Mrekullia Macron

11 Maj 2017, 09:45Bota TEMA

“Kandidati pro-europian triumfoi në zgjedhjet presidenciale të Francës duke dërguar një mesazh të rëndësishëm në Europë dhe më gjerë, ndërsa mundja e ksenofobes dhe populistes Le Pen tregoi që Europa ka ende një shans për t’u rregulluar,” shkruan Dominique Moisi.

Nga Dominique Moisi

Përpara përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Francë, Radio Kombëtare Publike e Shteteve të Bashkuara (NPR) më kërkoi të jepja një intervistë rreth rezultatit. Por kishte një kleçkë: intervista do të ndodhte vetëm nëse fitonte kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Duket se lajmi i mirë se Le Pen u mund nuk futet te lajmet sot.

Por e vërteta është se fitorja e qendrorit pro-europian Emmanuel Macron është një gjë shumë e rëndësishme. Vitin e kaluar, kur Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe kur SHBA-ja zgjodhi Donald Trump si president, ngritja e populizmit ekstrem të djathtë kaloi nga thuajse e pamundur në thuajse e parezistueshme.

Dhe në shumë mënyra, Franca u paracaktua që një populiste e krahut të djathtë të fitonte pushtetin: pavarësisht se u godit shumë nga krizat e eurozonës në dekadën e shkuar, së fundmi është përballur me një valë sulmesh terroriste.

Por votuesit francezë – përfshirë shumë prej atyre partia apo kandidati i të cilëve nuk ia doli në raundin e dytë – i kuptuan rreziqet e lënies së Le Pen të arrijë në Pallatin Elize dhe i dhanë Macron një fitore të fuqishme. Ishte një shfaqje e pjekurisë dhe inteligjencës politike dhe një leksion për SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. (Ndoshta këtë pjesë NPR nuk donte ta shihte).

Ndihmoi fakti se në debatin e dytë presidencia, Le Pen shkatërroi fasën që ajo kishte punuar fort të ndërtonte. Nxitja e saj për të “de-demonizuar” Frontin Kombëtar – në 2015, ajo madje largoi të atin Jean-Marie, nga partia që ai kishte themeluar – ishte e gjitha një aktrim. Ajo është, dhe gjithnjë do të jetë, e bija e të atit.

Por zgjedhjet në Francë rezultuan ashtu siç e pamë, për të perifrazuar eseistin Michel de Montaigne, jo vetëm sepse Le Pen ishte Le Pen, por sepse Macron ishte Macron. Në një tjetër kohë të historisë, rinia dhe pavarësia e Macron do të kishte qenë një pengesë e madhe. Por në mjedisin aktual të mosbesimit ndaj establishmentit politik, Macron i ofroi Francës perspektivën e një lloj ripërtëritje.

Sigurisht, pasojat e zgjedhjeve franceze i kalonin ato të kufijve të vendit. Për të filluar me Mbretërinë e Bashkuar, ku thirrja e zgjedhjeve të parakohshme nga kryeministrja Theresa May muajin e ardhshëm ishte me synimin për të forcuar dorën e saj në negociatat e ardhshme të Brexit. Tani ajo është përballur me perspektivën e një aksi Franko-Gjerman të rindërtuar – që do të jetë më i balancuar dhe më stabël se më parë. Trashëgimtarët politikë të Çërçillit nuk mund të mbështesin një kandidat që ka nostalgji për Francën e luftës së dytë botërore. Por ata nuk gabojnë kur shqetësohen se fitorja e zgjedhjeve nga kandidati më pro-europian do t’i izolonte ata më tej.

Në fakt, fitorja e Macron – që ai e fitoi me një melodi të “Odë Gëzimit” të Bethovenit, himnit europian – ka gjasa të frymëzojë më shumë forcat pro-europiane të moderuara kudo në Europë (me përjashtim të Hungarisë dhe Polonisë). Macron ka provuar se optimizmi, mbështetur nga një pedagogji e qartë dhe e fortë mund të fitojë një zgjedhje, edhe në një Europë që duket se është përfshirë nga pesimizmi dhe frika. Qasja e tij do të reflektohet me siguri në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani dhe Itali.

Përtej transformimit të imazhit të Francës (dhe populizmit të djathtë) në Europë, fitorja e Macron po transformon imazhin e Europës në sytë e botës. Përkundrazi pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin, “kontinenti i vjetër” nuk është në proces kalbjeje; ka ende mundësi të rinovohet.

Kjo mund të jetë zhgënyese për Rusinë. Por për Kinën, fitorja e Macron është një zhvillim pozitiv. Kinezët nuk e pëlqejnë pasigurinë, veçanërisht kur turbullon tregjet. Dhe kjo është ajo që mund të bëjë një fitore e Le Pen.

Sa për SHBA-në, përgjigjet ndaj fitores së Macron janë me gjasa të përziera. Për shumicën e amerikanëve që nuk votuan për Trump, me gjasa kjo frymëzon një kombimin çlirimi dhe kënaqësie. Mbi të gjitha, deri diku, mundja e Le Pen llogaritet si një qortim ndaj Trump vetë. Por ka edhe një lloj zilie të pëërfshirë: nëse demokratët do të kishin një Macron si kandidatin e tyre, në vend të Hillary Clinton, Trump nuk do të ishte president.

Amerikanët që votuan për Trump, nga ana e tyre, nuk janë të sigurt se çfarë të mendojnë. Nga një pikëpamje ideologjike, fitorja e Macron është zhgënjyese. Por nga një pikëpamje gjeopolitike, nuk është lajm aq i keq. Në fakt, duke riforcuar shtyllën europiane të NATO-s, të gjithë botës perëndimore do t’i vijnë përfitime. Sa për Trump – më shumë një narcist se një ideolog, i cili nuk është takuar kurrë me Le Pen, edhe nëse administrata e tij e nderoi atë – fitorja e Macron mund të rezultojë në disa gjëra pozitive.

Për Macron, puna sapo do të fillojë. Për të sjellë ndryshimin që ai ka premtuar dhe për të mbetur një simbol i shpresave progresive të botës, lëvizja e tij, La République En Marche!, duhet të sigurojë një shumicë në zgjedhjet legjislative të muajit të ardhshëm. Shpresa është që votuesit francezë do të tregojnë sërish ndërgjegje dhe mençuri dhe do t’i japin atij mbështetjen për të cilën ka nevojë në Asamblenë Kombëtare. Çfarë është në lojë këtu nuk është e ardhmja e një politikani apo partisë së tij, por fati i Republikës Franceze dhe e ardhmja e Europës.

Project Syndicate-BIRN

4 komente në “Mrekullia Macron”

  1. demokrati says:

    Kjo fitore ja vlen. Kjo eshte fitore, kur te duan te gjithe, e jo vetem vendi jot. SUKSESE MACRON. Jo si tek ne ne Shqiperi qe kandidon e fiton nje person qe se don askush, pa le me te behet fjale qe ta duan te gjithe, si rasti ne fjale. Ja ky eshte rasti Meta, imagjinojeni dhe beni krahasimin. Imagjinoni fitoren e Lulzim Bashes, qe ka neveritur jo vetem shqiptaret, por mbare nderkombetaret, pa lene me te Sali Berishes, Fatmir Mehdiut, Agron Dukes, Kreshnik Spahiut, etj, dhe po te dalesh dhe nga krahu tjeter pak me pak e pak me shume te njejte jane, vetem me pak ndryshim, te asaj qe “kerkojne te bejne shtet”. Ja pra ku jemi, nuk jemi askund, jemi ne udhekryq.

  2. Tema says:

    Ka premtuar qe do vizitoj Tiranen zyrtare.

  3. orient says:

    Fenomeni Macron, u ndodh ne kohen e duhur, per te mos lejuar izolimin e frances,apo rilindjen e fashizmit ne europe dhe me tej kolapsin..ky eshte edhe mendimi i shqiptareve ,te cilet e konsiderojne francen atdhe te dyte ..dhe per pasoje eleminuan sado pak, racisten e vetdeklaruar dhe te urryer me voten e tyre.

  4. Para Laci says:

    Shqiptaret dhe te tjeret qe e duan Europen ti falen zotit qe fitoi nje pro-europian ne France sepse perndryshe do kishte gjasa qe europa do merrte fund. Anglia gjithmone ka qene “gjysem e ngjitur” me europen dhe per daljen e saj europa ishte e pergatitur por ne rast se do dilte dhe Franca qe eshte zemra e europes atehere c’do gje mund te merrte fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje