“Kavaja”/ Flet kandidati i PS, Klodian Shehi: Nuk tërhiqem, mos përdorni qytetin si lodër

NGA DARINA TANUSHI

Kandidati socialist për kryetar bashkie në Kavajë, Klodian Shehi deklaroi dje, se nuk do të ketë tërheqje nga ana e tij për garën e së dielës, më 7 maj. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare”, Shehi u shpreh se ai do të vijojë projektet për bashkinë dhe u bën thirrje qytetarëve të Kavajës që të shkojnë të qetë në votimet e së dielës.

 

Shehi zëvendëson Elvis Rroshin në bashki, pas heqjes së mandatit për shkak të problemeve me dekriminalizimin. Ai shprehet në intervistë se në Kavajë çdo gjë është normale. “Këto probleme janë vetëm probleme të tensioneve politike, të cilat kërkohet të përçohen nga Tirana drejt qytetit të Kavajës”, tha Shehi.

Zoti Shehi, a është kandidimi juaj për kryetar bashkie në Kavajë një betejë e vështirë, duke pasur parasysh që ish-kryetari Elvis Rroshi është akuzuar për probleme me drejtësinë? Një gjë e tillë, a ka ndikuar te qytetarët?
Unë nuk e mendoj si betejë, por si një angazhim para qytetarëve të mi.

Keni dalë në këtë garë me projekte të reja apo me ato që janë në vazhdim?
Ka projekte që janë në vazhdim tashmë, por do të ketë edhe projekte të reja, sepse Bashkia e Kavajës ka një staf, i cili punon me dinamizmin e duhur.

Si është situata apo gjendja e qytetarëve të Kavajës? Si ju presin ata në takimet që ju keni çdo ditë?
Klima në Kavajë është e qetë, klimë e një qyteti të cilit i ka ndryshuar fytyra, sepse ka 6 vite që punohet. Tashmë është në drejtimin e duhur për sa u takon reformave dhe ndryshimeve që qyteti apo bashkia e madhe pëson dita-ditës.

Ju deri tani jeni drejtues i Bashkisë së Kavajës dhe nuk e keni për herë të parë. Çfarë të rejash do sillni?
Të rejat do të jenë në bazë të investimeve që Bashkia e Kavajës ka marrë përsipër të bëjë, krahas ndryshimeve që një qyteti i duhen çdo ditë, siç janë ndryshimet në infrastrukturë, investime në bujqësi e shumë të tjera, për të cilat ky qytet ka shumë nevojë.

Keni një projekt që do ta zbatoni të parin sapo të merrni mandatin?
Prioriteti kryesor që ka bashkia është që këtij qyteti t’i kthehet tradita e një qyteti bregdetar, ku turizmi shqiptar apo turizmi i huaj të gjejë në Kavajë atë çka meriton. Investimet në bujqësi janë një tjetër prioritet i ynë dhe që janë investime që ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e banorëve të zonës së Kavajës. Kavaja ka shumë investime për të bërë në këto zona.

Prej ditësh ka zëra që ju do të tërhiqeni nga kandidimi. Opozita do të bëjë një protestë ditën e diel në Kavajë për të ndaluar zgjedhjet. A ka një vendim tuajin për tërheqje?
E kam dëgjuar edhe unë këtë. Shpeshherë kam pasur edhe telefonata nga miqtë e mi, por realisht nuk qëndron asgjë. Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë./gsh.al/

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në ““Kavaja”/ Flet kandidati i PS, Klodian Shehi: Nuk tërhiqem, mos përdorni qytetin si lodër”

  1. Ilir says:

    Vendosmeria per te mos u thyer nga presionet e lidershipit te PD-se dhe ne vecanti prej thirrjeve cjerrese te Berishes eshte teper pozitive. Por ke nevoje qe se bashku me rivalin tjeter te kerkosh qetesine e garantuar me Kushtetute dhe ne baze te Ligjit Zgjedhor. Mendos se per kete me shkrim tu drejtoheni institucioneve te Shtetit :
    – Presidentit te Republikes,
    – Kryetarit te Gjykates Kushtetuese,
    – Kryeministrit,
    – Prokurorit te Pergjithshem,
    – Partive te Kavajes, vecanerisht kreut te PD-se te Kavajes,
    qe me kompetencat qe iu jep ligji dhe detyra funksionale te sigurojne QETESINE E DOMOSDOSHME per nje votim te rregullt, te pa influencuar nga Tubimet e cfaredo natyre qofshin Ato.
    Kercenimet ne emer te Zgjedhjeve te Lira por duke dhunuar votuesit kavajas, jane nje hipokrizi e cmendur dhe dashakeqe, por pamvaresisht permbajtjes se tyre Organet ligj-zbatuese duhet tu japin ndeshkimin e merituar.
    Nderkohe Qytetaret e lire te Kavajes te marrin masa per tu dhene pergjigjen e merituar qytetareve te paftuar, perdhunues te shprehjes se vullnetit te tyre.
    Kjo qe po pregatitet te ndodhe ne Kavaje eshte poshteruese per Qytetaret e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *