PD e idealeve përballë sektit të çadrës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Taulant Kopliku

Në një nga fjalimet e fundit në çadrën e PD-së, lideri i kësaj force Lulzim Basha ka shprehur atë që për shumë kënd u konsiderua një gafë. Ai minimizoi dukshëm rolin e opozitës parlamentare duke deklaruar se në 3 vite e gjysëm kjo opozitë nuk arriti atë që në pak ditë e arriti protesta e çadrës. Kjo natyrshëm është një sfidë e hapur që lideri i opozitës i bën për të disatën herë zërave kundër në partinë e tij të cilët janë në shumicë, deputetë të opozitës në parlament. Me një strategji të lexueshme nga të gjithë, përveç militantëve periferikë të çadrës, Basha po sulmon rregullisht dy personazhe që sipas militantëve janë tashmë pa peshë politike, Majlinda Bregun dhe Eduard Selamin. Mediat pranë tij, po tregohen të pamëshirshme ndaj Selamit, njërës nga figurat më të respektuara në historinë e demokratëve.

Të njëjtin fat po pëson edhe zonja Bregu, një ish-ministre e qeverisë Berisha deri në mbyllje të mandatit të fundit qeverisës. Një tjetër zë i fuqishëm kundër është Jozefina Topalli. Strategjia e Bashës këtu është disi më e matur duke përdorur personazhe në dukje të ekuilibruar, siç ishte së fundmi rasti i sulmeve të zotit Ndriçim Kulla i cili e etiketoi ish-kryetaren e parlamentit si një kobure të ndryshkur të Edi Ramës. Në mënyrë të kamufluar por me mjaft intensitet, e njëjta gjë po ndodh edhe me liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fjalët e dala nga goja e Bashës për “shterpësinë“ e aksionit parlamentar të opozitës, janë një goditje poshtë brezit për ish-idhullin e tij dhe të qindra militantëve në çadër. Po pse kjo betejë ndaj të tijve me ashpërsinë më të madhe? Pse Lul Basha po shpenzon energji në një luftë brenda llojit kur është njëkohësisht në një betejë dhëmb për dhëmb me qeverinë Rama? Përgjigja është një, e vetme. Frikë. Frikë për të ardhmen e tij politike e cila çdo ditë e më shumë po varet në një fije peri, gjithnjë e më të hollë.

Të ashtuquajturat fitore të çadrës, janë në fakt disa tolerime të njëpasnjëshme të Ramës i cili me çdo formë po kërkon ta joshë Bashën me hyrjen në zgjedhje. Përfundimi dihet. I pazoti aspak për përballimin e një fushate elektorale, Lulzim Basha do të nënshkruante një humbje poshtëruese, të cilën ai e parandjen siç parandjen “masakrimin“ që do ti bënin drejtuesit historikë të Partisë Demokratike për një shkatërrim të mundshëm të kësaj force, dominuese në politikën e këtyre 26 viteve. Ai e di fare mirë se hyrja në zgjedhje, me Enno Bozdon, me Gridën e Salianjin përkrah, do ti sjellë jo vetëm humbjen ndaj mazhorancës aktuale por edhe largimin “për zhelesh“ nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Për këto arsye, Lulzim Basha, ka ndërtuar strategjinë e sulmeve ndaj zërave potentë kritikë në PD duke bërë përpjekjet maksimale për ti larguar sa është ende në kohë dhe për ti zëvendësuar me manekinët e tij UET-istë. Ai ka krijuar gradualisht një PD paralele me atë tradicionale. PD-në e çadrës e cila mbushet me militantë nga rrethet dhe periferitë e Tiranës. Jo më kot, demokratët e kryeqytetit e kanë braktisur masivisht këtë aksion absurd politik që është kthyer në objekt humori për sasinë e qofteve dhe tollumbave që konsumohen. Këtë PD, e cila e indoktrinuar maksimalisht, njeh si sukses çdo thirrje e çjerrje të liderit Lulzim, e komandojnë si një masë e cila lëviz nga një tru, ai i sektit Basha.

Kjo PD e çadrës, në fakt është PD-ja familjare e tij. Atë e drejton Aurela dhe dhe e financon babai dhe vëllai i saj. Në vijën e parë të frontit kanë vendosur kamikazët politikë të tipit Salianji që lajmërohen me sms, po nga Aurela për çfarë e si duhet të flasin nëpër studiot televizive ku vetëofrohen. Këta sektarë, sot kane fatkeqësisht në dorë fatin e një PD-je e cila në katër vite është transformuar nga një parti e demokratëve në mbarë Shqipërinë, në forcën politike të familjes Basha dhe çadristëve të tij ruralë të një Republike të Re, që ekziston vetëm në mendjet e tyre.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *