Trazirat në Maqedoni/ Ish-negociatori i paqes: Nacionalistët maqedonas po luajnë me zjarrin

30 Prill 2017, 12:43Rajoni TEMA

“Nacionalistët maqedonas po luajnë me zjarrin”, paralajmëron njeriu që dikur ndihmoi të shmangej zhytja e vendit fqinj në luftë civile.

Pieter Feith ishte përfaqësuesi i NATO-s në negociimin e marrëveshjes së paqes, që i dha fund muajve të tërë përplasjesh të armatosura mes forcave maqedonase të sigurisë dhe guerrilasve shqiptarë në vitin 2001, shkruan top channel.

Ndërhyrja e tij u konsiderua e vyer asokohe, por pas zhvillimeve të fundit, Feith sheh sërish rrezik. “Mos e dhëntë Zoti, por hapi i ardhshëm që mund të imagjinoj është të rroken armët si në 2001-shin, e nëse kjo ndodh do të gjendemi shumë shpejt në prag të një lufte civile”, ishte komenti i tij për “Reuters”.

Diplomati holandez ka shërbyer ndër të tjera edhe si i dërguar i BE-së në rajon dhe aktualisht është këshilltar i lartë pranë Institutit Europian të Paqes, i cili mbështet ndërmjetësimin e bllokut dhe përpjekjet për zgjidhje të konflikteve.

Feith shkon deri aty sa të sugjerojë që Brukseli, jo vetëm të marrë në konsideratë vendosjen e sanksioneve, si ndalimi i udhëtimit apo masa financiare që të shënjestrojnë drejtpërdrejt udhëheqjen e VMRO-së, por edhe të mendojë bllokimin e procesit të aderimit të Maqedonisë për t’i dhënë fund këtij ngërci të rrezikshëm.

Zhvillimet e dhunshme të së enjtes i vunë në lëvizje demokracitë perëndimore. Pas sulmit në Parlament, të cilin e konsiderojnë të organizuar, BE, NATO, SHBA dhe OSBE sqaruan përmes një deklarate të përbashkët se presin hetim sa më të shpejtë për këto vepra kriminale dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë, ndërsa këmbëngulin që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup pohoi se krijimi i qeverisë së re, konfirmimi i Talat Xhaferit si kryeparlamentar dhe zbardhja e dhunës së të enjtes do të jenë pjesë e rëndësishme e axhendës se zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së këtij të fundit në Maqedoni.

Yee planifikon takime intensive me të gjithë udhëheqësit e partive politike parlamentare, e ka ndërmend të bisedojë nga afër edhe me presidentin Gjorge Ivanov.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje