A po demokratizohet në fund PD-ja?!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ben Andoni

Partia Demokratike po e kërkon me ngut ndryshimin e shoqërisë shqiptare, pa ardhur në formën korrekte të mbarimit të mandatit drejtues të Partisë Socialiste dhe aleatit të saj LSI-së. Kopertura është plotësisht e justifikuar dhe parashtron atë që e ndjejnë në masë njerëzit në kurrizin e tyre: varfërinë e madhe, mungesën e vendeve të punës, kanabizimin e frikshëm të vendit dhe më tepër se çdo gjë humbjen e shpresës. Edhe pse për këtë të fundit, partitë kryesore në vend janë aleate ngaqë spirali që tregon keqësimin e jetesës së shqiptarëve vetëm sa rritet nga viti në vit.

Në javët e fundit PD-ja ka vendosur ta shfrytëzojë këtë fashë problemesh e t’ia veshë platformës së saj. Me një çadër masive, mu në mes të Bulevardit kryesor të kryeqytetit, Lulëzim Basha nuk ka rreshtuar për më shumë se dy muaj duke ua kujtuar të gjitha padrejtësitë shqiptarëve, paçka se formacioni i tij thjesht e shtyu veç më para vështirësinë e jetës së tyre. Ndërkohë kjo demokraci e kërkuar ka shkuar në përpjestim të zhdrejtë me atë që vetë individë të PD-së kanë kërkuar për këtë formacion, demokratizimin e saj sa i përket respektimit të rregullave të lojës.

Për hir të së vërtetës, demokratizimi i PD-së mund të ndodhte dhe do të kishte shumë dukje nëse do të demokratizoheshin së pari individët e saj drejtues. Këta të fundit jo vetëm nuk po shfaqin një ndryshim apo përshtatje me kohët e reja, por ia kanë bërë rrugën e drejtimit të lehtë Edi Ramës. Njësoj, ky i fundit, e ka izoluar krejt mendimin ndryshe te Partia Socialiste duke stigmatizuar çdo të tillë në rastin më të mirë apo e ka hequr fare atë nga rrjedha e PS-së në rastin më të keq. Shembujt janë të shumtë, por të panevojshëm këtu.

Duke u kthyer te PD-ja, zëri alternativ në këtë parti është ndjerë disi më shumë në vitet pa Berishën de jure, por ata guximtarë kanë mbledhur mbi vete të gjithë anatemën, kur kanë tentuar të shkojnë më shumë. Rasti i Olldashit, individit më karizmatik pas kryetarit Berisha është shembulli më i mirë, sesa demokratike ishte PD-ja post Berisha.

Më tepër akoma, ky formacion pas zgjedhjeve të humbura bëri një gjë që nuk i shkonte asfare sepse sot e kësaj dite nuk ka bërë  analiza të humbjeve, një praktikë normale, kurse ashtu si e kemi thënë dhe më parë, e në tre rrethet kryesore të vendit ende nuk janë bërë zgjedhjet e strukturave. Vetë Kuvendi i Partisë Demokratike, instanca kryesore e saj, ashtu si e përmendi dhe një nga kryetarët e parë të saj Selami, nuk është mbledhur prej kohësh, konform statutit të formacionit.

Tani individi te PD-ja realisht mund të flasë ndryshe dhe nuk e merr rrufenë e liderit, si më parë, por një grup i gatshëm të bën gjëmën duke të denigruar në rrjetet sociale dhe duke të fyer ku të mundet. Kjo ndodhi në orët e fundit, me tre nga deputetët e PD-së, që dhanë mendim alternativ për zgjedhjet.

Por a është më e demokratizuar PD-ja? Në dukje po, por në thellësi asfare. Nuk funksionon ashtu si te PS-ja demokracia e brendshme, ku të jenë strukturat që të marrin vendime ndërsa thjesht po mundohet të ndryshojë llustrën në vend të thelbit të saj.

Kështu thirrja për Republikë të Re dhe kapja me gabimet e Ramës për afatet, po e tregojnë se Partia Demokratike nuk është demokratizuar përveçse është liruar disi. Anipse, kjo nuk mjafton sepse është një formacion, që për të ardhur keq, se ashtu si PS-ja nuk të mobilizon në ideologjinë e vet. Pak ditë para zgjedhjeve ose edhe para asaj date që parashikohet, fatkeqësisht shikohet se PD-ja nuk ka ndryshuar asfare dhe e ka të pamundur të shkojë në projeksionet idilike që pretendon Basha, kryetari i saj de jure. (Javanews)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “A po demokratizohet në fund PD-ja?!”

  1. Neutrino says:

    Ky eshte naivitet politik. PD-ja eshte krijuar dhe mbajtur gjalle deri sot, pikerisht me forma dhe metoda antidemokratike. Nuk ka mundesi qe te ndryshoje ADN-ne tani, kur ka arritur kohen e daljes ne pension. Ju lutem mos aludoni dhe shihni enderra me sy hapur. Gjerat qe nuk i besoni vete, mos u mundoni tua shisni deleve shqiptare

  2. kasem gahinji says:

    e si mund te flitet per demokratizim kur statuti nuk funksionon?kur zerii antareve te thjeshte te partise,te organizuar ne nje qe quhet organizate nuk funksionon dhe nuk dgjohet?kur baza e partise funksionon si nje tufe militantesh qe shkojne pas nje individi qe i therret vetem per fushate ,se per tu punesuar e gezojne te drejten miqte,femijet fareefisi dhe te fortet?a mund te flitet per demokratizim,kur shkon funksionari i partisedhe i thote tjetrit:-largohu nga partia jote,jepdoreheqjen nga funksioni,hajde me partine tone dhe do behesh drejtor me rroge te madhe ne tirane?keshtu pretendojne disa qete behen edhe force e pare.nuk eshte perralle ,por ngjarje e vertete.dhe pretendohet per demokratizim te partive.kjo shembelltyre demokracie reflekton pastaj si nje reaksion zinxhir ne gjithe sistemin,deri atje sa partite trashegohen nga burri te gruaje,sa edhe femija shqetesohet:-cdo te behet me ciflikun,kujt do ia lere babi?a mund te themi”te dh….a moj demokraci, se keshtu do trashegohet edhe pushteti?”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *