Agron Duka: Ju rrëfej darkën në Mullet me Fatos Nanon

3 Maj 2017, 11:12Politika TEMA

Agron Duka, kreu i PAA-së ka një miqësi të hershme me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano. Dy net më parë ata darkuan së bashku në një restorant në Mullet të Tiranës. Nuk e shmangën dot as bisedën politike në prani të sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit, z.Agaçi. Aleati i PD-së, Agron Duka tregon për “Gazeta Shqiptare” bisedën me miqtë e hershëm dhe cila është këshilla që i dha Fatos Nano për zgjedhjet. Z.Duka flet edhe për zgjedhjen e Ilir Metës në krye të shtetit dhe se do ta pranonte një qeveri teknike me Edi Ramën kryeministër.

Z.Duka, cila është e vërteta e takimit tuaj me ish- kreun e PS-së, Fatos Nano dhe sekretarin e përgjithshëm të kryeministrit, z.Agaçi?

Po, është e vërtetë që jemi takuar. Jemi miq prej vitesh. Takohemi herë pas here, hamë dreka dhe darka. E tillë ishte edhe darka në Mullet.

Folët për politikë?

Sigurisht. Nuk mund ta shmangësh nga tavolina situatën aktuale politike. Bëmë bisedë politike, por jo me një qëllim të caktuar.

Ju kërkoi z.Nano që të hyni në zgjedhje, pavarësisht vendimit të opozitës?

Jo, nuk ma kërkoi një gjë të tillë. Z.Nano e ndjek politikën dhe interesohet se çfarë ndodh, pasi gjithkush është i çuditur me situatën aktuale, por ai nuk ndërhyn. Fatos Nano të lë iniciativë të lirë dhe nuk e kërkon asnjëherë një gjë të tillë.

Atëherë cila është këshilla që ju dha z.Nano?

Z.Nano shprehu interesim për Partinë Agrare Ambientaliste dhe më tha që jeni në rrugë të mbarë, më përgëzoi për punën e bërë deri tani si parti dhe më tha kështu vazhdoni…

Është e vërtetë që PAA nuk është çregjistruar nga KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, pavarësisht se ju iu bashkuar vendimit të opozitës së bashkuar për të mos hyrë në zgjedhje?

Ne si PAA ishim regjistruar më parë, por kur koalicioni opozitar vendosi që mos të marrim pjesë në zgjedhje, kërkuam çregjistrimin në KQZ. Ne e kemi bërë kërkesën tonë, por nuk e di se ç’ka bërë KQZ dhe kjo mbetet për t’u parë.

Gjithsesi, ju nuk do të hyni në zgjedhjet e 18 qershorit?

Jo, aq kohë sa nuk ka garanci të votës së lirë të shqiptarëve nuk mund të marrim pjesë në zgjedhje. Duhet të garantohet vota dhe të ketë garë të ndershme, pastaj marrim pjesë në zgjedhje. Nëse nuk bëhen zgjedhje të lira, nuk kemi pse të hymë në zgjedhje. Kush ka menduar se kjo është lojë, duhet ta kuptojë se kjo nuk është lojë fare. Edhe po të duam të hyjmë në zgjedhje, na diskriminon Kodi, pasi numri i votave për të zgjedhur një deputet bëhet dyfish, është e kotë të futesh, numërues dhe komisionerë nuk kemi. Nëse garantohen ndryshimet që janë kërkuar, numërimi elektronik, shtyja e datës së zgjedhjeve… Unë jam që palët të futen me koalicion, por e rëndësishme është që të zgjidhet kriza politike. Unë gjykoj që e kanë mbështetur Bashën ndërkombëtarët derisa kanë kërkuar ndryshime.

Do ta pranonit një qeveri teknike me Edi Ramën kryeministër?

Unë do t’a pranoja, me pak ndryshime që të shkonim në zgjedhje me të njëjtin kryeministër dhe me qeveri teknike reale,  jo me njerëz të përcaktuar nga Rama, siç është bërë oferta dhe natyrisht të kishte një datë tjetër zgjedhjesh, sepse në këtë datë janë të pamundura. Plus të paktën numërimin elektronik. E rëndësishme është që të marrim disa garanci, sikur thuhet se janë dhënë nga ndërkombëtarët. Do të këshilloja që të dyja palët të japin mundësinë që të zgjidhet kriza dhe të shkohet në zgjedhje, të gjitha palët të lëshojnë diçka. Unë jam dakord që në çdo lloj oferte që bëhet për të garantuar mundësinë për zgjedhje të lira, për aq sa e lejon koha, pasi nuk mendoj se mund të arrihet shumë për një ose dy muaj. Mirë është që të gjithë të marrim pjesë në zgjedhje, por ne jemi aleatë me PD-në.

Si e shikoni zgjedhjen e Ilir Metës president?

Z.Meta do mundohet të jetë mbi palët, por nuk do të mundet dot, pasi ai vjen nga politika dhe nuk mund të jetë asnjëherë mbi palët. Të besosh Ilir Metën mbi palët është njësoj sikur të besoj Bujar Nishanin. Duhej të zgjidhej një njeri jashtë politikës në krye të shtetit dhe jo njerëz të politikës. Kjo gjë nuk është e mirë. Nuk mund të jetë president një njeri aktiv në politikë.

Një ambicie të tillë e kishte edhe Fatos Nano që të behej president…

Po, e ka pasur dhe më vjen keq që nuk u bë president. Por nuk e ka më këtë ambicie të mëparshme.

1 komente në “Agron Duka: Ju rrëfej darkën në Mullet me Fatos Nanon”

  1. AMSTERDAMI says:

    PO MERAK TE MADH KANE SHQIPTARET SE CFARE HENGRE TI MENDER HALE ME ATE GRUAQ… ME MJEKERR.VAFSHI NE HALE PLEHRA TE SHQIPTAREVE.NDYRESIRA.HABITEM ME GAZETEN TEMA PSE U LE HAPSIRE KETYRE ZGJEBJEVE??????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje