Juventus, “bunker” në prapavijë. 621 minuta pa pësuar gol

4 Maj 2017, 21:35Sport TEMA

Sulmi sjell publikun në stadiume, por mbrojtja sjell trofetë. Me këtë në mendje, duket se Juventus po marshon drejt një suksesi fantastik këtë sezon, e përveç titullit në Serie A, ka fituar një vend nderi edhe në diskutimin për Champions League.

Nëse jemi përballë mbrojtjes më të mirë ndonjëherë, këtë do ta gjykojë historia, por ndërkohë, duke parë shifrat, pyetja është legjitime nëse “Zonja e vjetër” po kthehet në një fortesë në sytë e tifozëve.

Një futbollist i vetëm mund të të bëjë të fitosh ndeshje specifike, si shpesh herë Higuain, por mbrojtjet të japin të gjithë turneun. Ajo e Juves në edicionin aktual është mbresëlënëse dhe e destinuar të gjejë një vend në histori.

Kur përqëndrimi është maksimal, numrat e Juventusit janë ekzaltues në prapavijë. 6 ndeshje radhazi pa pësuar gol dhe në total 621 minuta lojë. 11 ndeshje, nga 13 në total, janë mbyllur pa i lejuar kundërshtarit gëzimin e gjetjes së fundit të rrjetës. Messi, Suarez, Neymar dhe Mbappe, që kishin tronditur prapavijat rivale, u detyruan të dështojnë përballë “bunkerit” juventin.

Në historinë e afërt të futbollit italian, duket se Juve po kalon Interin e “tripletës” së Mourinhos, e madje edhe Milanin e Sacchit, që ishte i aftë të nxirrte “offside” një botë të tërë. Për Juven, me të gjitha gjasat mbeten edhe dy ndeshje në Champions, e nëse arrin të ruajë portën, duket se do marrë edhe trofeun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje