Rama drejt zgjedhjeve, Basha drejt së panjohurës

8 Maj 2017, 09:15Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

“Armëpushimi” i 7 majit nuk ka zgjatur shumë orë. Sepse, siç parashihej, tema e madhe e zgjedhjeve të përgjithshme, do ta dominonte atmosferën e qetë të krijuar pas anullimit të votimeve në qytetin e vogël të Kavajës. Rama ka njoftuar se tashmë s’ka më kohë për negociata dhe se është koha për të shkuar në zgjedhje në 18 qershor, Basha ka mbledhur strukturat e partisë dhe ka vendosur se është koha për të shkuar në “luftë paqësore”, kurse Majlinda Bregu ka deklaruar se tashmë duhet një “rindërtim” i PD. Në sfondin e këtyre debateve që shoqërojnë orët e fundit drejt pikës së moskthimit, KQZ ka nisur procedurat për shtypjen e fletëve të votimit. Makineria e 18 qershorit është vënë në lëvizje dhe zgjedhjet “pa njërën palë” nuk janë më as tabu dhe as fantazi. Ato duket se do të jenë realiteti që do të na shoqërojë deri në muajin qershor e përtej.

Është krijuar kësisoj formati politik dhe elektoral i parashikuar prej javësh: njëra palë në fushatë, tjetra në protestë! Një ndarje “punësh” që shënon në fakt një situatë të paprecedent, qëkurse shqiptarët votojnë nën sistemin pluralist. Nuk ka ndodhur që njëri nga rreshtimet e mëdha politike të largohet me vullnet nga zgjedhjet, duke e njoftuar vendimin e tij javë dhe muaj para datës së votimit. Megjithëse Lulzim Basha thotë se nuk ka marrë vendim për të bojkotuar zgjedhjet, ajo që Çadra e opozitës në bulevard zyrtarizoi në rreth 80 ditët e egzistencës së saj, ishte një axhendë e qartë bojkoti. Duke vënë kushte të parealizueshme dhe që nuk morën mbështetje nga askush në botë, por edhe duke pasqyruar de facto papërgatitjen e PD për të sfiduar mandatin e dytë të së majtës, i cili duket i parashkruar ende pa nisur fushata elektorale.

Jo pa të drejtë, në një intervistë të disa ditëve më parë, Eduard Selami kujtonte se PD kishte hyrë në zgjedhje edhe në marsin e vitit 1991, kur vendin e udhëhiqte Partia e Punës dhe president ishte Ramiz Alia. E majta nga ana e saj hyri në votimet e majit 1996, edhe kur aleanca mes shtetit represiv dhe firmave të fajdeve, ishte një aliazh i vështirë për t’u përballur me vota të lira. Një vit më pas, presidenti i kohës Berisha, i cili ishte në rënie të lirë, hyri megjithatë në zgjedhjet e verës 1997, në një situatë surreale të dominuar nga armët dhe kaosi në pjesën më të madhe të vendit. Në atë fushatë Berisha dhe PD praktikisht nuk shkelën në pjesën dërrmuese të vendit, e megjithatë zgjedhjet u mbajtën. Askush nuk bojkotoi. 14 vite më pas, kur në verën e 2011 politika shkonte në votimet lokale pas vrasjeve të 21 janarit të po atij viti, opozita e Ramës nuk e vuri në asnjë moment në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhje, megjithëse kishte përballë si konkurent ministrin e brendshëm të kohës. Pikërisht kreun e sotëm të opozitës, i cili ka marrë vendimin për të “kryer gjenocid” mbi 600 mijë vota demokratësh, siç deklaronte Majlinda Bregu, duke u hequr mundësinë që të votojnë.

Po hyjmë në një 40 ditësh të nxehtë fushate elektorale, ku do të kryqëzohen rrezikshëm dëshirat dhe trysnitë diametralisht të kundërta të dy kampeve, të cilët do të kërkojnë me çdo kusht që ta çojnë kudërshtarin në disfatë. Edi Rama duke kryer procesin formal të rinovimit me votë të mandatit më 18 qershor, kurse Lulzim Basha duke bërë që të dështojë edhe dita e zgjedhjeve të përgjithshme. Ashtu siç dështoi Kavaja. Dy ushtri të rreshtuara përballë, por që në mes do të kenë edhe një herë, si përherë, arbitrat e huaj. Ata që historikisht na kanë thënë nëse kemi bërë mirë a keq, nëse e kalojmë klasën apo mbetemi për vjeshtë, nëse votuam siç duhet apo duhet të votojmë nga e para. Por me një ndryshim: kësaj rradhe ata kanë folur ende pa u hedhur asnjë fletë votimi në kutitë e 18 qershorit. Zgjedhjet janë legjitime, ky është verdikti i tyre! (Javanews)

2 komente në “Rama drejt zgjedhjeve, Basha drejt së panjohurës”

  1. realisti says:

    shkrim exelent. I qarte, i thjeshte, dhe mbi te gjitha i vertete.

  2. lui says:

    Pershendetje Skender!

    Une jam i djathte dhe kam votuar zakonishte per partite e djathta. Nje gje duhet te kishe permendur ne shkrimin tuaj – demokracia e vertete ne Shqiperi do filloj mbas dates 18 qershor. Nje force politike si PD qe e ndjen veten te pashpres per te ardhur ne pushtet pa LSI do te thote qe ka mbaruar dhe nuk ka se cfare tu ofroje shqiptareve. PD edhe pse me nje lider ti ri nuk arrite te ngrihet ne nivelin qe i takon. Tani si ka mbetur gje tjeter vetem ti bej nje “UPDATE” vetvetes dhe pa ta kapi trenin e 2021.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje