VIDEO/ Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë. Ja se si morën urdhra protestuesit nga deputetë të Gruevskit

30 Prill 2017, 17:57Rajoni TEMA

Pushtimi i Kuvendit dhe sulmi mbi deputetët e LSDM-së dhe Zijadin Selës ka qenë i orkestruar mes protestuesve dhe deputetëve të VRMO DPMNE-së, dhe jo spontan. Kjo bazohet nga informacionet që ka siguruar ALSAT M nga burimet e tij, por edhe mbështetur në pamjet filmike që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale.

Votimi i Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit është shoqëruar me brohoritje dhe këngë nga deputetët e VMRO-së duke ngritur tensionet dhe kulmoi me shpërthimin me hyrjen e dhunshme të protestuesve në hapësirat e Kuvendit.

Por, sipas burimeve të sigurta të ALSAT, të cilat interpretojnë pamjet e brendshme nga qarku i kamerave të brendshme në Kuvend, dyert e Kuvendit janë hapur nga dy deputetët e VMRO DPMNE-se Krste Mukoski dhe Sashe Vasilevski, pa u penguar aspak nga sigurimi i Kuvendit dhe as nga policët e pakët që gjendeshin në hyrje të institucionit ligjvënës.

Pas hyrjes në hapësirat e Kuvendit, një grup i madh protestuesish kanë qëndruar në seancen plenare ku kanë festuar se bashku me deputetët e VMRO-së ndërsa një grup tjetër janë nisur drejt sallës së konferencave, për të gjetur deputetët e strehuar të maxhorancës së re, kanë marrë orientime nga deputeti tjetër Johan Tarçullovski, i dënur nga Tribunali i Hagës për krime lufte ndaj shqiptarëve si dhe kryeshefi i sigurimit të Parlamentit dhe kryeparlamenrarit Veljanovski, Alksandar Jankovic.

Protestuesit, sipas skenarit të deshifruar nga burimet e televizionit Alsat, kishin në shënjestër vetëm deputetët e LSDM-së dhe kreun e LR-PDSH-së, Zijadin Sela.

Fakti se në shënjestër të tyre ishin vetëm deputetet e LSDM-së, dëshmojnë edhe pamjet e shumta që po qarkullojnë. Një nga ato tregon qartë se si protestuesit anashkalojnë deputetin e BDI-së Artan Grubi. Madje një nga protestuesit, komunikon dhe përshëndetet me Grubin, duke i rrahur shpatullat njëri-tjetrit.

Edhe deputetët Xhevat Ademi, Vesel Mededi duket se si rrinë pas protestuesve të dhunshëm ndërkohë që ata mbeten të paprekshëm.

Pjesë e skenarit sipas burimeve të Alsat është edhe rasti me Vllatko Gjorçevin, i cili dukej në pamjet e transmetuara se si ndihmonte deputetët ndërkohë që thuhet se, këtë lëvizje e bënte me gjasë për të relativizuar rolin e VMRO-së në orkestrimin e dhunës.

Mbetet e paqartë nëse kanë qenë në dijeni të këtij skenari edhe deputetet e lëvizjes Besa të cilit ishin larguar nga Kuvendi dhe deputetët e PDSH-së të cilët gjithashtu nuk janë parë në hapësirat e institucionit ligjvënës. Sipas burimeve të Alsat të dyshimta janë edhe fytyrat e bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve të lartë të DSK-së në protesta. Sipas burimeve tona, flitet se të paktën 5 prej tyre kanë qenë pjesë e turmës, ndërkohë që ka pasur edhe ish punonjës të pensionuar, të të njëjtit shërbim, që janë parë të japin instruksione mbi turmën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje