Cikalleshi: Presidenti kërkon të më mbajë, por më josh Liga e Kampioneve me Bashakshehirin

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Sokol Cikalleshi bëhet gjithnjë e më shumë protagonist në kampionatin turk me fanellën e Akhisar, të cilit i është bashkuar në janar.

Sulmuesi shqiptar ka realizuar dje një tregolësh në ndeshjen e skuadrës së tij në fitoren 6-0 kundër Gaziantepspor, me një paraqitje mbresëlënëse.

Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes eksluzivisht për “Panorama Sport”, ai pohon se po kalon një moment të mirë dhe se do të donte që ta shfrytëzonte këtë ritëm edhe kur të jetë në radhët e Kombëtares, pikërisht kundër Izraelit pas një muaji.

Sokol, si është të shënosh tre gola në një ndeshje dhe për më tepër në harkun e 18 minutave?

Ndjesi e veçantë. Jam i kënaqur, edhe pse nuk ishte e lehtë, sepse skuadra rivale e kishte për “jetë a vdekje”, ngaqë luan për mbijetesë.

Shpesh fati ju ka vënë edhe në provë, duke ua mohuar golat nëpërmjet shtyllave të shumta… Cila ka qenë pika e kthesës që tani e dërgoni topin më lehtë në rrjetë?

Zoti nuk t’i jep të gjitha të mirat… (qesh). Dakord, ndonjëherë nuk më ka ecur edhe aq shumë, por mendoj se kanë qenë dy elemenmtë që më kanë ndihmuar të zhbllokohem: së pari minutat që kam pasur në dispiozicion këtu te Akhisari dhe së dyti këmbëngulja për të mos u dorëzuar. Ndonjëherë është e vështirë që të ruash ritmin, por unë nuk jam dorëzuar kurrë.

Na thoni pak, pas ndeshjes cila ishte surpriza më e bukur që të bënë?

Pati disa, por i pari ishte presidenti i klubit të Akhisarit, i cili më tha se nuk do të më lejonte të kthehesha te Bashaksehiri… Ishte i ekzaltuar nga fitorja bindëse, por edhe nga performanca ime. Më erdhi mirë dhe u ndjeva krenar për punën që kam bërë në këtë klub.

Po ti do të rrish aty në huazim, apo do të kthehesh te Bashaksehiri?

Nuk e di, kemi edhe katër ndeshje në kampionat dhe nuk e di se si do të shkojnë punët. Kohët e fundit kam pasur kontakte edhe me presidentin e Basaksehirit dhe ai gjithashtu më ka bërë të qartë se dëshiron të më kthejë. Këtu ndjehem mirë, por Bashaksehir me shumë mundësi do të luajë në Ligën e Kampioneve dhe më josh ideja që të kthehem. Megjithatë, ende nuk është vendosur. Dua t’i marr gjërat me qetësi.

Në Kombëtare atmosfera “u thye” ndjeshëm pas asaj humbjeje me Izraelin, por pas disa javësh do të luajmë ndeshjen e kthimit kundër tyre. A je gati të udhëheqësh Shqipërinë drejt një suksesi? Fundja së bashku me Sadikun po shënoni rregullisht në ekipet tuaja…

Të gjithë duam që Kombëtarja të bëjë kthesën dhe Izraeli është një mundësi e mirë. Kam shumë dëshirë që pas asaj humbjeje në Elbasan të mund të fitojmë ne këtë herë, por kjo nuk arrihet me fjalë. Ne duhet të luftojmë në grup, si një edicion më parë dhe të mund të ndryshojmë edhe ecurinë që kemi pasur kohët e fundit.

Pak rëndësi ka nëse shënoj unë, Sadiku, apo dikush tjetër. Në Kombëtare mjafton që të arrihet objektivi. Kam shumë dëshirë të fitojmë atje, madje e mendoj shpesh atë ndeshje, por duhet ta përgatisim si duhet dhe uroj që të gjithë lojtarët tanë të jenë në gjendje sa më të mirë fizike.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *