Kodheli në Kukës: FA vijojnë hapjen e zyrave të mobilizimit në të gjithë vendin

29 Prill 2017, 11:03Politika TEMA

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura vijojnë hapjen e zyrave të mobilizimit në të gjithë vendin.
Në hapjen e zyrës në Kukës, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga komandanit i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali dhe sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës së qarkut të Kukësit Abdulla Domi.

Të pranishmit panë nga afër mjediset e reja të kësaj zyre, e cila sipas ministres Kodheli do të shërbejë për t’i ardhur më mirë në ndihmë banorëve të kësaj zone, të cilët përballen shpesh me situatat e emergjencave.

“Është një nga qendrat ku asistohet më shumë qytetari se në çdo qendër tjetër edhe për shkak të motit që shpeshherë bën surpriza jo të këndëshme duke na dërguar dëborë, duke qenë ftohtë duke bllokuar rrugët, por edhe për faktin që kjo është një pikë shumë e rëndësishme e veprimtarisë së Forcave të Armatosura sidomos tani që kemi hapur edhe zyrën e mobilizimit, e cila do të shërbejë për një database më të saktë të të gjithë ish-ushtarakëve në rezervë apo në lirim, të cilët kanë mundësinë të përgjigjen kërkesave gjithmonë në rritje të qytetarëve për shkak të emergjencave apo për shkak të nevojës për asistencë.” – tha ministrja Kodheli.

Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës rreshtoi kontributin e Forcave të Armatosura vitet e fundit, në ndihmë të komunitetit në këtë zonë, duke filluar që nga pastrimi i liqenit dhe deri te zhbllokimi i rrugëve nga bora.

Zyra e re e Mobilizimit të rezervistëve është hapur në mjediset e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale në qytetin e Kukësit, çka pritet të sjellë një bashkëpunim më të mirë me këtë strukturë të Forcave të Armatosura, e cila qëllim kryesor ka t’i vijë në ndihmë banorëve dhe pushtetit lokal në rastet e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje