Anët e rrezikshme të votimit elektronik

7 Maj 2017, 09:51Blog TEMA
Anët e rrezikshme të votimit elektronik

Nga Altin Ketro

Një nga kërkesat kryesore që Partia Demokratike i ka parashtruar kryeministrit Rama, përpos qeverisë teknike, ka qene edhe votimi elektronik. Në vetvete, ky lloj votimi ka avantazh sepse shmang si votime të më shumë se një individi, ashtu edhe gabimet në plotësimin e kuadratit përkatës. Mjafton që shenjat “X” apo “+” të kenë dalë jashtë kutizës dhe është bërë sherr i madh nëse duhen quajtur të vlefshme apo jo. Ky lloj votimi i shmang plotësisht këto lloj defektesh. Natyrisht edhe votimi elektronik në kohët e sotme mbart rreziqe nga hakerimi dhe ndërhyrjet, por këtu po flasim sikur gjërat të jenë perfekt nga kjo anë.

Por, sebep për t’i shkruar këto radhë u bë një lajm që lexova në një nga portalet online se UEFA ka menduar të ndryshojë rregullat e gjuajtjes së penalltive kur ndeshjet dalin barazim. Pra, nga formula ABAB, duan të kalojnë në formulën ABBA, sipas formulës tie break në tenis, për t’i hequr avantazhin atij që gjuan i pari penalltinë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se UEFA para se ta vërë në jetë këtë formulë, dëshiron ta testojë njëherë paraprakisht. Dhe për këtë ka zgjedhur kampionatin Evropian të 17 vjeçarëve. Nëse këtu del me sukses, ajo do vijohet me Champions League dhe Botërorin e vitit 2018. Pra, shihni me kujdes, vetë UEFA, për një gjë kaq të thjeshtë në dukje për futbollistët, nuk kërkon të avancojë menjëherë, por zgjedh një kampionat fëmijësh ta testojë njëherë. Këtë e bën sepse UEFA është një organizatë serioze dhe e përgjegjshme dhe nuk do që të bëhet gazi i botës nëse gjërat nuk funksionojnë siç duhet.

Lë të vijmë tani tek rasti shqiptar. Lulzim Basha e kërkon me ngulm këtë gjë, bile e kërkon që të zhvillohet për zgjedhjet aktuale të cilat kërkon t’i shtyjë me disa muaj edhe për këtë qëllim. Pra, qeveria teknike që ai kërkon të formohet do bëjë edhe procesin e votimit elektronik, bile edhe numërimin. Por, a ka patur më parë mundësi të bëhet kjo? Natyrisht që po. Ka qenë një projekt për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 që të kryhej votimi elektronik dhe për këtë u zgjodhën dy zona pilot për ta testuar sistemin, Tirana dhe Fieri. U lëvruan edhe 6 milionë euro për këtë qëllim, u përzgjodh edhe kompania fituese, por në finale edhe eurot avulluan, edhe sistemi nuk u ngrit, edhe procesi vijoi me sistem manual me fletë votimi.

Kryeministri Rama nuk ka qenë kategorik kundër kësaj mënyre votimi, bile i ka ofruar mundësinë opozitës që të jetë ajo e cila të gjejë edhe kompaninë që do ta ofrojë këtë shërbim, por ky proces të jetë për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Çdo mendje e shëndoshë dhe e përgjegjshme do ta kuptonte që ky proces nuk është lojë fëmijësh që edhe po nuk shkoi diçka mirë, s’ka gjë se e përsërisim prapë. Askush nuk i hyn aventurave për gjëra kaq serioze pa i testuar paraprakisht në pjesë më të vogla për të parë, fundja, edhe reagimin e vetë votuesve. Se nuk është vetëm aspekti i pajisjeve elektronike se si do reagojnë, por edhe i njerëzve që do t’i përdorin. Nëse sot mosha 18 – 50 vjeç (edhe brenda kësaj grupmoshe ka shumë që s’ia thekin nga elektronika) ka aq mjaftueshëm njohuri për pajisjet elektronike, hëm prej përdorimit të PC, hëm prej smartfonave, çdo bëhet për mosha më të mëdha që do u duket “gogol” orientimi përpara ekranit ku do përzgjedhë partinë që dëshiron? Sepse Kodi Zgjedhor e ndalon kategorikisht që në dhomën e fshehtë të futet më shumë se një votues. Ç’kuptim ka pastaj që një pjesë e madhe votuesish të fillojnë të kërkojnë ndihmë nga të tjerët, duke humbur kështu fshehtësia e votës dhe rrezikuar që situata të dalë jashtë kontrolli?!

Personalisht më ka qëlluar shpeshherë të përballem me situata ndihme që më kanë kërkuar burra a gra kur janë përballur me pajisje elektronike nëpër banka apo institucione shtetërore që ofrojnë shërbim me bileta. Për gjëra kaq të thjeshta ku duhet të shtypnin në ekran veç dy- tri alternativa, ata kishin vështirësi, imagjinoni pastaj kur do u duhet të përballen me ekrane në të cilat duhet të lëvizin me shinë listën e gjatë me afro 70 partish që marrin pjesë në zgjedhje, e ku pastaj duhet të kalojnë në hapa të tjetër konfirmues përpara se të japin miratimin përfundimtar të votës. Shto këtu ndonjë klikim të gabuar ku do u duhet të rikthehen mbrapsht në veprime për t’ia nisur nga fillimi dhe kuptohet çorba që bëhet.

Thënë këto arsye, ajo që po kërkon me ngulm Partia Demokratike për ta kryer këtë proces në kohë kaq të shkurtër, me nxitim dhe pa u testuar diku, është thjesht një mënyrë për ta shtyrë sa më shumë në kohë procesin zgjedhor, pse jo, për ta dështuar atë dhe që mbarë bota të qeshë me vendin tonë. Natyrisht, koha e votimit dhe numërimit elektronik do të vijë, por ajo duhet të jetë e studiuar deri në detaje, që nga pajisjet elektronike, ashtu edhe për përgatitjen e votuesve për këtë lloj votimi, që t’ia arrijë qëllimit për të cilën është krijuar. Prandaj kërkesat e Partisë Demokratike që është mësuar ta bëjë kopilin e të ta lërë në derë, nuk duhet marrë shumë seriozisht.  Asaj as i skuqet faqja e as i nxihet fytyra se dështon procesi. Siç nuk iu skuq e nuk iu nxi as për dështimin e këtij lloj votimi në vitin 2013.

1 komente në “Anët e rrezikshme të votimit elektronik”

  1. erion brace i verteti says:

    cilat jane anet e rrezikshme?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje