Cetkovic: Ndaj Kukësit na ndali fati, titulli yni!

8 Maj 2017, 17:30Sport TEMA

Përplasja direkte me Kukësin, që përfundoi 1-1, konsiderohet një shans i artë i humbur për të kuqtë në rrugën drejt titullit kampion. Skuadra e Starovës krijoi volum të madhe loje si dhe i pati rastet për të shënuar golin e fitores, por ndoshta fati nuk ishte në anën e saj. Nuk ka asnjë peng për lojën e zhvilluar Marko Cetkovic, i cili shprehet me bindje se Partizani do ta arrijë objektivin final nëse luan si ndaj Kukësit.

“Ne luajtëm shumë mirë që të gjithë, patëm shumë raste për të shënuar golin e dytë, por nuk patëm fat. Dëshiroj që në katër ndeshjet e mbetura të luajmë si ndaj Kukësit, sepse do të kemi shumë shanse për ta fituar titullin. Kukësi dhe Skënderbeu sikurse ne, kanë ndeshje të vështira, kështu që kam bindjen se në fund do të shpallemi kampion. Mendoj se Kukësi do të lërë pikë rrugës, sepse ka dy ndeshje radhazi shumë të vështira me Flamurtarin dhe ndeshjen direkte e Skënderbeun. Flamurtari ka ende nevojë për pikë për mbijetesë, ndërsa Skënderbeu do të luajë të gjitha shanset për titullin. Shpresoj t’i fitojmë  të gjitha ndeshjet tona dhe në fund të ngremë lart trofeun.”

Kukësit apo Skënderbeut, cilit kundërshtar duhet t’i druhet më shumë Partizani në garën për titull?

“Mendoj Skënderbeut.”

Të Enjtën në orën 18:30, Partizani do të presë Lacin në “Selman Stërmasi”, por malazezi nuk mund të japë kontribut kundër ish skuadrës së tij pasi ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë.

“Ndaj Lacit sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi në krye të klasifikimit dhe një skuadër më e fortë, kështu që do të fitojmë. Te Laci janë disa lojtarë të cilët i kam patur shokë skuadre, si Gjoni, Vucaj apo Sefgjini, ndërsa 90% e ekipit janë emra të rinj.”

30-vjecari mbërriti te Partizani gjatë merkatos së janarit si një përforcim shumë i rëndësishëm për fazën sulmuese. Është aktivizuar në 13 ndeshje, por ende nuk e ka gjetur rrugën e golit. Ndoshta titulli kampion mund të jetë një faktor i rëndësishëm për të vendosur zgjatjen e bashkëpunimit me të kuqtë.

“Nuk e di cfarë do të ndodhë, kam kontratë deri në fund të sezonit. Synimi im është të jap 100% në katër ndeshjet e mbetura dhe të fitoj titullim, më pas do të diskutoj për të ardhmen. Të shohim se cfarë do të ndodhë.”

Cektovic do të jetë mungesa e vetme e Partizanit për ndeshjen me Lacin, ndërkohë që kthehen nga pezullimi Krasniqi dhe Ibrahimi. Seanca stërvitore e kësaj të hëne është drejtuar nga zëvendëstrajneri Dalipi, pasi Starova ka patur një shqetësim shëndetësor që idhte me një problem të hershëm në gju. Gjithsesi në seancat në vazhdim pritet të 60-vjecari të jetë në krye të detyrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje