderin e shumicës parlamentare, kryetarin e socialdemokratëve maqedonas Zoran Zaev, politikanin shqiptar Zijadin Sela, politikanen socialdemokrate Radmila Sekerinska. Përkundër propagandës së tmerrshme të nacionalistëve maqedonas, Zoran Zaev i qëndroi besnik planit për të formuar qeverinë me partitë shqiptare. Ai nuk pranoi ofertën e Gruevskit për një qeveri të toleruar nga VMRO apo për një koalicion të madh. Për këtë qëndrim të vendosur kundër regjimit kriminal të Gruevskit, Zaev meriton respektin edhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Fotografia e tij duke dalë i përgjakur nga parlamenti, me një fashë në kokë, me këmishën e skuqur nga gjaku, do të hyjë në histori. Këtë vendosmëri duhet ta tregojnë edhe shqiptarët, sidomos politikanët, për të luftuar për të drejtat e tyre. Sonte është mbrojtur edhe Maqedonia multietnike me shqipen gjuhë zyrtare.

Beteja kundër bandës së Gruevskit nuk ka përfunduar. Marioneta e tij Gjorgje Ivanov deri më tani ka refuzuar që si president t’i japë mandatin Zoran Zaevit për të krijuar qeverinë, për të cilën e ka shumicën me partitë shqiptare (67 prej 120 deputetëve). Ivanov dhe Gruevski u trimëruan edhe nga disa politikanë të papërgjegjshëm europianë si ministri i Jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz, i cili syhapur e përkrahu VMRO-në në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Shtypi skandaloz austriak i dha hapësirë Ivanovit që ai të tregojë përralla kundër ndërhyrjes së Shqipërisë në punët e brendshme të Maqedonisë dhe të atakojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëkohësisht duke lavdëruar rolin e Rusisë në rajon. Kryediplomati austriak Kurz me gjasë e shihte Gruevskin si stabilokrat, i cili do të pengonte kalimin e refugjatëve nëpër Maqedoni në drejtim të Europës Perëndimore. Edhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për zgjerim, nuk ka shkëlqyer gjatë përpjekjeve të tij për ndërmjetësim në krizën maqedonase. Tepër gjatë tregoi mirëkuptim për autokracinë e Gruevskit.

Ngjarjet dramatike të së enjtes duket se i kanë lënë përshtypje edhe presidentit Ivanovit, i cili si papagall përmendte «Platformën shqiptare» si projekt për destabilizimin e Maqedonisë, akuzonte shërbimet e huaja për lojëra antimaqedonase dhe diplomatët. Sonte ai foli me buzë të rrudhura. Nuk përmendi as platformën shqiptare, as konspiracionet perëndimore. Vetëm bëri apel për dialog. Në të vërtetë Ivanov mund t’i bëjë vetëm një shërbim Maqedonisë: t’i japë mandatin për kryeministër Zoran Zaevit.

Zhvillimet dramatike të së enjtes shpalosën edhe krejt marrëzitë e klasës politike shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë. Pak minuta pasi falangat maqedonase rrahën deputetë dhe gazetarë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli hodhi në Facebook një prononcim aq absurd po aq edhe skandaloz. Nuk e dënoi me asnjë fjalë terrorin maqedonas. Tha se «Maqedonia është një shtet mik, që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. I bëjmë thirrje faktorit politik që të ruajë paqen dhe stabilitetin». Po të shkruante kështu edhe ndonjë politikan i Islandës do të ishte skandal. Terrorin maqedonas nuk e dënoi as presidenti Hashim Thaçi. Ai shkroi: «Apeloj tek të gjithë që të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe shpresoj që qytetarët atje të mos bien pre e provokimeve». Nuk ishin te gjithë të dhunshëm të enjten. Kriminelët u panë në televizion. Duket se vetëm Thaçi nuk i ka parë. Isa Mustafa nuk është askund, për herë të fundit ka shkarravitur diçka në profilin e tij në Facebook më 23 prill, kur është marrë me sëmundjen e sondazheve. Edhe Edi Rama nuk dha asnjë deklaratë zyrtare, ndonëse pak ditë më parë kërkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve në rajon dhe për këtë u qortua jo vetëm nga udhëheqësit e BE-së, por edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë. Rama tha disa fraza të thata në një intervistë televizive, duke bërë apel për ruajtjen e Maqedonisë. Por nëse bandat nacionaliste nuk duan ta ruajnë Maqedoninë, atëherë këtë nuk mund ta bëjë as kryeministri i Shqipërisë. Heshtja e Ilir Metës është e pritshme. Duhet të jetë i dëshpëruar pas të gjitha atyre përpjekjeve nga prapaskena për ta mbajtur në pushtet Nikola Gruevskin dhe përkrahësit e tij, të cilët ka dy muaj që rrugëve të Shkupit bërtasin: «Vdekje shqiptarëve».

2 komente në “Vendosmëri kundër shovinistëve maqedonas”

  1. Haka Tekizoti says:

    Shkrimin duhet ta lexojë Berat Buzhala për të denoncuar autorin te serbët e te rusët.

  2. Genti says:

    Shqiptaret gjithmone preferojne te gjejne armiq ne mesin e tyre sesa te denojne ata qe kane dalur armiq haptas.
    Terrorristet maqedonas dalin ne fotografi e deklarohen me emer e mbiemer dhe asnjeri nuk guxon ti preke. Nderkohe nje nder udheheqesit me te zote shqiptare ne Maqedoni terhiqet zvarre i masakruar. Policia e Gruevskit nuk ka per tu dhene kurre drejtesi shqiptareve, prandaj populli te beje presion qe te denohen ata qe deshen ta vrisnin Ziadin Selen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje