Ilir Meta: Ditën që vdiq Enver Hoxha, babai më qëlloi me shpullë, e donte shumë. Emrin donin të ma vinin Novruz

Ilir Meta ka treguar dje përballë Blendi Fevziut, disa detaje nga jeta e tij.

Ai ka rrëfyer momentin e vdekjes së Enver Hoxhës, se si është pritur në shtëpinë e tij.

Presidenti ri ka treguar se atë ditë babai i tij e kishte goditur me shpullë.

“Kam ngrënë një shpullë ditën kur vdiq Enver Hoxha. Ika nga qyteti Studenti atë ditë.

E hëngra shpullën nga babai, sepse ai e konsideronte mungesë serioziteti, sepse e donte Enver Hoxhën”, u shpreh Ilir Meta.

Midis shumë pasioneve që ka pasur në rininë e tij, Ilir Meta ka habitur ndërsa ka treguar që për afro dy vite ka bërë edhe komentatorin sportiv në emisionin e njohur radiofonik në Radio Tirana “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me një nga ikonat e radios, Ahmet Shqarri.

“Po kam qenë edhe komentator futbolli për afro dy vite. Babai im kishte shumë miqesi më Ahmet Shqarrin.

Një ditë Ahmeti më ftoi të komentoja dhe për një vit e ca nga viti 1989 e pak dhe e lashë pastaj sepse stadiumet filluan të boshatisen”, tha Meta.

Ilir Meta: Gjyshja donte të ma vinte emrin Novruz

I ftuar në studion e Opinion, përballë Blendi Fevziut, Presidenti i sapozgjedhur ka folur për jetën e tij, larg fokusit politik.

Rrëfimi i Metës ka nisur që nga lindja e tij, në 23 mars dhe emrin që gjyshja kishte këmbngulur ti vinte.

Meta ka treguar edhe se gjyshja e tij donte t’i vinte emrin Novruz për shkak se ka lindur më 23 mars por nëna e tij nuk kishte pranuar.

“Kam lindur me 23 mars në Çepan, dhe gjyshja donte të ma vinte emrin Novruz. Po mamaja ime insistoi shumë për emrin Ilir”, ka rrëfyer Meta.

Pjesë nga intervista për jetën personale të Ilir Metës

Do të doja që të ishit sa më i hapur se zakonisht. Njerëzit sa më shumë ecin, sa më lart ngrihen në detyrë, aq më shumë e retushojnë jetën e tyre. Nuk e di a keni nevojë ju ta bëni këtë gjë.

Nuk besoj, përkundrazi.

Çdo të thotë përkundrazi?

Përkundrazi aq më shumë për t’u hapur.

Ju i takoni atij grupimi presidentësh që vijnë në një moshë të re. Jeni 48 vjeç President i Republikës, ndërkohë jeni një nga politikat më të gjatë që nga vitit 1991, keni qenë pjesëmarrës në takimin me studentët me Ramiz Alinë në vitin 1990. Por përpara kësaj keni patuar një jetë interesante. Thatë në fjalimin që keni mbajtur në Parlament se ëndërronit që të bëheshit pedagog në universitet. Nga ju vinte kjo ëndërr?

Natyrisht që në atë kohë, sepse jemi bashkëmoshatarë, ishte e vështirë që të mendoje apo të besoje që në vitin 1988, kur unë kam filluar studimet në Fakultetin e Ekonomisë, të bëheshe Ministër, të bëheshe Kryeministër, të bëheshe Deputet apo…

Por ju kishit një profil më sportiv, merreshit me peshëngritje. Dukej sikur kishit një profil që shkonte drejt këtij drejtimi se sa drejt pedagogut, njeriut të librave dhe të letrave…

Në atë kohë isha fokusuar në këtë linjë për t’u bërë pedagog në fakultetin e Ekonomisë.

Siç e referuat, me sa kuptova kishit ëndërr t’i ngjanit Anastas Angjelit në atë kohë?

E thashë pikërisht se ai ka qenë pedagogu im. Gjithashtu, më jepte lëndën “Financë” dhe e dinte këtë gjë që unë isha shumë i investuar për të realizuar këtë dëshirë apo këtë ëndërr, sepse po të kthehemi në atë kohë në vitin 1988, në radhë të parë ishte e rëndësishme të bëje shkollën e lartë.

E dyta ishte që të filloje punë në Tiranë. Motra ime mbaroi shkëlqyeshëm për “Anglisht” dhe u caktua në një fshat shumë të largët, jo se ishte problemi pse do të shkonte atje, sepse ishin të shumtë të gjithë ata që shkonin dhe shërbenin në profesione të ndryshime në zona të ndryshme, por ishte një zonë kaq e largët dhe familja gjithmonë ishte e shqetësuar. Kështu që ishte gjë e madhe të bëheshe pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë.

Megjithatë të paktën nëse sheh jetëshkrimin tuaj tregon që ju keni pasur ambicie që në atë kohë. Thuhet se në vitin e dytë të fakultetit keni qenë Sekretar Rinie?

Që në vitin e parë kam qenë Sekretar i Rinisë i “Ekonomisë Politike” të katër viteve bashkë.

Tregohet që keni qenë ambicioz që në vitin e parë, tentoni të kishit në karrierë paralele me atë të pedagogut?

Gjithmonë kam qenë. Edhe në shkollë të mesme kam qenë komandant në zbor. Isha komandant i togës. Kisha një aftësi për të drejtuar.

Nga ju vinte kjo?

Nuk e di, ndoshta është diçka që vjen nga brenda.

Ju thoni që edhe në shkollë të mesme keni qenë komandant toge. Por duket se keni pasur relata shumë të këqija me një shok tjetër klase tuaj, moshatar tonin Ben Blushin që është sot në politikë?

I kam pasur shumë të mira.

Keni qenë shok klase edhe në shkollën 8-vjeçare?

Në 8-vjeçare nuk e mbaj mend, por në shkollën e mesme kemi qenë te “Sami Frashëri”.

Meta sipas jetëshkrimit ju keni lindur në Çepan të Skraparit. Ju e përmendët edhe në fjalimin përshëndetës si zgjedhje e Presidentit të Republikë, në vitin 1969…

Unë kam lindur në 24 mars të vitit 1969 edhe për kuriozitetin tuaj, gjyshi im donte të ma vinte emrin Norvruz, pasi përkonte me festën e Sulltan Novruzit dhe duke qenë si zonë bektashiane, kjo ishte një gjë shumë normale për ta menduar.

Dhe pse nuk jua vuri?

Sepse mamaja ime rezistoi shumë.

Ju lindët në Çepan të Skraparit, ndërkohë që babai juaj punonte në Tiranë dhe u transferua e gjithë familja në Tiranë, në çfarë moshe?

Babai im punonte në Tiranë përpara se sa unë të lindja por ngaqë nuk kishin shtëpi, siç e keni parasysh atë kohë, do të kem qenë 2 vjeç.

Ju jeni transferuar në Tiranë në moshën 2-vjeçare dhe jeni shkolluar në disa prej shkollave më të mira të Tiranës…

Kopshti i parë ka qenë te Pazari i Ri, aty ku hëngrëm darkë para disa ditësh me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe z. Rama. Kishte ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, kisha koha pa shkuar atje.

E dyta te shkolla “Hoxha Tahsim” ka qenë një kopsht tjetër dhe pastaj kalova te “Kongresi i Lushnjes”, shkolla “Fan Noli”, gjimnazi “Sami Frashëri”.

Ju keni ndjekur gjithë zinxhirin tuaj të shkollimit në Tiranë. Si shpjegohet që vazhdimisht ju shohin si skraparllinj dhe si shpjegohet që dhe ju vetë theksoni më shumë këtë pjesë tuajën?

Së pari, vajza ime 12 vjeçe, po ta pyesësh se nga je, thotë se jam nga Skrapari dhe e thotë me një krenari të madhe, pavarësisht se ka lindur në Tiranë. Njeriu është produkt i historisë, edukimit përmes shkollës, librave, aktiviteteve të ndryshme kulturore, apo përmes gjyshërve, të afërmve, kështu që një traditë, një histori ka atë ndikimin e vet në identitetin e dikujt.

Thatë që keni ardhur në Tiranë ndërkohë që u vendosët në një nga lagjet më tradicionale të Tiranës, rreth Pazarit të Ri, që është e mbushur me tiranas autoktonë dhe dibranë të ardhur menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Ndërkohë familja juaj ishte një familje oficerësh me origjinë nga Skrapari dhe pallati ku ju u vendosët ishte kryesisht me oficerë. Si ndihej kjo strukturë disi e juaj në këtë lagje?

Familja ime ishte një familje mësuesish. Mamaja ime ishte arsimtare dhe babai im ishte praktikisht arsimtar në shkollën Skënderbej, kur mbaroi studimet për gjuhë-letërsi dhe pastaj bëri akademinë ushtarake dhe mbajti atë linjë. Pallati ynë ishte pallati i shkollës Skënderbej dhe i Shkollës së Bashkuar që ishte bërë me punë vullnetare.

Si ndihej atmosfera në këtë lagje? Ishte një lagje që ishte indiferente ndaj regjimit komunist…

Ishte një lagje e mrekullueshme. Ishin dy botë të ndryshme, bota brenda pallatit tonë dhe bota rreth pallatit tonë dhe midis nesh ishte Aleksandër Lalo me pianon e tij, sepse e kishim fqinj, që e bënte shumë të ndryshme dhe interesante jetën tonë.

E ndjenit këtë botën që ju e quani jashtë pallatit tuaj? Bota e pallatit tuaj ishte një bote me një lloj përkushtimi ndaj regjimit komunist, po bota që ishte jashtë?

Edhe në pallatin tonë kishte rebelë. Por jashtë pallatit pastaj ishte një frymë krejt tjetër, dallohej që në faktin se brenda pallatit tonë ishte të gjithë tifozë me Dinamon dhe Partizanin kryesisht, ndërsa jashtë pallatit tonë ishte të gjithë tifozë me Tiranën. Dhe kjo reflektohej mes çunave të pallatit dhe atyre të lagjes.

A ndodhte të dëgjoje fqinjët e tu ose njerëzit rreth e rrotull të flisnin kundër komunizmit ose për kushtet e këqija të jetesës?

Shpreheshin në forma të ndryshme. Edhe kjo përplasja në sport ose në forma të tjera ishte një llo pakënaqise por jo e menduar. Ishte diçka spontane.

Ndërkohë edhe ju u bëtë tifoz në atë kohë besoj?

Patjetër. Babai im ishte tifoz i çmendur i Dinamos dhe më merrte me vete në stadium dhe na imponohej si të thuash me Dinamon. Pastaj, babai kur ishte në shkollën Skënderbej kishte nxënës Perlat Mustën, Artur Lekbellon, ishte një gjeneratë e kësaj shkolle dhe kur ne shkonim në kovaleshencën e Ministrisë së Mbrojtejs në Durrës, unë rrija me ata sepse me quanin djalin e komisarit. Im atë ishte mësues, por ishte edhe si komisar, pasi kishin funksione të dyfishta në shkollë. Unë ngaqë e adhuroja Perlatin u bëra tifoz me Partizanin.

Thonë që ekipi i zemrës në futboll nuk ndërrohet kurrë në jetë? Hyn te një nga rastet e rralla…

Kjo nuk më ka ndodhur vetëm me Holandën, por këtu më ka ndodhur deri diku.

Dhe vazhdove të jesh tifoz gjithë jetën? Tani më dukesh me indiferent…

Nuk para kohë ta ndjek, por vazhdojë të jem tifoz me Holandën. Jam i qëndrueshëm me Holandën, jam i qëndrueshëm me Milanin. Më pyeti dikush, çfarë debatesh keni të forta me Petrit Vasilin. Unë iu përgjigja se debate të forta kemi kur flasim për Interin dhe Milanin, kemi padyshim edhe në politikë. Ai është shumë tifoz me Tiranën, por nuk është se unë e ndjek kaq shumë Partizanin apo ta ndjej shumë këtë tifozllëk kur luhet derbi. Dhe ai që më thotë: mos i thuaj që je me Milanin, sepse ka rënë shumë si skuadër, thuaj që je me Juventusin se ajo fiton. Dhe me Milanin kam qenë për shkak të holandezëve të famshëm në vitet 90’.

Si ishte të ishe adoleshent në Tiranën e viteve ‘80?

Adoleshent do të thotë të ishe gjithmonë në një sfidë të vazhdueshme midis ëndrrave, të cilat ishin të kufizuara për shkak edhe të mundësive për të përfytyruar të ardhmen sepse liritë ishin të kufizuara.

Çfarë pasionesh kishit në atë moshë?

Në atë kohë fillove të merresha me peshëngritje, që në vit të parë në gjimnaz. Të them të drejtën motiv frymëzimi u bë arratisja e Aleksandër Kondos. Pasioni ishte dëshira për tu marrë me sport. Fillimisht e nisa me futbollin por nuk kisha ndonjë talent të spikatur. Një ditë trajneri i Aleksandër Kondos, që ishte edhe trajneri i kombëtares në peshëngritje, Profesor Ferit Berberi, me pa dhe e pëlqeu konstruktin tim dhe më ftoi që të merresha me peshëngritje dhe më stërviti për 2 vite.

Pastaj nuk u morët më me sport?

Pastaj u bëra komentator futbolli.

Si ndodhi kjo?

Babai im kishte shumë miqësi me Ahmet Shqarrin, kishin studiuar bashkë për letërsi. Mua më jepej të shkruaja, bëja ndonjë shkrim dhe Ahmeti më ftoi për të bërë rolin e komentatorit dhe e kam bërë për një vit e ca.

Ekonomikun jua caktuan apo e zgjodhët vetë?

Të them të drejtën e zgjodha vetë për arsye se kisha vetëm një problem, nuk doja inxhinieri mekanike. Kisha një fobi nga vizatimi teknik. Ka qenë një lëndë që e kisha shumë problem. Në lëndët e tjera kam qenë shumë mirë.

E kishit mesataren për ekonomikun?

Mesataren e kisha shumë të lartë. U futa në ekonomi politike, që ishte një degë që kishte profesorët më të mirë në atë kohë, më me eksperiencë.

Kur filluat ta kuptonit që jetonim në një sistem absurd?

Që Shqipëria kishte probleme e kam kuptuar për herë të parë nga Muharrem Berisha. Sepse unë mendoja që isha një fëmijë i rritur në kushte të mira dhe kisha një lloj dashurie për sistemin në atë kohë. I pari që më ka folur ishte Muharrem Berisha dhe ato dy vite në peshëngritje më mësuan shumë gjëra. Aty flisnin hapur për problemet që kishte Shqipëria dhe që jashtë ishte mirë.

Ndjeheshit keq kur ju flinin keq për regjimin?

Nuk është se ndihesha keq por thosha se si ka mundësi. Por, pastaj fillova t’i jap të drejtë që një kampion si Muharrem Berisha që unë e kisha idhull, apo Agron Haxhihysenin, nuk kishin bukë të hanin. Pra, në kushte mjaft të vështira.

Me cilin ekip stërviteshit në atë kohë?

Me Dinamon. Unë stërvitesha nga Ferid Berberi direkt, edhe me të rriturit. Sepse ai më zgjodhi vetë. Më stërviste vetë që ditën e parë që më mori e deri ditën kur u shkëputa.

Besoj që tani, me rrugën që ju ka marrë jeta, nuk jeni penduar më që latë peshëngritjen apo që nuk u bëtë kampion me Shqipërinë?

Unë e adhuroj shumë këtë sport dhe të gjithë sportet për shkak të faktit se duhet t provosh sfidat dhe vështirësitë e sportit që të kesh një vlerësim më të madh për ta, sidomos për ata që janë kampionë. Aq më tepër kur ti vetë nuk ke arritur të jesh kampion. Dhe kampionët vuajnë shumë, sepse ne shpeshherë shikojmë anën festive, por për të vajtur atje një sportist sakrifikon në mënyrë të jashtëzakonshme, shpeshherë edhe ç’njerëzore, saqë ajo dëshira për të qenë i pari është kaq frymëzuese sa përballon çdo gjë.

Në vitet ’87-’88 ju shkuat në Fakultetin Ekonomik në një kohë kur situata po rëndohej, gjithë lindja po ndryshonte… Cila ishte atmosfera në universitet në atë kohë, në vitet ‘80?

Pas vitit ’89 filloi situata të lëvizte pas vrasjes së Çausheskut. Mbaj mend atëherë që kur u ekzekutua Çaushesku, Anastas Angjeli erdhi në klasë dhe duke diskutuar për Rumaninë, ai tha që: ‘Mirë ja bënë atij, se e kishte bërë baltë edhe ai…”, dhe ishte mjaft interesante të flitej në atë mënyrë. Ose ishte një profesor tjetër, i cili tregonte batuta që tregonin qartë që sistemi socialist ishte në buzë të greminës. Mirëpo këto ishin shumë të guximshme për atë kohë, pra kishte filluar një lloj ‘shthurjeje’ le të themi e liberalizmit. Kuptohej edhe Enver Hoxha kishte vdekur dhe disa teza po themi pak si më të moderuara ishin hedhur. Por për mua, që pata fatin të kisha disa pedagogë, të cilët për fat të keq nuk jetojnë, por që unë u jam shumë mirënjohës për vëmendjen që kanë kushtuar, edhe ndaj meje personalisht. Por po të dëgjoje, po të mbaje shënim dhe po të thelloheshim në ato që thoshte profesor Hekuran Mara, që jepte Socializmin, ti e kuptoje që ishte një sistem që kishte mbaruar.

Ndërkohë, a vazhdonit të udhëtonit në Skrapar duke pasur parasysh që ju jetonit në Tiranë?

Unë në Skrapar kryesisht kam shkuar deri në 8-vjeçare, para se të filloja sportin. Njëherë mbaj mend që kam ikur pa leje nga shtëpia, kam marrë trenin, autobusin dhe pastaj ika në këmbë në fshat, 3 orë nga Çorovoda.

Në çfarë moshe ikët nga Tirana në Çorovodë në atë kohë? Dhe arritët të shkonit deri atje?

Mund të kem qenë 9 ose 10 vjeç. Arrita të shkoja sepse shoferi i autobusit, i cili djalin e kishte nxënës të babait tim në shkollën ‘Skënderbej”, dhe vajta i thashë që me porosi të tim ati do të më marrësh dhe më çoi në Çorovodë. Familja nuk e mori vesh fare sepse unë kam fjetur tek një kushërirë. Për të gjithë ata që e kanë parë filmin ‘Beni ecën vetë’, fshati ishte një magji e paparë.

Përse ishte magji fshati?

Sepse ishte një liri tjetër. P.sh. kam pasur mundësinë të fle në stan.

Ekonomikisht ishte keq fshati?

Padyshim që ishte keq por çdo gjë është relative sepse në fund fare duhet të kemi parasysh që ata ishin njerëz punëtorë. Nuk është se jetonin keq për atë kohë, pra ishte një jetesë relative për atë kohë.

Në vitin 1990 ju ishit student i vitit të fundit të Ekonomikut dhe në fillimin e protestave të studentëve u bëtë aktiv dhe morët pjesë në takimin e studentëve me Ramiz Alinë. Si shpjegohet që një djalë që vite nga një familje komuniste befas gjendet në një grupim që shkon për të takuar Presidentin dhe për t’i kërkuar pluralizëm politik?

Nuk mendoj se ishte e rastësishme, ka qenë gjithçka graduale. Me ekzekutimin e Çausheskut në Rumani të gjithë po kuptonin që diçka po ndryshonte. Në Shqipëri kishte filluar një proces i cili të provokonte ide për ndryshime dhe që pranonte që gjërat nuk ishin mirë. Pastaj kemi ambasadat.

A është e vërtetë që edhe ju keni dashur të ikni me Ambasadat?

Po është e vërtetë, sepse një shoku im i ngushtë u fut në ambasada, tek ajo Gjermane. Por unë kisha dy probleme, e para ishte problemi i shkollës që e kisha diçka shumë të rëndësishme dhe e dyta ishte babai sepse jam i bindur që nuk do ta përballonte dot një gjë të tillë. Ishin shumë arsye, por shkollën e kisha prioritet.

REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Ilir Meta: Ditën që vdiq Enver Hoxha, babai më qëlloi me shpullë, e donte shumë. Emrin donin të ma vinin Novruz”

  1. H.I.Mariotti says:

    Presidenti yne do ta kishte emrin…. Novruz….
    Na mbyten turqit,
    Prandaj na vene punet per lume!…

  2. Xha Selimi says:

    Enveri eshte i gjalle ne zemrat tona Ilir ! Keshtuqe e ke ngren kot pellemben .

  3. Shpetim says:

    Maskara burre. Kujton se me zgjedhjen presidetn do te shpetoje. pos u largua gjithe klasa e vjeter politike e cila eshte tejet e korruptuar dhe e lidhur me krimin , gjithmone gjendja ne Shqiperi nuk do jete stable , sa qe njerezve do ti behet e pamundur te qendrojne ketu, por do kerkojne te largohen, vetem se drejtojne njerez hajdute, te cilet nuk mendojne per popullin, por mendojne per xhepat e tyre.

  4. I syrgjynosur says:

    Cudi e madhe dhe e tmershme.
    Shqiperia zgjedh nje president te akuzuar per vjedhje dhe korrupsion. S’ke ci ben nuk kishte “tjeter”. Z. Meta kohet e fundit ka marre rolin e papes ne Shqiperi qe nenkupton “Ujkun qe eshte transformuar ne dele”…. ha ha ha.
    Optimizem te nderuar shqiptare !!!! Shqiperia do behet sepse ne krye zgjedhim presidente dhe kryeministra si z.Meta,Nano,Berisha,Rama, etj etj.
    Bravo Meta Me presidente si JU Shqiperia do t’ja kaloje dhe Zvicres e Gjermanise…

    1. nje i ikur nga "parajsa" shqiptare ! says:

      Fatkeqsisht ke plotesisht te drejte !

  5. Jo skraparlli ! says:

    Sa i peshtir mashkull !
    Kur vdiq Enveri:
    …..babai me goditi me shpulle dhe une u largova drejt Qytetit Sdudenti !!!
    me nje fjale : Iliri se deshte Enverin dhe kulmi i kulmit kur thote se vajti ne drejtim te vendit ku do lindete revolta kunder tije !!!
    Iliri, rebel dhe Profet !!!
    Hahahahahahahahahaaaaaa…. budallai i Cepanit qe Sulo Gradeci e futi ne Politike dhe e martoi ,po na tregon prralla tani !

  6. artan fuga says:

    Pse cuditeni me Meten? Po Thaci ne Kosove? Eshte pune geni…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *