Nuk ka patur kurrë një dialog kaq brutal, mes dy kandidatësh për postin më të lartë të Francës

5 Maj 2017, 13:45Bota TEMA

Philippe Le Corre

Të mërkurën në mbrëmje, dy kandidatët për zgjedhjet presidenciale franceze, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, u përballën në një debat televiziv prej dy orë e gjysmë, më pak se katër ditë përpara raundit përfundimtar të 7 majit. Debati shumë luftarak dorëzuar ofroi shumë pak, sa i përket përmbajtjes.

KOHET PO NDRYSHOJNE

Në vitin 2002, ish-presidenti Jacques Chirac refuzoi të debatonte me babain e Le Pen (dhe paraardhësin e tij në krye të Frontit Nacional) Jean-Marie Le Pen, në një debat të ngjashëm. Ai mendoi se kjo lëvizje do ta ndihmonte të fitonte më shumë vota, dhe u shpërblye: Chirac u rizgjodh me 82.2 për qind të votave.

Këtë herë, situata është krejt e ndryshme – së pari, Macron është relativisht rishtar në politikë dhe nuk mund të përballojë shmangien e debatit. Ndërkohë, shumica e sondazheve parashikojnë që Marine Le Pen të ketë një rezultat më të mirë se babai i saj. Franca përballet me shumë vështirësi, nga papunësia e vazhdueshme, deri tek kërcënimet terroriste në vend, dhe hsumë të tjera.

Shumë votues francezë fajësojnë Bashkimin Evropian, globalizimin dhe emigracionin. Mesazhi i thjeshtë dhe anti-emigrantëve i Le Penit ka qenë mjaft popullor: Në raundin e parë, ajo fitoi 21.3 përqind të votave (kundrejt 24.1 përqind të Macronit) dhe pritet të tërheqë një numër të konsiderueshëm votuesish, nga partitë tradicionale, Les Républicains (qendra e djathtë) dhe Partia Socialiste (qendra e majtë). Edhe pse sondazhet tregojnë se ajo ka pak shanse për të fituar të djelën, disa parashikojnë se ajo mund të mbledhë deri në 41 përqind të votave.

LUFTE ME FJALE

Le Pen sulmoi Macronin nga fillimi deri në fund dhe nuk kishte shumë për të thënë, se si ajo do të zgjidhte problemet ekonomike të Francës, veçanërisht papunësinë. Shumë kritike ndaj Bashkimit Evropian, ajo sugjeroi që kundërshtari i saj është një kukull e Gjermanisë, duke thënë: “Të dielën, në çdo rast, Franca do të drejtohet nga një grua, qoftë nga unë, qoftë nga Angela Merkel”. Por planet e saj anti-europiane nuk ishin të qartë: Nga njëra anë, ajo tha se do të propozonte ndryshime institucionale, në mënyrë që Franca të mos i bindet më ligjeve të BE-së; Nga ana tjetër, një referendum mbi anëtarësimin në BE duket një mundësi e largët, pasi sondazhet tregojnë se 67 përqind e qytetarëve francezë, duan të mbeten në BE.

Një shkëmbim replikash rreth euros ishte një moment i vështirë për Le Penin, e cila pretendonte se nuk kishte vendosur ende plotësisht, nëse qeveria e saj do të përpiqej të dilte nga monedha e përbashkët. Ajo tha se Franca do të kthehej në Frangën e dikurshme franceze brenda vendit, dhe do të mbante euron për tregtinë dhe financat ndërkombëtare. Macron, ish ministri i Ekonomisë, kundërsulmoi shpejt, duke thënë se një plan i tillë do të ishte katastrofik për qytetarët dhe kompanitë franceze: “Një fermer do të blejë prodhimet e tij në euro, por ai do t’i paguajë punëtorët në franga? Si funksionon kjo?”

Le Peni u lëshua në akuza kundër Macronit, duke e quajtur atë “kandidat i financës, parave dhe globalizimit” dhe “Hollande Jr”, duke e akuzuar se është “kandidati i shitjes së Francës” pas qëndrimit të tij dyvjeçar si ministër i Ekonomisë, nën Presidentin që po largohet, François Hollande, i cili mbetet shumë i papëlqyeshëm.

Nga ana e tij, Macroni, i cili arriti të paraqiste më gjerësisht programin e tij gjatë debatit – akuzoi kundërshtaren se po gënjente dhe po “e dridhte”, duke sfiduar kredencialet e saj anti-establishment, duke thënë se ajo është “trashëgimtare e një partie që ka qenë e pranishme në politikë, për katër dekada”. Në disa raste, ai dukej pak si një mësues, ndërsa Le Pen qeshte dhe lëvizte duart, në vend që t’i përgjigjej pyetjeve të tij. Ai tha se ajo përfaqëson “shpirtin e dështimit” kundër “frymës së tij të arritjeve”, duke deklaruar: “Nëse ajo zgjidhet, bota nuk do ta shikojë Francën me sy të mirë.” E vështirë të mos pajtohesh.

FRANCA DHE BOTA

Gjatë gjithë debatit të ashpër dhe shumë agresiv, nuk u shpenzuan më shumë se 15 minuta për çështjet ndërkombëtare. Të pyetur se si do të merren me Donald Trumpin e SHBA dhe Vladimir Putinin e Rusisë, të dy kandidatët ofruan përgjigje të ndryshme: Le Peni pretendoi se ajo do të ishte “më e mira” për t’u marrë me Trumpin, Putinin dhe Kryeministrin Indian Narendra Modi, por nuk tha asnjë fjalë për marrëdhëniet transatlantike.

Për udhëheqësin rus, Macroni tha se ai “nuk do t’i nënshtrohet urdhërave të Putinit”, edhe pse do të “përpiqej të gjente një zgjidhje mbi Sirinë” (e vetmja kohë që ky vend u përmend në debat). Sa i përket marrëdhënieve me presidentin e SHBA, ai këmbënguli që të mbajë një bashkëpunim të ngushtë me Trumpin, veçanërisht mbi çështjet e sigurisë, si dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Macroni shtoi se ai do të “përpiqej të bindte Trumpin për të punuar së bashku në lidhje me ndryshimet klimatike”. Jo e lehtë kjo, po të kesh parasysh deklaratat e fundit nga Uashingtoni.

PRESIM DHE SHOHIM

Për ata që ndoqën debatet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, shkëmbimi i mbrëmshëm solli një ndjenjë të déjà vu-së. Nuk ka pasur kurrë një dialog të tillë brutal midis dy kandidatëve për postin më të lartë në Francë. Debati duhej të kishte qenë një mundësi e mirë për demokracinë franceze, me dy kandidatë që shpjegonin programet e tyre, për pesë vitet e ardhshme. Në vend të kësaj, kjo ishte një ndeshje e pazakontë boksi./bota.al/

1 komente në “Nuk ka patur kurrë një dialog kaq brutal, mes dy kandidatësh për postin më të lartë të Francës”

  1. arber says:

    PO VIN ERA MUT.. EDHE NE FRANCE..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje