Kriza politike, a po na plevitos acari rus në Tiranë?

11 Maj 2017, 13:31Blog TEMA

Nga Drini Kuqo

“Nga Balltiku, në Trieste e në Adriatik, një perde e hekurt ka rënë mbi kontinentin Europian”. Ky parashikim thuajse profetik i Uinston Çërçillit për Luftën e Ftohtë, rikthehet të jetë aktual pothuajse 7 dekada më pas. Ballkani që dikur ziente nga mllefi dhe urrejtja ndëretnike e ngjizur në konglomeratin e popujve të tij, sot po shndërrohet sërish në terrenin shterpë mbi të cilin luftojnë titanët. 

Sot, dy nga fqinjët tanë u zgjuan pa qeveri. Pas krizës politike që ka mbërthyer Maqedoninë dhe që shkundi nga themelet Malin e Zi vetëm disa muaj më parë, tashmë retë e zeza të krizës kanë përfshirë edhe Kosovën.

Kosova dhe Maqedonia qëndrojnë vetëm në majën e ajsbergut, të një serie eventesh, të cilat po kërcënojnë të përfshijnë të gjithë rajonin në një tymnajë veshtullore që po errëson rrugën europiane.

Sekuenca e eventeve nis me vizitën e zhvilluar në Athinë nga Presidenti Putin gjatë vitit të shkuar, vijuar me armatosjen e Beogradit me sisteme anti-raketore dhe MIG-29, si dhe zgjedhjet në Bullgari dhe Moldavi të dy presidentëve pro-rusë, të cilët kundërshtojnë me forcë çdo axhendë pro-europiane.

Duke krijuar këtë mozaik vendesh pro-ruse, tashmë Kremlini është duke shtrënguar darën e tij mbi pjesën e mbetur të gadishullit. Gjukanoviç në Malin e Zi shpëtoi në fije të perit nga një atentat, në të cilin ishin përfshirë ekstremistë serbë, të komanduar nga disa efektivë të GRU-së, Shërbimit Sekret Ushtarak Rus. Gjurmët e atentatit të çojnë direkt në Kremlinin e interesuar për të penguar anëtarësimin e ish-dominionit të tij sllav në NATO. 

Në Maqedoni, Gruevski duket se ka marrë garanci të tilla nga sponsori i tij rus sa që në antagonizëm të plotë me SHBA-të dhe BE-në, organizon linçimin dhe rrahjet publike, brenda mureve të Parlamentit, të deputetëve shqiptarë dhe Kryeministrit të ri të zgjedhur të Maqedonisë. 

Pamjet që shokuan botën, e që zhytën Maqedoninë më thellë në hullitë e krijuara mes hendekut të dy botëve ku ajo vërtitet, nuk ishin një shpërthim i rastësishëm mllefi, por një atentat i përllogaritur ndaj stabilitetit të brishtë të fqinjëve tanë lindorë. 

Tashmë edhe Kosova është pa qeveri dhe kaosi po avitet frikshëm në të vetmin vend që i ka rezistuar deri më sot, si influencës ruse, ashtu edhe krizës politike… Shqipërisë.

Kriza artificiale në vendin tonë, që tani i ka kushtuar ekonomisë shqiptare një miliardë euro, dëm i ardhur nga rënia e investimeve të huaja, nga rënia e turizmit, nga pezullimin i bisedimeve të anëtarësimit europian dhe nga prishja e imazhit të vendit.

Përtej dëmit ekonomik, tashmë retorika e prodhuar nga çadra po rrezikon të kthejë edhe të vetmin vend relativisht të qëndrueshëm, e qartësisht pro-europian të rajonit, në një lëmë përplasjesh të pafundme, të cilat i shërbejnë vetëm një pale…. Rusisë.

Mbase është një koinçidencë që edhe në Malin e Zi dhe në Maqedoni, ishin partitë e djathta ato që prodhuan çorbën e bekuar nga Kremlini, por me qëllim ose për shkak të naivitetit të saj politik, PD është shndërruar në aleaten më të çmuar të forcave destabilizuaese dhe anti-europiane në Shqipëri. 

E nëse është vërtet kështu, pa dyshim, “Ignorantia non est argumentum”. Nga naiviteti ose nga dëshira, demokratët janë shndërruar në sponsorin e destabilitetit dhe të politikave pro-europiane, që asnjëherë më parë në 25 vite të demokracisë së brishtë shqiptare, nuk e kanë kërcënuar njësoj si sot të ardhmen tonë. 

Në 171 bojkote të ndodhura aneambanë botës në periudhën 1990-2009, vetëm 4% kanë pasur sukses dhe kjo ka ndodhur në rrethana kryekëput të kundërta me ato që provohen sot në vendin tonë. Në 96% të rasteve, partia bojkotuese është shpërbërë ose ka humbur plotësisht peshën e saj politike. A është vërtet Lulzim Basha dhe Sali Berisha kaq naiv sa të zgjedhin rrugën e vetvrasje politike? Pakkush mund ta besojë këtë. E vërteta, këtë herë duket po aq e ftohtë, sa i edhe dimri i acartë rus…

2 komente në “Kriza politike, a po na plevitos acari rus në Tiranë?”

  1. Miu i arave says:

    O Kuqo, ik futi ndonjë kos-pilaf dhe…lëri “analizat kompetente”…duke i bërë “fresk” padronëve…! Nuk shpëton dot prej mentalitetit Enverian (që në fakt është mentalitet “justifikimi” i shqiptarit), që fajin gjithmonë na e kanë “armiqtë” e jashtëm dhe thurim historira konspiracioni (si puna jote), “me spiunë e diversantë”…

    1. arturi says:

      Po eshte PeDe-ja qe po sulmon te gjithe armiqte e jashtem, o Miu arave. Nejse… vazhdo ha fara!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje