Fatos Nano: Anija e vjetër e Berishës po mbytet, sepse…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Më 28 qershor 1997, kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, jepte këtë intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, që dritare.net po e sjell të plotë.

Ishte kohë zgjedhjesh. Palët qenë përballë. Një ditë para votimit të madh, Nano i sigurt për fitoren, uronte Berishën: “Presidentit do t’i uroja me gjithë shpirt, që të hënën, mos ta braktisë asnjë shqiptar në aftësitë e tij të shquara si kardiokirurg”. Fatos Nano flet edhe për kthimin e parave të fajdeve. Dhe nuk përdor fjalën 100. Ka edhe premtime të tjera, kjo intervistë e rrallë fushate, që mbyllet me dëshirën e liderit historik të PS: Brezat që do të vijnë e di se do na kritikojnë, por të paktën, të mos na tallin.

Nga Rudina Xhunga

Nga burgu, në tribunën elektorale. Si jeni ndjerë dhe sa shpresoni të përkojë me rezultatin e zgjedhjeve, pjesëmarrja masive në mitingjet tuaja?

Kam marrë pjesë në këto mitingje me shumë partnerë dhe liderë të reklamuar nga elektorati dhe besoj se prova e kaluar në këtë fushatë specifike, na krijoi idenë se jemi më afër, se çdo herë tjetër, rezultatit pozitiv të zgjedhjeve. Do ta sintetizoja me këtë fakt: Në qoftë se në mitingjet e para dominonte ndjenja e protestës, shprehur me britma urrejtjeje, në fazën e dytë të fushatës, dallohej dukshëm ndjenja festive. Kjo pse njerëzit vërtetë nisën të kuptojnë se po afrohet një tjetër epokë, ndaj transformuan shumë shpejt reaksionin emocional në reaksion racional. Them se dëshira për të mënjanuar fenomenin politik Berisha është aq e fortë, sa do mjaftojnë për t’i dhënë opozitës fitoren deçizive.

Politikani Nano ka premtuar kthimin e parave të humbura në firma. Po ekonomisti Nano është po aq optimist?

Kam qenë shumë i kujdesshëm për ta trajtuar këtë problem me përgjegjësi politike dhe gjakftohtësi profesionale. Parimi im, i njohur në çdo vend të botës së qytetëruar, është se hajdutët duhet të dëmshpërblejnë viktimat, menjëherë pas reagimeve të pushtetit ligjor. Autoriteti i ekzekutivit duhet të shfaqet në investigimin serioz të këtyre firmave të falimentuara, në bashkëpunimin me shoqëri të specializuara të kontrollit ndërkombëtar, që tashmë e kanë ofruar eksperiencën e tyre. Do të gjendet kështu, ku kanë shkuar këto para, të cilat mandej do të kthehen në maksimumin e mundshëm të rikuperueshëm, me mjete e mënyra institucionale të tregut europian. Së fundi, është parimi shumë serioz profesional që kthehet në princip politik; standardizimi i tregut shqiptar me rregullat e tregut të Bashkimit Europian, duke vendosur qartësisht konkurrencën, përfshi ligjin antimonopol dhe gjithë praktikat që u japin ekskluzivitet firmave të huaja, apo vendase. Mbi këtë bazë do të bëhet e mundur që çdo qindarkë e krijuar si vlerë e shtuar në të ardhmen, qoftë në formë të ardhura kursimesh, investimesh, apo ndihmash e kontributesh që Europa është e gatshme të na i dërgojë pas zgjedhjeve etj., do të vlejë shumë më shumë se në regjimin e vjetër të Berishës. Këto fenomene me efekte kompesues, do mundohemi të mos ju kujtojnë njerëzve të kaluarën, por t’i bëjnë të mendojnë se po jetojnë, po fitojnë, po gëzojnë liri dhe të drejta më të mëdha se dikur.

Në bisedën me Berishën në Trieste ’92, ndërmjetës ishte Mentor Çoku, (atëherë President i Unionit Islamik për PE) dhe zgjedhjet i fitoi një mysliman. Tani do i fitojë një i krishterë duke qenë se Trieste ’97 organizohet me ndërmjetësinë e Kishës?

Ne shqiptarët kemi aspiruar nga hera Europën. Humbëm shumë shanse për 50 vjet, humbëm dhe disa shanse tepër të vlefshme këta 5 vjet të tjerë. Regjimi komunist ndaloi që feja të ndikojë në ekuilibrin tonë moral e shpirtëror, por nuk arriti të zhdukë bashkëjetesën specifike të fesë me shqiptarët. Unë jam angazhuar që të bashkëpunoj me përfaqësues të të gjitha forcave politike, sikundër me ato fetare, me qëllim që çdo shqiptar, mysliman, apo ortodoks të ndihen europian. Kështu që, jam fare indiferent se çfarë përkatësie fetare kanë mediatorët, apo negociatorët që na ndihmojnë të realizojmë më mirë aspiratat tona.

Edhe kur ata janë të huaj?

Unë në përgjithësi jam pro mediatorëve sepse vetëm kësisoj mund të mësojmë të ndahemi nga e kaluara duke qeshur. Na ka munduar në të kaluarën lehtësia me të cilën kemi likuiduar njëri-tjetrin. Ishte dukuri e panjohur për ne, dalja në skenë, qoftë edhe 5, 6 vjet tranzicioni, veçanërisht këto muajt e fundit, e mjaft negociatorëve vendas. E gjej veten midis tyre, por pa harruar se kemi nevojë edhe për negociatorë ndërkombëtarë. Kjo s’na e ul aspak dinjitetin si shqiptarë, përkundrazi.

Nesër votohet dhe PD i ka tashmë gati strukturat e saj të 26 majit. PS-së do t’i mjaftojë militantizmi?

Kemi ngritur përveç strukturave teknike e materiale të ligjshme dhe strukturat tona njerëzore, nga të cilat buron, sot veçanërisht, energjia që është dhe garancia më e madhe për mospërgatitjen e majit të ’96-ës. Jam tepër gjakftohtë, kur pohoj se anija e vjetër e Berishës nuk mund ta prishë më procesin elektoral dhe të ardhmen institucionale e demokratike të Shqipërisë.

Ndër kandidatët tuaj për deputetë, ka edhe figura të konsumuara. Nuk keni menduar të krijoni një bërthamë njerëzish të rinj, të paprekshëm nga çdo komision virgjërie?

Bërthama është dhe po zgjerohet me ritme shumë të shpejta. Karakteri specifik i kësaj situate, ekstremizimi i reagimeve dhe taktikat e Berishës, kanë detyruar ekzistencën e fenomenit që ju përmendni, por unë nuk mendoj se në Shqipëri ka qenie dhe individë të parikuperueshëm. Nuk mendoj gjithashtu, se çdokush mund të emërohet deputet, apo pjesëtar i stafeve qeveritare, që do të çojnë vendin në Europë. Kjo është një çështje filtrimesh mbi bazë kriteresh politike, por sidomos kriteresh profesionale. Bindja ime është se Shqipëria të bëhet, apo më mirë mund të ribëhet me anë të një formule që harmonizon traditën me novatoren. Ju lutem mos t’ju tingëllojë shumë e vjetër kjo, por e përdorur në sensin e ndërthurjes së traditave të qytetërimit europian. Dhe së fundi, prioriteti i takon brezit të 25-40 vjeçarëve, që po troket fuqishëm në dyert e Shqipërisë së re. Unë i pari do largohesha vullnetarisht përballë kësaj konkurrence të ndershme.

Nëse i humbisni këto zgjedhje do reagoni vetëm me tolerancë dhe diplomaci, duke e trajtuar humbjen si konkurrencë të ndershme?

Nëse PS humbet, përsëri do t’i qëndroj pranë njerëzve që do përpiqen të kapërcejnë krizën. Megjithatë, këto zgjedhje mund t’i fitojë çdokush, por assesi Berisha, sepse fitorja e tij do qe  humbja e madhe e Shqipërisë dhe kriza e thelluar deri në papërballim.

Ju nuk dyshoni aspak për humbjen e Presidentit?

Absolutisht. Në një proces normal elektoral, Berisha është i humbur.

Kjo bindje ju vjen nga ajo çka duket, apo nga ajo që ne nuk e shohim?

Nga ajo që duket dhe gjithë ç’konkludohet në mënyrë logjike gjatë këtyre viteve dhe sidomos muajve të fundit.

Në rast se PS fiton, cilat do të jenë partitë me të cilat kurrsesi nuk do pranojë të bashkëpunojë?

Me çdo individ, apo parti që do të tentonte të ripërsëriste gabimet dhe mentalitetin e së kaluarës, me gjithkënd nuk do ishte i gatshëm të përqafonte politikën e re të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit, apo do rishfaqte tendencat e autoritarizmit e totalitarizmit.

Nëse i fitoni zgjedhjet e së dielës, të hënën me ç’mesazh do i drejtoheni Berishës?

Do t’i uroja me gjithë shpirt që të mos e braktiste asnjë shqiptar në aftësitë e tij të shquara si kardiokirurg. Ai padyshim ka pasur një klientelë të zgjeruar në profesionin që ka ditur ta bëjë shumë mirë.

Jeni i bindur se do qeverisni më mirë se Berisha, apo Konica s’ka gabuar kur shkruante: “Shqiptarët kanë lindur nga idealizmi, kanë jetuar nga rastësia dhe do vdesin nga politikanët”?

Konica është shumë i nderuar për realizmin e tij cinik dhe personalitete si ai na ndihmojnë të kuptojmë ç’nuk duhet bërë. Brezat që do vijnë padyshim do gjejnë për të kritikuar në mënyrën tonë të qeverisjes, por së paku mos të na tallin. Angazhohem që kjo të mos ndodhë.

Ç’do të realizoni konkretisht që dhe brezat e sotëm të mos ju tallin?

Emergjente për ne do të jetë bllokimi kushtetues politik dhe institucional i faktorëve të vjetër. Kjo do të arrihet vetëm nëse kemi mazhorancë në parlament. (Flas për shumicën si opozitë, nga qendra e majtë dhe më tej, sepse kemi kontakte partneriteti dhe me qendrën e djathtë, përjashto Berishën). Pa zhbllokuar këto do e kemi të pamundur të realizojmë projektet e tjera; rivendosjen e rendit dhe sigurisë, neutralizimin e menjëhershëm të bandave kriminale, fillimin e procesit të çarmatosjes së njerëzve. Kemi pyetur në mitingjet tona, në do të dorëzohen armët, poqe se kthehet besimi që ju ofron demokracia. Kemi krijuar bindjen se kështu do të ndodhë, sepse njerëzit, janë të lodhur nga krismat dhe streset që krijoi Berisha. Do të marrim masa urgjente, në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Forumin e Romës që po përgatit asistencën masive për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, për të dalë nga kriza, për të  vendosur nën kontroll inflacionin, stabilitetin makroekonomik dhe për të ristartuar punën, investimet, biznesin, iniciativën e lirë. Kushtetuta do të jetë gjithashtu një nga problemet kryesore që do shqetësojë parlamentin e ardhshëm.

S’na ngelet t’ju urojmë të mos e shpërdoroni pushtetin.

Nuk ka si ta shpërdorojmë besimin që do na japin zgjedhësit e lirë, kudo në Shqipëri, sepse jemi të ndërgjegjshëm se ata dinë të protestojnë dhe do ta kenë fare të lehtë të na largojnë nga skena, nëse e keqpërdorim pushtetin. Për pasojë do dimë t’u shërbejmë atyre krejt ndryshe nga ç’bëri këto vite Berisha.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Fatos Nano: Anija e vjetër e Berishës po mbytet, sepse…”

  1. Na bashkoj kenga popullore says:

    Ti ja dhurove pushtetin more shkerdhat,e more en qaf nji komb te tere

  2. C says:

    Anija po mbytet se i ka hyp Nano.

  3. perkthyesi says:

    E gjithe klasa politike shqiptare dhe politikanet qe e perbejne jane te papergjegjshem, por Nano eshte krejtesisht i vecante! Me delirin e tij, mosbindjet e shpeshta, deklaratat e pavend, mashtrimet e pafund, indiferentizmin e spikatur dhe paaftesine proverbiale, u a kalon te gjitheve! Shpetuam prej ketij delenxhiu funksional, por ende jemi nen thundren e ketyre kopukeve te tjere, te cileve u ka marre koka ere! Sa me shpejt te na ikin nga syte kembet, aq me mire per kete popull fatkeq! Fundja, kete e ka vete ne dore populli, d.m.th, vota e tij!

  4. xheJ eN Bi says:

    Populli ka thene :Te behem dhe nje here nuse ,pa di une si te nuseroje.
    Nanua u be disa here “nuse” dhe prap nuk diti te nuseroje.

    Dhe koha tregoj se jo vetem qe i kritikojne ,po dhe i tallin,se ashtu u sollen me POPULLIN.

  5. sadna babul ka bidai says:

    ME ANIJEN E VJETER KENI PUNU KUSH ME SHUME KUSH ME PAK .SI LIDER I VERTET Z.SALI I KA DHENE FORCE GJITHE SHQIPERIS KA BERE FORCEN POLITIKE QE I KANE DHENE PER TE DREJTU KOMBIN SHQIPTAR PER DERISA KA PASUR FORCEN E PERGJITHSHME KA BERE PUNEN NE PUSHTET .CDO LIDER KA BERE PUNEN E TI MIR APO KEQ ,CDO GJE ESHTE ME MOSHE PER TE PERVETESU BREZIN APO POPULLIN E TIJ .ATY NE POST JENI PER QYTETET ,KAPO ESHTE I PERGJITHSHEM .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *